Prenë shtyllën e tensionit për skrap, arrestohen tre të rinj
Njëri prej të arrestuarve ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, pasi akuzohej për veprën penale të goditjes së policit për shkak të detyrës
ELBASAN Tre të rinj nga fshatrat e Elbasanit kanë gjetur një mënyrë për të fituar para, duke prerë shtyllat e tensionit të lartë e më pas ta shesin për skrap.
Uniformat blu të këtij qyteti kanë arrestuar në flagrancë Indrit Shehun, 26 vjeç, nga Katundi Ri; Klajdi Sulonjakun, 24 vjeç, me banim në Kuqan; dhe Elton Pokën, 27 vjeç, nga fshati Xibrakë; pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë prerë me oksigjen dhe mjete mprehëse një shtyllë të tensionit të lartë, që ishte përkohësisht jashtë shërbimit. Njëri prej personave të arrestuar, pikërisht 24-vjeçari Klajdi Sulonajku ka qenë me arrest shtëpie, pasi kishte qenë i arrestuar më parë për veprën penale të goditjes së punonjësit të policisë për shkak të detyrës. Prandaj për të, përveç akuzës së grabitjes, ai akuzohet dhe për thyerjen e kësaj mase të dhënë nga gjykata e Elbasanit.
Arrestimi
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës në fshatin Kodra Bujaras të komunës Tregan. Tre të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë prerë me oksigjen duke çmontuar pothuaj tërësisht shtyllën e tensionit të lartë dhe më pas i kanë ngarkuar pjesët metalike në një kamionçinë për t’i shitur për skrap në pikat e grumbullimit të hekurishteve. Por banorët kanë njoftuar policinë, e cila ka dërguar në vendin e ngjarjes një furgon të grupit të gatshëm, i cili ka bërë të mundur arrestimin e tyre. Ndaj autorëve është ngritur akuza e vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Njëri prej të ndaluarve, Kljadi Sulonjaku me banim në fshatin Kuqan, ka thyer edhe masën e arrestit në shtëpi të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Elbasan për veprën penale të goditjes së punonjësit të policisë për shkak të detyrës. Pak kohë më parë, gati në të njëjtat rrethana, punonjësi i policisë së komisariatit Peqin, Idriz Caka, mbeti i vrarë, ndërsa kishte shkuar bashkë me kolegët për të shpëtuar vjedhjen e një transformatori. Vjedhjet ordinere kanë qenë mjaft të shpeshta kohët e fundit në Elbasan, por në 90% të rasteve policia ka mundur t’i identifikojë dhe kapë autorët.
Po kështu ethet e skrapit duket se janë përfshirë në të gjithë vendin, duke sjellë për fat të keq edhe viktima. Kështu, dy rastet më të fundit janë regjistruar në një minierë në Librazhd dhe në Kukës, kur tre persona kanë humbur jetën, si pasojë e marrjes së skrapit në zonat e minierave që nuk ishin në funksion.
F.S.