Prokuroria ripyet vëllezërit e Xhindit për djemtë
VRASJA E DEPUTETIT
Pjesëtarë të familjes së deputetit socialist të vrarë me 2 maj janë ripyetur nga prokuorët e Krimeve të Rënda për disa pista të reja
Prokurorët pyesin rrethin e ngushtë familjar, për një konflikt të djalit të dytë, ndërsa po verifikojnë pista të tjera
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila prej dy ditësh ka zbarkuar sërish në Roskovec të Fierit, ka rimarrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e ngushtë të deputetit të vrarë mbrëmjen e 2 majit, Fatmir Xhindi.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilës saktësuan se prej dy ditësh prokurorët Kosta Beluri, Ardian Nezha e Adnan Xholi janë vendosur në Roskovec duke ripyetur, për herë të dytë që nga vrasja e deputetit familjarët e tij më të afërm.
Përveç marrjes në pyetje të rrethit të ngushtë familjar, mësohet se prokurorët me ndihmën e oficerëve të terrenit kanë shoqëruar për disa orë mbrëmjen e së martës tre persona, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur nga hetuesit.
Ata, sipas burimeve, janë marrë për disa orë në pyetje nga hetuesit dhe prokurorët e çështjes e më pas janë lënë të lirë nga policia e Fierit. "Nga mëngjesi i të martës, në Roskovec dhe Fier kanë shkuar tre prokurorët e çështjes, të cilët kanë rimarrë në pyetje vëllezërit e deputetit të vrarë Fatmir Xhindi dhe të afërmit e tij të ngushtë.
Pyetja e vëllezërve
Pyetjet ndaj tyre, në përgjithësi janë përqendruar në pistat e reja të ngritura pas dyshimeve dhe informacioneve të sjella në Prokurori nga agjentët e policisë në terren,- thuhet nga burimet e akuzës.
Sipas tyre, vëllezërit e deputetit Xhindi, janë pyetur mbi marrëdhëniet e dy djemve të deputetit të vrarë me ndonjë vajzë të zonës për rreth, ku kanë shpjeguar se asnjëri nga nipat e tyre nuk ka pasur probleme të tilla.
"Policia na ka servirur një informacion, ku janë ngritur dyshime mbi një pistë të re, sipas së cilës djali i vogël i deputetit Xhindi, ka pasur një lidhje dashurie me ndonjë vajzë të zonës, e cila mund të ishte prishur, pasi deputeti Xhindi nuk ka pranuar të lidhë krushqi, duke bërë edhe ndarjen.
Një histori e tillë, mendohej se mund të kishte sjellë pakënaqësi tek familjarët e vajzës, që mendohet se kanë ndërmarrë hapin e vrasjes për të rivënë nderin në vend.
Por, ky informacion i servirur nga policia, është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga vëllezërit e deputetit Xhindi, të cilët kanë konfirmuar për organin e akuzës, se djali i madh ndodhet me studime në Rumani, ndërsa i vogli është në Shqipëri dhe nuk ka pasur probleme të tilla,- thanë burimet e akuzës duke cituar të afërm të deputetit të vrarë Fatmir Xhindi.
Kjo pistë, e ngritur nga agjentët e policisë, vazhdon të verifikohet nga institucioni i akuzës, të cilët përveç pyetjes së familjarëve të ngushtë të deputetit të vrarë, ka marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë në lidhje me këtë pistë gjatë ditës së djeshme.
Gjithashtu, përveç pistës së vrasjes së deputetit për shkak të ndonjë lidhjeje dashurie të dështuar të djalit të tij, pistës së vrasjes për detyrën, pronat, e xhelozisë, policia ka shtuar edhe atë të ndërhyrjes së deputetit Xhindi për lirimin nga burgu të një personi të afërm të tij, që kishte shkaktuar vdekjen e një fëmije në një aksident automobilistik.
Pista këto, që vazhdojnë të verifikohen nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, që për disa ditë po qëndrojnë në Roskovec të Fierit, duke marrë persona të ndryshëm në pyetje.
60 të pyetur nga prokuroria, më tepër se 150 të shoqëruar
Që nga data 2 maj 2009, ditën kur është qëlluar për vdekje deputeti Xhindi, policia e prokuroria kanë marr në pyetje mbi 60 persona të ndryshëm.
Sipas akuzës, ka qenë ora 21:15 minuta e mbrëmjes së shtunë të datës 2 maj 2009, kur pranë banesës së tij është qëlluar deputeti i Partisë Socialiste në zonën e Roskovecit, shtetasi Fatmir Xhindi, i cili për tre legjislatura mbante këtë postë.
Mësohet se atentatori i tij, ka shkrepur 16 plumba nga arma e tij "Kallashnikov" ku 9 prej tyre kanë sjellë vdekjen e deputetit Xhindi, sapo kishte dalë nga makina e tij poshtë banesës.