Dosja "Hoxhallari",Akuza: Raport të ri për mjekun
Prokuroria e Tiranës vendosi të ngrejë një grup të ri ekspertësh për mjekun që shkaktoi tragjedinë e vdekjes së 17 vjecares. Kirurgu kontestoi kolegët që e fajësuan për mjekim të pakujdesshëm.
TIRANE- Mjeku Xhevahir Hoxhallari, i cili akuzohet se gaboi në mjekimin e Matilda Petritit, 17-vjeçares korçare që vdiq pas operacionit në bajame, duket se nuk është dakord me përfundimet e arritura nga mjekët ekspertë që e fajësojnë atë. Me kërkesën e tij, Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të ngrejë një grup të ri ekspertësh të cilët do të verifikojnë kartelën mjekësore të viktimës, për të dalë në një konkluzion nëse mjeku Hoxhallari ka gabuar apo jo gjatë operacionit të vajzës. Raporti i dytë duket se do t'i shërbejë prokurorisë për të arritur në një konkluzion më të saktë në lidhje me shkeljet e kryera nga mjeku Hoxhallari, që sollën për pasojë vdekjen e vajzës së re. Grupi i ekspertëve do të saktësojë gjithashtu nëse vajzës i është dhënë mjekimi i gabuar pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe si ka reaguar ajo. "Pasi të kemi raportin e grupit të ekspertëve, do të vendosim dhe për fatin e mjekut", - tha një burim zyrtar nga Prokuroria.
Ekspertët
Dosjes "Hoxhallari" do t'i shtohet dhe një raport tjetër ekspertësh, të cilët do të përcaktojnë shkaqet që çuan në vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti si dhe gabimet që ka kryer mjeku gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në bajame dhe mjekimit. "Me kërkesën e Xhevahir Hoxhallarit, i cili nuk është dakord me raportin e parë të ekspertëve që e bëjnë fajtor për vdekjen e Petritit, kemi urdhëruar ngritjen e një grupi tjetër mjekësh, të cilët pasi të shqyrtojnë kartelën mjekësore të pacientes, do të dalin në një konkluzion", - tha një burim nga prokuroria. Në fakt, pak javë më parë, në duart e prokurorisë mbërriti një raport ku mjekë ekspertë kanë konstatuar se kolegu i tyre, Hoxhallari, nuk i ka dhënë ndihmën e duhur pacientes, Matilda Petriti. Mjekët saktësojnë se në kartelë nuk është përshkruar ecuria e gjendjes shëndetësore të vajzës, por është shënuar vetëm emri dhe mosha e pacientes, konkretisht data 6 prill 2008, kur Matilda Petriti i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën private të Hoxhallarit. Por për të verifikuar nëse të gjitha këto shkelje janë kryer nga mjeku Hoxhallari, do të priten rezultatet e grupit të ri të ekspertëve. Matilda Petriti gjeti vdekjen me 6 prill 2008 në QSUT, pas një operacioni në bajame të kryer nga mjeku Xhevahir Hoxhallari në klinikën e tij private, në Pogradec. Për shkak të komplikacioneve të krijuara, Petriti u soll në QSUT ku mbylli sytë përjetë. Familjarët akuzuan mjekun si shkaktuar të vdekjes së vajzës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)