Tenton të vrasë kushëririn, pranga gardianit
ALKOOLI/ Ilir Spahiu është vënë në pranga pasi qëlloi me armë kundër të afërmit të tij, Andri Hoxha
Sipas dëshmive të dhëna në polici, shkak për sherrin ka qenë konsumimi me tepri i pijeve alkoolike
DEVOLL - Tenton të vrasë me armë kushëririn e tij teksa ishin në gjendje të dehur, por përfundon në prangat e kolegëve të vet. Ilir Spahiu, punonjës policie në burgun e Drenovës në Korçë, është arrestuar duke gdhirë dita e mërkurë, sepse qëlloi me pistoletën e punës kushëririn e tij, pasi kishin konsumuar alkool përgjatë gjithë natës së bashku. Akuza e ngritur ndaj 44-vjeçarit është "vrasje me dashje e mbetur në tentativë", ndërsa dje në mëngjes është dhënë edhe urdhri për pezullimin e tij nga puna.
Ngjarja
Ngjarja është regjistruar në orët e vona pas mesnate në një lokal të fshatit Cangonj, vetëm 8 kilometra larg qytetit të Bilishtit. Protagonistë të saj janë bërë dy kushërinj, njëri prej të cilëve efektiv policie në burgun e Drenovës në Korçë.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:30 të së mërkurës. Ilir Spahiu, 44 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë burgut të Drenovës ka tentuar të vrasë me armën e shërbimit kushëririn e tij 37-vjeçar.
Skena e shoqëruar me krisma të shumta pistolete është zhvilluar në një lokal në qendër të fshatit të lartpërmendur. Ilir Spahiu, punonjës burgu sapo ishte kthyer nga puna dhe ishte ndalur në një lokal të fshatit për t'u çlodhur. Ai është takuar me të afërmin e tij Andri Hoxha, me të cilin ka qëndruar për shumë orë në tavolinë.
Gjatë kësaj kohe, sipas dëshmive që ka grumbulluar policia ata kanë konsumuar shumë alkool, ndërsa kanë qenë në shoqërinë edhe të disa shokëve të tjerë, ndërsa kanë vazhduar "duelin" e tyre të konsumimit të pijeve alkoolike të vetëm.
Në gjendje të dehur në një inat të çastit, efektivi i policisë ka nxjerrë pistoletën tip TT nga brezi dhe ka tentuar të qëllojë me të Andri Hoxhën. Për fat të mirë, plumbat nuk kanë përfunduar në trupin e 37-vjeçarit, i cili është shmangur menjëherë.
Hetimet
Ka qenë pronari i lokalit ai që ka kërkuar ndihmën e policisë së komisariatit të Devollit, e cila në vetëm pak minuta ka prangosur në kushtet e flagrancës efektivin e policisë. Spahiu është arrestuar, ndërsa i është sekuestruar si provë materiale arma e tij e punës, një pistoletë tip TT dhe një krëhër me fishekë.
Ndërkaq, ai akuzohet për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë", ndërsa është pezulluar nga detyra nga autoritetet e burgut gjatë mëngjesit të së mërkurës, pas informacionit që është marrë për ngjarjen e rëndë.
Për fat të mirë, plumbat nuk e kanë lënduar Hoxhën, i cili ka dhënë spjegimet e tij në polici duke pohuar se nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm mes tij dhe të arrestuarit, por sherri ka ardhur për motive banale nën efektet e alkoolit që ata kishin pirë me tepri gjatë mbrëmjes.