E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit në Tiranë, më 20 janar

TIRANE- Pas Milanit, më 20 janar do të vijë në Shqipëri për një ndeshje miqësore klubi më i madh i botës, Reali i Madridit. Zyrtarisht, skuadra spanjolle, që është 9 herë fituese e Champions League, do të përballet me Gramozin e Ersekës, por kjo skuadër do të jetë e përbërë nga një seleksion yjesh të kampionatit. Takimi do të jetë në kuadër të edicionit të tretë të trofeut “Taçi Oil Albania Reads” dhe do të sjellë në “Qemal Stafa” disa prej futbollistëve më të mirë të planetit. Yje si Kristiano Ronaldo, Kaka, Benzema apo Raul, do të jenë para tifozëve shqiptarë. Por, skuadra do të shoqërohet edhe nga presidenti Florentino Perez, i cili nuk e ka ndjekur kurrë Realin në miqësoret jashtë Madridit. Në bisedimet e bëra me presidentin e kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçin, Perez ka qenë entuziast për të vizituar Tiranën dhe Shqipërinë, një vend ku ai nuk ka qenë kurrë. Ai është një politikan i njohur në Spanjë dhe përveçse president i Realit, është edhe pronar i një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Evropë, ACS. Vetëm në merkaton e verës, Florentino Perez shpenzoi 252 milionë euro, duke blerë disa prej lojtarëve më të mëdhenj të botës. Miqësorja, e konfirmuar tashmë nga zyra për shtyp e Taçi Oil, do të luhet më 20 janar, në orën 18. Kjo kompani ka premtuar se do të bëjë një ulje drastike të çmimit të biletave, në mënyrë që tifozët të kenë mundësi të ndjekin Realin në stadium.(m.a/A Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›