Procesi “Gërdeci”. Ushtarakët: Na gjykoni veçmas nga Delijorgji!
Laureta Rryçi
Avokatët mbrojtës të ushtarakëve të pandehur në dosjen e tragjedisë së Gërdecit kërkojnë veçimin e çështjes nga akuzuarit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari Dritan Minxoli dhe Sokol Ngjeci. Këta të fundit janë akuzuar për vrasje dhe shkatërrim prone.
Sipas avokatëve klientëve të tyre nuk u provohet bashkëpunimi me te akuzuarit për vrasje dhe shkatërrim prone. Lidhur me këto kërkesa, Gjykata do të shprehet seancën e ardhshme, e cila është caktuar për në 7 tetor 2009. Nga 29 të pandehur të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeci.
Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.
Procesi
Seanca e djeshme ka shënuar seancën e parë të zhvilluar normalisht për dosjen “Gërdeci”. Kryetari i trupit të gjykues pas verifikimit të palëve konstatoi se ndryshe nga herë e tjera ishin prezent të gjithë mbrojtësit e 29 të pandehurve. Sapo procesi u deklarua i hapur për shqyrtim menjëherë prokurorët e çështjes iu drejtuan gjykatës me një kërkesë mbi avokatët. Sipas prokurorit, trupi gjykues nuk duhet të lejonte që një i njëjti avokat duhet të mbronte dy apo më shumë subjekte të një procesi. Prokurori përmendi emra konkret në kërkesën e tij si avokati Maks Haxhia apo Vladimir Meçe. Mirëpo në këtë proces ka edhe avokatë të tjerë të cilët mbrojnë më shumë se dy klientë që janë të pandehur. Pas kësaj kërkese i pari që reagoi ishte Avokati Maks Haxhia. Ky i fundit i kujtoi gjykatës, se përfaqësuesit e akuzës janë kujtuar tepër vonë për të bërë këtë kërkesë kur duhet ta kishin bërë rreth një vit e gjysmë më parë. Më tej avokati Haxhia ka dhënë argumentet juridike se përse mund të mbronte dy klientë në të njëjtin proces. Haxhia në procesin e Gërdecit mbron Mihal Delijorgjin dhe firmën “Albdemil”. Pas deklarimit të palëve në lidhje me këtë çështje, trupi gjykues është tërhequr për disa minuta nga salla e gjyqit për të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë. Treshja që po gjykon këtë çështje ka qenë e mendimit se kërkesa e përfaqësuesit të akuzës ishte pa baza ligjore për rrjedhojë duhet të rrëzohej.
Veçimi
Procesi vijoi më tej me kërkesën e avokatëve të 22 të pandehurve. Avokatët i kërkuan dje trupit gjykues që kjo dosje duhet të veçohej për shkak se klientët e tyre nuk kishin të njëjtat akuza me të pandehurit që janë në gjendje arresti. Sipas avokatëve ushtarakët akuzohen për shpërdorim detyre ndërsa të pandehurit e tjerë për vrasje. Në lidhje me këtë kërkesë përfaqësuesi i akuzës nuk ishte dakord, ndërsa gjykata vendosi të shprehej në seancën e ardhshme e cila u caktua më 7 tetor. Pas kësaj kërkesë seanca u shty për të enjten e ardhshme. Nëse kërkesa pranohet, atëherë dosja voluminoze e “Gërdecit” do të copëtohej për të dytën herë. Herën e parë e ndau Gjykata e Lartë në momentin kur vendosi të gjykonte vetëm ish-ministrin Fatmir Mediu. Ndërsa për të pandehurit e tjerë u shpreh se nuk ishte kompetencë e saja që t’i gjykonte ata për akuzat e ngritura.
Të pandehurit e Procesit të Gërdecit
Ylli Pinari, do të mbrohet nga avokatët Vladimir Bineri dhe Klodian Gjermeni
Sokol Ngjeçi, do të mbrohet nga avokati Nik Progni
Mihal Delijorgji do të mbrohet nga avokati Maksim Haxhia
Dritan Minxolli do të mbrohet nga avokati Arben Prifti
Ardian Mullahi do të mbrohet nga avokatët Vladimir Meçe dhe Andi Meçe
Shkëlzen Madani do të mbrohet nga avokati Hysni Beti
Dashnor Çaushi do të mbrohet nga avokati Mark Pëllumbi
Armand Tartari do të mbrohet nga avokati Mirash Martini
Luan Hoxha do të mbrohet nga avokati Ibrahim Lahe
Agim Lala do të mbrohet nga avokati Artan Kodheli
Hilmi Laçaj do të mbrohet nga avokati Agim Tirana
Ndue Marku do të mbrohet nga avokati Buajr Himçi
Shpëtim Spahiu do të mbrohet nga avokati Vladimir Meçe
Zihja Bahja do të mbrohet nga avokatët Luan Hasanaj dhe Xhemal Gazidede
Agim Babameto do të mbrohet nga avokati Eno Bushi
Rezart Tërshana do të mbrohet nga avokati Eno Bushi
Besnik Dauti do të mbrohet nga avokati Eno Bushi
Fatbardh Kuçi do të mbrohet nga avokati Sokol Shazi
Gëzim Oshafi do të mbrohet nga avokati Alfred Balla
Jorgo Mino do të mbrohet nga avokati Leonard Dingo
Denis Hajdari do të mbrohet nga avokati Alket Hyseni
Fari Toska nuk u paraqit në sallën e gjyqit
Zenun Fero do të mbrohet vetë nuk ka zgjedhur avokat
Hysni Çoçka do të mbrohet nga avokati
Bashkim Nikolla
Adriatik Mema do të mbrohet nga avokati Alfred Balla
Juliana Margariti do të mbrohet nga avokati Arben Prifti
Lavdi Shatro do të mbrohet nga avokati Lulëzim Beleshja dhe Behar Pipero
Fiqiret Mato do të mbrohet nga avokat Koçi Mato
Personi juridik, shoqëria ALBADEMIL shpk. Do të mbrohet në proces nga avokati Maksim Haxhia
1 Tetor 2009