Imuniteti, opozita braktis mbledhjen e paralajmëruar
Përveç deputetit socialist, Besnik Dervishi, asnjë deputet tjetër i kampit opozitar nuk ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Opozita përfaqësohet në këtë Këshill nga katër deputetë socialistë dhe një socialdemokrat dhe është në numër të barabartë me palën e pozitës. Por pas vendimit të papritur dhe arbitrar të kryeparlamentares Jozefina Topalli për zgjatjen pa afat të vendimit dhe deklaratat e saj lidhur me “provat e munguara të Prokurorisë”, kjo mbledhje ka shënuar një moment kyç dhe natyrisht që dhe “braktisja” e deputetëve të opozitës kthehet në një “braktisje kyçe”. Sakaq, opozita e ka cilësuar ngjarjen e Gërdecit si një krim shtetëror dhe në mënyrë të përsëritur ka kërkuar gjatë gjithë këtyre javëve se do të investohej në mbështetjen e hetimit të pavarur të kësaj çështjeje, duke premtuar se do t’i shkonte deri në fund zbardhjes së saj. Mbledhja e djeshme e Këshillit të Imuniteteve ishte njoftuar jo vetëm zyrtarisht, por edhe publikisht nëpërmjet mediave dhe shpalljeve publike të Kuvendit të Shqipërisë.
ANËTARËT E KËSHILLIT TË IMUNITETEVE
1. Jozefina Topalli, kryetare (PD)
2. Arian Madhi, anëtar (PR)
3. Astrit Bushati, anëtar (PD)
4. Safet Sula, anëtar (PAA)
5. Ilir Bano, anëtar (PD)
6. Albert Çaçi, anëtar (PS) Nuk u paraqit
7. Petro Koçi, anëtar (PS) Nuk u paraqit
8. Vangjel Tavo, anëtar (PS) Nuk u paraqit
9. Besnik Dervishi, anëtar (PS)
10. Angjelina Kola, anëtare (PSD) Nuk u paraqit
31 Maj 2008