E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj në Itali: Për katër vjet 88, gjykime për trafikun e qenieve njerëzore

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i ftuar në Itali në Kongresin "Mbi dinjitetin nuk ka diskutime", ka folur për përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.


Alibeaj gjatë fjalës së tij në punimet e Kongresit, paraqiti dhe statistika të katër viteve të fundit që flasin për numrin e vendimeve të gjykatave shqiptare për këtë fenomen.


Sipas numrit një të dikasterit të Drejtësisë, nga viti 2005 deri në vitin 2009 janë gjykuar 88 të raste të trafikimit të qenieve njerëzore, ku në shumicën e çështjeve dënimet kanë qenë nga 10-25 vjet burg për personat që janë akuzuar si të përfshirë në rrjetin e trafikimit të qenieve njerëzore.


Sipas ministrit të Drejtësisë, ky fenomen është në rënie, por shqetësuese mbetet rritja e trafikimit të brendshëm të grave dhe fëmijëve që shfrytëzohen kryesisht për prostitucion dhe për punë të ndryshme.


Gradohen 18 punonjës policie me gradën "Kryekomisar"


TIRANË - Diplomohet brezi i parë i oficerëve që kalojnë nga roli zbatues në rolin menaxhues në Policinë e Shtetit. Nëpërmjet një ceremonie të zhvilluar në Qendrën e Formimit Policor u graduan 18 punonjës policie me gradën "kryekomisar". Prej vitesh të diplomuarit mbanin gradën "kryeinspektor".


Në ceremoninë e gradimit të punonjësve të policisë ishte i pranishëm dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, bashkë me drejtuesit e lartë të Policisë si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistojnë në Policinë Shqiptare.


Duke i uruar për marrjen e kualifikimit dhe përfitimin e gradës, nënkomisarëve të rinj, ministri i Brendshëm vlerësoi rolin e strukturave të policisë për statusin e sigurisë së rendit dhe qetësisë publike që sot uniformat blu ofrojnë për qytetarët.


"Ky status i dedikohet profesionalizmit dhe aftësisë së punonjësve të të gjitha niveleve, nga ai me gradë më të lartë deri tek ai me gradë më të ulët.


Sot Policia e Shtetit i ka dyert e hapura vetëm mbi bazën e aftësisë, kontributit dhe aftësisë së gjithsecilit që do të ishte i interesuar të punonte në radhët e policisë",- u shpreh ministri Nishani gjatë fjalës së tij në ceremoni.


Edhe për drejtorin e përgjithshëm e Policisë së Shtetit, gradimi i policëve të rolit bazë është është një sukses drejt një karriere të ndershme për çdo punonjës policie.


Në bazë të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, grada tashmë do të merret vetëm me konkurs, dhe në këtë konkurs duhet të marrin pjesë të gjithë punonjësit e policisë që plotësojnë kushtet e kërkuara nga ligji.


Bën sherr me elektricistët, arrestohet


TIRANË - Arrestohet nga punonjësit e Komisariatit të Policisë nr .6, Sadik Kullolli, 63 vjeç, pas kundërshtimit që ky i fundit ka bërë ndaj policisë dhe punonjësve të OSSH-së gjatë një lidhjeje elektrike për një abonent.


Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës pohojnë se 63 vjeçari me banim në Tiranë, në bashkëpunim me Lulëzim Takun, i cili banon në Vaqarr, kanë kundërshtuar jo vetëm punonjësit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, por dhe uniformat blu që kanë vajtur për të normalizuar situatën.


Ngjarja ka ndodhur që më datë 9 maj dhe sipas policisë autori tjetër i këtij incidenti me punonjësit e policisë dhe të OSSH-së është shpallur në kërkim.


Policia sqaron se i shpalluri në kërkim, Lulëzim Taku, ka tentuar që të godasë me gurë si policët ashtu dhe punonjësit e Elektrikut, por më pas është larguar duke iu shmangur arrestimit nga Policia.


Materialet për këtë ngjarje do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të "kundërshtimit të punonjësve të policisë", "kundërshtim të punonjësve që kryejnë një detyre shtetërore" dhe "fyerje për shkak të detyrës".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›