PS-ja bojkoton opozitën!
Miratimi pak javë më parë i disa ndryshimeve në Kushtetutë duket se ka shënuar edhe epilogun e ekzistencës së partisë kryesore të opozitës në vend, Partisë Socialiste. Ndonëse deri dje kemi ngritur shqetësimin për topitjen e kësaj force politike opozitare, sot me keqardhje na duhet të pranojmë se ajo thuajse nuk ekziston. Sigurisht, në planin fizik dhe institucional të gjithë e dimë se PS-ja ekziston e regjistruar në Gjykatë. Por në planin politik ajo duket se është drejt shuarjes së saj të plotë. Ky duket se është lajmi më i keq jo për PS-në dhe anëtarësinë e saj, por për vendin. Kur pushon së ekzistuari një opozitë e fortë politike, atëherë të gjithë jemi të rrezikuar nga pushteti i pakontrolluar i qeverisë. Një demokraci, që të forcohet dhe të mos jetë nën diktatin e një autoritaristi, siç është kryeministri Berisha, që përpiqet dëshpërueshëm të fshehë ambiciet e tij për të uzurpuar të gjithë shtetin me rrënjë e me degë, duhet të ketë një mburojë të fortë politike që ia siguron vetëm një opozitë e fortë politike. PS-ja duket se tashmë e ka bojkotuar opozitën.
Po pse janë ngritur pikëpyetje për ekzistencën e PS-së si një parti e fortë politike opozitare? Që nga 15 marsi PS-ja dhe pjesa tjetër e opozitës e kanë kthyer me shumë të drejtë zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit një përparësi politike. Por ditë pas dite dhe javë pas jave vihet re se PS-ja jo vetëm ka zbutur tonet, por është bërë thuajse inekzistente për këtë çështje. Për ta ilustruar më mirë këtë argument mjafton t’i referohemi mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve dhe të Imuniteteve, ku për tragjedinë e Gërdecit dha shpjegimet e tij ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. PS-ja ka 4 anëtarë në këtë Këshill, por aty merrte pjesë vetëm deputeti socialist, Besnik Dervishi. Ndërsa tre deputetë të tjerë të PS-së, së bashku edhe me një të PSD-së, nuk kishin denjuar që të vinin në këtë mbledhje. Nuk është e qartë se cilat kanë qenë motivet që i kanë shtyrë këta deputetë të opozitës që të mos marrin pjesë në punimet e këtij Këshilli, ku po diskutohet për heqjen e mandatit të ish-ministrit Mediu. Pa hyrë shumë në qëmtime policeske se ku mund të ketë qenë njëri apo tjetri, pa hezitim mund të themi se PS-ja as që e ka vënë “ujin në zjarr”, duke braktisur në këtë mënyrë të gjithë ata fatkeq mbi të cilët rëndon një dramë e tmerrshme. Qeveria, natyrisht, i ka larë duart në një përpjekje të turpshme për ta mbyllur këtë tragjedi të rëndë duke shpërndarë ca para. Normal që qeverisë i intereson heshtja. Por ajo që është krejt e pakuptueshme është heshtja e opozitës. Qeveria mund të blejë heshtjen e disa banorëve fatkeq që mezi mbijetuan, por nuk mund të besojmë se ajo ka arritur të blejë edhe heshtjen e opozitës. Nuk prisnim që deputetët socialistë t’i bënin gjyqin Mediut në mbledhjen e djeshme, por ata duhet t’i kishin bërë mjaft pyetje ish-ministrit, pyetje nga të cilat si banorët e Gërdecit, por edhe mbarë opinioni publik, kërkojnë sqarime.
Vetëm dy ditë më parë deputeti Petro Koçi me të drejtë ulërinte në dyert e Konvaleshencës kundër përpjekjes së qeverisë për të nxjerrë në rrugë banorët që strehohen në këto ambiente. Por deputeti i nderuar as që e kishte marrë mundimin dje të shkonte në mbledhjen e Këshillit për të kërkuar sqarime nga ish-ministri Mediu. Ajo që vëmë re me shqetësim është fakti se tani po ndeshemi me një fenomen tepër të rrezikshëm, që është krijimi i një soj opozite vetëm për kamera televizive, por që s’ka asnjë lidhje me opozitën reale për të cilën kemi nevojë. Opozita e kamerave televizive, në fakt, është problem i PS-së dhe i anëtarësisë së saj, por jo i qytetarëve. Banorët e Gërdecit ndjehen dy herë të tradhtuar; një herë nga qeveria, e cila nuk ngurroi t’i bombardonte me predha dhe raketa, dhe tani nga opozita. Mund të kemi qeverinë që meritojmë, por nuk do të donim të besonim që kemi edhe opozitën që meritojmë.
31 Maj 2008