Kriza, bankat shtrëngojnë kreditë për biznesin
Bankat e nivelit të dytë në vend kanë shtrënguar dhëniet e kredive kryesisht për bizneset që prej gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Të dhëna zyrtare bëjnë me dijë se shumë prej kritereve të kërkuara për të marrë një kredi nga biznesi janë forcuar si pasojë e krizës financiare në tregun botëror, por edhe si pasojë e rritjes së kredive të këqija, të cilat duhet thënë se ende janë në nivele të ulëta. Kriteret për të marrë kredi në të vërtetë janë shtrënguar edhe për individët, por gjithsesi në raport me bizneset ato ende janë të krahasueshme me kriteret e mëparshme. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të faktit se kreditë e individëve krahasuar me ato të biznesit janë shumë të vogla. Banka Qendrore vëren se, bankat tregtare që operojnë në vend kanë qenë më të kujdesshme për kredinë dhënë bizneseve të mëdha dhe kredinë e individëve për qëllime konsumi sesa për kredinë akorduar bizneseve të vogla dhe kredinë hipotekore. Sipas ekspertëve bankarë, faktorët që kanë çuar në shtrëngimin e kritereve të kredidhënies për bizneset kanë qenë vendimet e Bankës së Shqipërisë për të shmangur çdo rrezik, si pasojë e krizës globale financiare. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 kërkesa e bizneseve dhe individëve për hua nga bankat është vlerësuar si pozitive, por me prirje në ulje në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007. Kërkesa e bizneseve pritet të mbetet pozitive në gjashtëmujorin e dytë të vitit, ndërsa kërkesa e individëve parashikohet të mos ketë ndryshime të mëdha nga niveli i saj në gjashtëmujorin e parë, bënë të ditur burimet e BSH. Shtrëngimi i kritereve për të marrë kredi një biznes apo një ndërmarrje e caktuar ende nuk ka dhënë asnjë efekt në ekonomi ose të paktën asnjë efekt nuk është ndjerë, por është e sigurt se gradualisht ato do të bëjë që më pak pará të jenë të gjendshme për likuiditet dhe për investime. Kjo do të sjellë më pas efekte të tjera që do të kenë të bëjnë me rënien e shitjeve, me rënie të konsumit dhe me rënie të numrit të njerëzve të zënë me punë. Kjo do të jetë një situatë e pritshme, vetëm në rast se kriza botërore do të vazhdojë dhe realisht bankat e nivelit të dytë në vend do të japin kredi shumë më pak krahasuar më parë. Kredia për ekonominë në vend është rritur në mënyrë shumë të shpejtë gjatë tre viteve të fundit dhe ky ka qenë një nga zhvillimet më të mira në vend. Sasia e kredive në fund të vitit 2006 ishte sa ajo ishte parashikuar të ishte në momentin e tanishëm. Aktualisht, sasia e kredive që merr ekonomia është shumë e lartë, megjithatë krahasuar me vendet e zhvilluara ajo përsëri është shumë e ulët.