E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Mediu” , Gjykata e Lartë zbardh emrat e gjyqtarëve që votuan pro dhe kundër



Gjykata e lartë pak ditë para zbardhjes së vendimit që pushoi dosjen “Mediu” zbardh emrat e gjyqtarëve që votuan pro dhe kundër. Sipas një njoftimi zyrtar të kësaj gjykate Pro:
Besnik Imeraj, kryesues, Majlinda Andrea, relatore, Ardian Nuni, anëtarë. Ndërsa dyshja e gjyqtarëve që kanë qenë kundër pushimit të dosjes për ish-ministrin Fatmir Mediu ishin gjyqtaret Evjeni Sinoimeri, anëtare dhe Evelina Qirjako që ishte po anëtare në këtë çështje. Me vendimin e disa ditëve më parë u kuptua se përveç faktorëve të jashtëm ka edhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që mendojnë se dosja ndaj Mediut nuk duhet të mbyllej për shkak mandatit të ri për deputet. Pikërisht dy nga gjyqtarët e kolegjit penal mësohet se kanë sjellë jo pak argumente të bazuara në kode dhe legjislacione që, sipas tyre, duhej bazuar për të vijuar më tej procesin në fjalë. Gjithsesi, që vendimi të merrte formë të prerë duheshin tri vota dhe gjyqtarët që ishin për të vazhduar procesin ishin në minorancë. Edhe pse diskutuan para dhënies së vendimit për më shumë se dy orë, anëtarët e kolegjit penal duket se nuk e kanë gjetur gjuhën juridike të përbashkët për çështjen në fjalë. Më në fund është vendosur: tre pro pushimit dhe dy kundër këtij vendimi. Në këtë mënyrë, kolegji penal ka lënë të kuptohej se çështja “Mediu” nuk paskësh qenë dhe aq e qartë dhe përballë situatës në të cilën ndodhej duhet ta pushonte çështjen, duke çliruar njëherë e mirë nga akuzat ish-ministrin që ngarkohej me përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit. Vendimi është dhënë vetëm pak ditë më parë dhe në këtë rast duket se nuk do të presim afatin e zakonshëm prej 30 ditësh për të lexuar me argumente se përse treshja e kolegjit “favorizoi” pretendimet e avokatëve të Mediut. Gjykata e Lartë i vuri kapak dosjes së tragjedisë së Gërdecit të hënën që kaloi duke pushuar akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Falë këtij vendimi, kësaj dosjeje iu vendos kyçi pa u hapur ende mirë për shkak të ecurisë që ajo pati po prej vendimeve të kësaj gjykate. Fillimisht kjo gjykatë vendosi ta ndante dosjen duke e kaluar pjesën më të madhe të saj për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Kolegji i zgjedhur në maj të këtij viti do të gjykonte vetëm ish-ministrin për shkak të pozicionin dhe imunitetit që ai kish pasur. Pavarësish se ky vendim u mor në qershor, sërish procesi nuk nisi. Kolegji vendosi të shtyjë dy seancat që ishin përcaktuar në korrik duke e lënë për të vazhduar procesin në shtator të këtij viti. E gjithë kjo hapësirë kohore i shërbeu më së miri ish-ministrit. Imuniteti i ri jo vetëm i dhuroi një post ministror, por e çliroi edhe nga akuzat e ngritura që në vitin 2008 nga Prokuroria e Përgjithshme.

e

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›