E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Remzi Hoxha”, arrestohet në Londër Ilir Kumbaro

Nga Bledar Lumani

Arrestohet në Londër ish-punonjësi i SHIK, Ilir Kumbaro, një prej të akuzuarve kryesorë për zhdukjen dhe rrëmbimin e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha. Kjo u bë e ditur nga burime pranë policisë, sipas të cilëve Kumbaro është prangosur nga autoritetet britanike rreth një muaj më parë, por që është bërë e ditur vetëm ditën e djeshme. Ndërkohë, mësohet se autoritetet shqiptare kanë bërë gati dosjen me dokumentet e nevojshme për të bërë të mundur ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Ky i fundit po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, si dhe Avni Koldashin.

Arrestimi

Ka qenë Interpol Tirana ajo që ka bërë të mundur gjetjen e vendndodhjes së Ilir Kumbaros, teksa më pas ka vënë në dijeni efektivat e policisë britanike, të cilët kanë bërë të mundur edhe arrestimin e ish-punonjësit të SHIK. Arrestimi i Kumbaros u konfirmua edhe nga burime pranë policisë, sipas të cilëve Ilir Kumbaro është vënë në pranga afërsisht një muaj më parë, por prangosja e tij është bërë publike vetëm ditën e djeshme. Kjo, duke qenë se autoritetet britanike nuk ishin të bindur, nëse i arrestuari ishte pikërisht Kumbaro. Për këtë arsye, burime pranë policisë bënë të ditur se autoritetet britanike kanë kërkuar disa foto të tjera të Kumbaros për t’i krahasuar ato me të prangosurin, për të vërtetuar nëse ishe Kumbaro i prangosuri apo jo. Ky i fundit është arrestuar në kryeqytetin britanik, Londër, pas një kërkimi ndërkombëtar prej disa muajsh nga Interpol, teksa mësohet se këta të fundit e kanë pasur nën mbikëqyrje prej kohësh Kumbaron. Sipas burimeve të policisë, Kumbaro, i cili dyshonte se ndiqej nga policia, brenda një kohe shumë të shkurtër kishte ndërruar disa herë vendndodhjen, me synimin e vetëm që mos të binte në prangat e efektivave të policisë britanike. Sakaq, në dijeni të arrestimit dhe të verifikimit të identitetit të Kumbaros mësohet se ka qenë vetëm prokurori i çështjes së rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, Xhevat Hana. Ndërkohë, burime pranë policisë u shprehën se tashmë janë duke u përgatitur dokumentet e nevojshme, me qëllim ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Londra në një kohë sa më të shkurtër.

Akuzat për Kumbaron


Ilir Kumbaro akuzohet si një prej përgjegjësve kryesorë në rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha, ngjarje kjo e ndodhur 13 vjet më parë, teksa trupi i këtij të fundit nuk është gjendur ende. Kumbaro, ish-punonjësi i SHIK, është duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në mungesë për këtë vepër, teksa pas prangosjes së tij në Londër, tashmë ai pritet shumë shpejt që të ulet në bankën e të akuzuarve. Së bashku me të, në bankën e të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, gjenden edhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, si dhe ish-efektivi i SHIK, Avni Koldashi. Vetëm pak javë më parë, një prej dëshmitarëve kyç të këtij procesi, Ziso Kristopulli, i cili u mbajt peng për disa ditë në Vajin të Lezhës, në të njëjtën kohë kur u mor peng edhe Remzi Hoxha, bëri përgjegjës për këtë vepër pikërisht Ilir Kumbaron bashkë me Budion Meçen. Gjatë dëshmisë së tij, Kristopulli ka bërë përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj tij dy prej të pandehurve, Budion Meçen dhe Ilir Kumbaron, që sipas tij e kanë keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore. “Jam goditur dhe rrahur vend e pa vend. Në shputat e këmbëve, në bark dhe më pas te gjunjët”, - tha Ziso Kristopulli, një prej të mbijetuarve të rrëmbyer nga SHIK në vitin 1995, gjatë dëshmisë së dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dëshminë e tij, e cila më së shumti inkriminon pikërisht Kumbaron dhe Budion Meçen, Ziso Kristopulli tha se agjentët e SHIK e kishin detyruar me dhunë të firmoste disa shkresa, në bazë të të cilave akuzohej për trafik armësh me Serbinë, falsifikim të Kushtetutës, si dhe tentativë vrasjeje të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Agron Musaraj. Ai tha se, ngaqë nuk i duronte dot më torturat, ka firmosur që e njihte edhe Remzi Hoxhën, duke deklaruar se kishte qenë bashkëpunëtor me të. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij, çuditërisht Kristopulli ka mohuar njohjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, i cili është i akuzuari kryesor në rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, teksa gjatë hetimeve të prokurorisë, Kristopulli kishte deklaruar të kundërtën. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Avni Koldashi, ai tha se ky i fundit ishte sjellë shumë mirë me të, dhe se nuk kishte asnjë akuzë ndaj tij. Të vetmit përgjegjës për rrëmbimin e tij, si dhe të Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, Kristopulli ka bërë pikërisht Budion Meçen dhe Ilir Kumbaron.

Hetimet


Në dosjen e prokurorisë në lidhje me rrëmbimin e Remzi Hoxhës thuhet se, “Remzi Hoxha është rrëmbyer në qendrën e punës nga persona të armatosur në datë 21.10.1995, rreth orës 13.30, dhe pasi është lidhur me pranga dhe maskuar në fytyrë, është dërguar në Vajin, të rrethit Lezhë. Për kryerjen e këtij rrëmbimi janë përdorur tri makina të tipeve të ndryshme, njëra prej të cilave kishte të vendosura targat TR 2449 C. Nga verifikimi i kryer nga Drejtoria e Policisë Rrugore Tiranë dhe e konfirmuar me shkresën nr. 805/2 prot., dt 30.03.1996, ka rezultuar se targa TR2449 C ishte tërhequr nga drejtoria e Shërbimit Informativ Kombëtar për nevoja operative në muajin mars 1995. Rezulton e provuar se ndaj shtetasit Remzi Hoxha, pas dërgimit në qendrën e mësipërme, menjëherë kanë filluar keqtrajtimet dhe torturat. Një gjë të tillë e kanë deklaruar edhe të dëmtuarit Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj, ku ky i fundit pretendon se në një moment e ka parë rastësisht shtetasin Remzi Hoxha, duke kaluar në korridorin e ndërtesës ku mbaheshin të izoluar. Veprimet e secilit prej autorëve ndaj Remzi Hoxhës, i kanë shpjeguar me detaje Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli, si dhe personat e tjerë që kanë qenë roje, apo i kanë shoqëruar të dëmtuarit në momente të caktuara”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›