Bashkia, 25 familje kanë aplikuar për bonusin e qirasë
Emanuela Sako
Shtohen kërkesat e familjeve që kërkojnë të trajtohen me bonus qiraje nga Bashkia e Tiranës. Rreth 25 familje të reja kanë aplikuar për t’u trajtuar me bonus qiraje pranë Bashkisë së Tiranës. Këto familje janë pjesë e kategorisë së personave që u janë prishur shtëpitë nga zbatimi i projekteve të Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit dhe për këtë arsye janë klasifikuar si të pastrehë. Në bazë të rregullave të përcaktuara nga Bashkia, kjo kategori do të përfitojë bonus qiraje, duke shqyrtuar dokumentacionin e dorëzuar pranë Drejtorisë së Strehimit. Ndërkohë, që specialistët do të shqyrtojnë dokumentacionin përkatës dhe masën e përfitimit.
Shqyrtimi
Tani pritet shqyrtimi i dokumentacionit dhe më pas diskutimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Do të jetë Këshilli Bashkiak, ai që do të vendosë nëse këto familje do të përfitojnë ose jo dhe do të përcaktojë masën e përfitimit në bazë të të ardhurave të deklaruara nga familjarët. Bashkia e Tiranës, pak muaj më parë vendosi që të drejtën për të aplikuar për bonus qiraje e kanë vetëm ata familjarë që u janë prishur shtëpitë, si pasojë e zbatimit të projekteve të bashkisë. Ndërsa është hequr rregullorja e mëparshme për të drejtën e aplikimit, për të gjitha shtresat në nevojë. Aplikantët kanë të drejtë të gjejnë një shtëpi me qira në një nga zonat e kryeqytetit, ndërsa Bashkia e Tiranës do t’u japë një pjesë të kostos mujore të shtëpisë me qira për një periudhë të caktuar kohore.
Formulari
Aplikimi nga qytetarët kryhet nëpërmjet plotësimit të një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës ose në Njësitë Bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen gjithashtu edhe ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.
29 Prill 2009