Dosja “Kokaina”, lirohet me kusht Sokol Koçiu
Lirohet me kusht një nga pjesëtarët e dosjes së bujshme “Kokaina”. Sokol Koçiut, të cilit i kishin mbetur edhe afro 2 vjet burg për të vuajtur, më në fund dje iu pranua kërkesa për t’u liruar me kusht, kundrejt garancive të ofruara para gjykatës. Vendimi është marrë nga gjyqtari Arben Micko, i cili e liroi ish-oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, por duke i vënë disa kushte, që gjatë këtyre dy viteve nuk duhet të jetë as person në hetim dhe as në gjykim për vepra të ndryshme penale. Në të kundërt, sipas Gjykatës së Tiranës, pezullohet vendimi i dhënë. I dënuari Sokol Koçiu u dënua nga gjykata me 12.5 vjet burg, për veprat penale "trafikut të lëndëve narkotike" dhe "pjesëmarrjes në organizatë kriminale", prej të cilave ka kryer pak më tepër se 10 vjet. Ndërkohë që paraqiti garancinë për punësim pranë të shoqes në zyrën e saj, 47-vjeçari kërkoi të lirohej edhe për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Ish- oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Koçiu, vuajti në burg pjesën më të madhe të dënimit, ndërsa i kishin mbetur afro 2 vjet të tjera burgim. Gjatë periudhës së mbetur të dënimit të dhënë, Koçiu nuk duhet të përfshihet në asnjë hetim apo akuzë penale, në të kundërt duhet të rikthehet në qeli. Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Koçiu, ka deklaruar se do të punonte me bashkëshorten e tij në zyrën e saj të projektimeve, por kishte edhe profesionin e tij. “Nëse do të lirohem nga qelia, do të punoj me bashkëshorten time, në zyrën e saj të projektimeve, por ajo që dua të them është se unë kam dhe profesionin tim”, u shpreh Koçiu një seancë më parë, kërkesë për të cilën nga gjyqtari Micko iu kërkua paraqitja e një vendimi gjykate, në të cilin vërtetohej se zyra e bashkëshortes së tij ishte e regjistruar me vendim gjykate. Në fakt, këto dy ditë nuk kanë munguar në Gjykatën e Tiranës depozitimet e një sërë kërkesash nga ana e 47-vjeçarit Koçiu, si për përfitim nga amnistia, ulje dënimi, liri me kusht, ndërsa shumica prej tyre janë rrëzuar nga ana e gjykatës.
Somario
“Nëse do të lirohem nga qelia, do të punoj me bashkëshorten time, në zyrën e saj të projektimeve, por ajo që dua të them është se unë kam dhe profesionin tim”, - u shpreh Koçiu
Detaj
12.5 vjet burg u dënua ish-oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, për veprat penale "trafikut të lëndëve narkotike" dhe "pjesëmarrjes në organizatë kriminale"