Nishani: Jemi drejt zbardhjes së vrasjes
TIRANË- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se autori i vrasjes së deputetit të Partisë Socialistë Fatmir Xhindi do të dalë shumë shpejt para drejtësisë.
Kjo deklaratë e ministrit Nishani, u bë dje pas deklaratave të familjarëve të Xhindit se po zvarriten hetimet. "Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi do të zbardhet shumë shpejt dhe autorët e saj do të dalin para drejtësisë, ku do marrin dënimin e merituar.
Që nga dita e vrasjes e deri më sot, (dje) hetimet për vrasjen e deputetit Xhindi po vazhdojnë me një intensitet të lartë. Dhe që nga ajo e ditë e deri më sot (dje) kanë ndodhur zhvillime esenciale lidhur me ngjarjen dhe se aktualisht strukturat e hetimit po punojnë në pista konkrete.
Kjo ngjarje është e një cilësie të veçantë dhe kërkon kohën e duhur për t'u zbardhur",-nënvizoi ministri, duke i garantuar familjarët dhe opinionin publik se autorët do të vihen para drejtësisë, ku do të marrin ndëshkimin e merituar.
Sipas tij, hetimet kanë hyrë në një drejtim të rëndësishëm dhe aktualisht po hetohet në disa pista, por ngjarja për Ministrin e Brendshëm konsiderohet si e veçante dhe duhet një kohë e mjaftueshme për të zbardhur përfundimisht autorët dhe shkaqet e vrasjes së deputetit të opozitës.