E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, MSH-ja ngre strukturën e Komitetit të Ekspertëve



Ministria e Shëndetësisë ngre strukturën e Komitetit të Ekspertëve të Pandemisë së gripit për marrjen e masave kundër përhapjes së virusit të gripit të derrit në vendin tonë. Komiteti i Ekspertëve ka për detyrë të mbështesë Ministren e Shëndetësisë në zbatimin e Planit të Kontigjencës mbi pandeminë. OBSH-ja ka dhënë alarmin për rastet e përhapjes së virusit me ritme të shpejta në shumë vende të botës, përfshirë edhe Europën. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, sqaroi se ka një rritje të shkallës së vlerësimit për pandeminë e Gripit. Ajo deklaroi fazën e katërt të vlerësimit për pandeminë. Specialistët shprehen se faza e katërt karakterizohet me transmetimin e virusit nga njeriu tek njeriu, me shpërthime epidemike në komunitete. Kjo aftësi për të shkaktuar shpërthime epidemike në komunitete, shënon një kthesë të rëndësishme për rritjen e rrezikut të pandemisë.
Udhëzimi
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të rrisë masat në të gjitha pikat kufitare, ku hyjnë dhe dalin shtetas të huaj dhe shqiptarë që kanë kontakte me vendet e tjera të europës. Specialistët kanë përcaktuar një sërë rregullash që duhet të ndjekin ekspertët ne këto pika. Drejtoritë e Shëndetit Publik kanë detyrë të njoftojnë MSH-në nëse do të ketë raste të evidentuara apo nëse do të vërejnë persona me simptomat e gripit të derrit. Ndërkohë që vetë Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë vendet e Europës nëse vërejnë raste të tilla ose ka verifikuar një ngjarje të tillë, duhet të konsultohet menjëherë me OBSH, në mënyrë që situata të vlerësohet bashkërisht dhe të merret vendimi nga vendi i prekur, për një ndërhyrje të shpejtë. Gjithçka do të bëhet në mënyrë që të kufizohet pandemia.
Masat
Ministria e Shëndetësisë në bazë të ligjit për sëmundjet infektive, rekomandon që në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të çdo inspektor sanitar apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë çdo mbërritjeje të udhëtarëve dhe te vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit. Inspektorët duhet të udhëzojnë që personat që vijnë nga vendet e prekura në rast se kanë shenja repsiratore të mos dalin nga shtëpia por të kontaktojnë menjëherë mjekun përkatës. Ndërkohë që drejtoritë e shëndetit publik të marrin masa dhe të sigurojnë inspektimin sanitar në kufi. Specialistët e shëndetësisë në pikat kufitare duhet të sigurojnë mjetet e mbrojtjes personale si maska, doreza, dezinfektante etj.

box

Udhëzimi për mjekët në pikat kufitare

Çdo Inspektor Sanitar apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë çdo mbërritje të udhëtarëve dhe të vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit sipas përkufizimit të rastit bashkëngjitur këtij udhëzimi dhe listës së vendeve të prekura bashkangjitur këtu

Çdo Inspektor Sanitar i pikës së kontrollit të jetë i njohur me përkufizim e rastit bashkangjitur këtij urdhër

Çdo Inspektor Sanitar të njohë me hollësi RNSH (2005)

Çdo udhëtar që ka qenë në një zonë të tillë ose ka pasur kontakt me persona me probleme respiratore të vetëparaqitet pranë Inspektorit Sanitar i cili duhet të bëjë vlerësimin e tyre sipas përkufizimit të rastit bashkëngjitur këtij urdhri

Të bëhet trajtimi i të gjithë udhëtarëve sipas pjesës 5, kapitullit 3 të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, bashkangjitur këtij urdhri

Për çdo problem Inspektori Sanitar apo punonjësi shëndetësor në kufi duhet të referojë pranë Drejtorisë përkatëse të Shëndetit Publik ose të kontaktojë ISHP në numrin 2374756 ose në 0682414332 si edhe 0693087781 brenda 24 orëve

Çdo Inspektor Sanitar të sigurojë që pranë pikës së kontrollit ka mjete të mbrojtjes personale si maska, doreza, dezinfektante etj.
Çdo Inspektor Sanitar apo punonjës Shëndetësor në kufi të bashkëpunojë me organet e policisë së kufirit

Çdo Inspektor Sanitar për çdo rast të dyshuar sipas përkufizimit të rastit bashkëngjitur të referohet pranë Spitalit Rajonal më të
afërt

Çdo inspektor duhet të udhëzojë që personat që vijnë nga vendet e prekura në rast se kanë shenja repsiratore të mos dalin nga shtëpia por të kontaktojnë menjëherë mjekun përkatës

Çdo Drejtori e Shëndetit Publik të marrë masa të sigurojë inspektimin sanitar në kufi

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›