E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekuiem!

Nga Inida Gjata ZHAKU

Sot qyteti është i zymtë. Ndërtesat janë bojëdala. Ose të errëta. Bojë guri. Gri! Si qielli i sotëm. I vrenjtur. Ashtu si vetullat e qytetarëve që enden rrugëve me koka të rënduara. Me sytë nga toka ku shkelin. Tokë e bërë për këmbë të shtrira. Dystabanësh. Rrugë e trotuare gungaçe. Vende-vende të gërryera. Më tutje, të shqyer. Një copëz rrugë e shtruar me pllaka, si kurthe, mbi të cilat nuk mund të ecësh kurrë qetësisht, apo i sigurt për hapat që hedh. Duket se janë shtruar për këmbë petë. Për “Lula të vecërr”. Vajzat, kur ecin në këtë qytet, majë takave e kanë të vështirë ta mbajnë trupin drejt. Pa krenari, me sytë përposhtë, ruhen nga kurthet e pllakave “milionadollarëshe”

Sapo doli dielli. Ama, vetëm pak nga rrezet e tij e shpojnë tavanin e zënë të qytetit. Është ajër jo vetëm i zymtë, por edhe i pistë. Qyteti është zhul. Nuk duket si me re, e megjithatë një shtresë gri e rënduar qëndron pezull mbi koka njerëzish e ndërtesash. Po t’i hedhësh një sy të shpejtë, e ta kesh njohur prej një jete këtë qytet, të duket sikur gjithë çfarë ke jetuar kohë më parë, jo vetëm nuk ka patur këto ngjyra e këtë formë, por të lind edhe dyshimi se nuk ka ekzistuar kurrë.

Në të majtë, është hotel “Dajti”. Duket si një gjëndër dhjami mbi një trup me qelb.

Për hotel “Dajtin” të gjithë shqiptarët kanë diçka për të thënë. Në të kaluarën e tij, ky vend (i cili pa asnjë arsye logjike, të qartë e të justifikueshme është shndërruar prej kohësh në një gërmadhë të braktisur), ka shërbyer jo vetëm si “fjetore” e vend takimesh për figura të “Lavdishme”, me rëndësi në historitë e botës e jo vetëm në atë të Shqipërisë, por edhe si vend ngjarjesh hedonistike për qytetarët më modernë të kohëve të veta.

Tashmë, hotel “Dajti” është asgjë. Dhomat e vizituara prej liderëve të botës janë të nxira nga errësira. Merimangat. Zbrazëtia. Trishtimi i përgjithmonshëm. Tani, hotel “Dajti” nuk është asgjë më shumë sesa një adresë në këtë qytet!

Të njëjtin fat me H. D pati edhe Piramida, që ndryshe i thërresin edhe qendër Ndërkombëtare Kulture, e pagëzuar nën emrin “Pjetër Arbnori”.

Piramida ishte e bardhë. Me në majë një yll të kuq. Mermer dhe xham. Emrin e kishte “ Enver Hoxha” dhe qe Muzeu i veprës së Diktatorit dhe Partisë së Punës së Shqipërisë.

Gjatë klasës së tretë ose dhe pak më herët, mësuesit herëpashere na udhëhiqnin drejt Muzeumeve. Një ndër ta qe edhe Piramida, e cila qe ndërtuar e krijuar enkas për figurën e Enver Hoxhës. Monumente. Buste. Fotografi. Vepra. Gjithë ajo Piramidë mbante dhjetëra vite histori të dokumentuar deri në detaje. Por, afeksionimi me Piramidën erdhi pas rënies së Partisë. Ne që qemë fëmijë atëherë, ishim fëmijë pa lodra, por me shumë fantazi, e cila na ndihmonte të krijonim argëtime të reja. Dhe Piramida u shndërrua në park argëtimi për të gjithë ata të brezit tim.

Zbrisnim piramidën hipur mbi copa kartonësh. Nga ylli në majë e deri në buzët e saj mbi tokë, të ndenjurat mbi karton na i përcëllonte zjarri që shkaktonte rrëshqitja mbi mermer. Gjatë pasditeve Piramida (nga jashtë) shndërrohej në pellg lojërash për “ huliganë” të vegjël. Gjatë ditës, në mjet fitimi parash për “huliganët” e rritur. Ata që kishin drejtimin e saj. Derisa e copëtuan në dhjetëra-qindra copëza të lëna me qira të ulët, kujtdo. Për çdo gjë. Derisa u shndërrua në arenë panairesh nga më të ndryshmet. Nga jashtë e shkalafitur nga pakujdesia. Nga brenda e masakruar nga makutëria.

Derisa erdhi një ditë (një nga këto ditët tona), që Piramida u braktis nga çdo gjë e çdokush. Në dorë të dy-tre Panairexhinjve që e kanë shndërruar çdo institucion të rëndësishëm kombëtar në ekspozitë djathi, mishi, turshie e qilimi. E braktisur në mëshirë të fatit. Si çdo pronë shtetërore në këtë vend. Duke zhdukur çdo vepër të së kaluarës. Duke ekzekutuar për vdekje çdo grimcë histori të këtij kombi “historik”, i cili si ngjarje të shënuar njeh vizitën e George Bush(ave), apo ndonjë tjetër jabanxhiu.

Pallati i Pionierëve, një histori më vete. Dëshiroje të mësoje gjuhë të huaja? P. Pionierëve ishte aty. Dëshiroje të mësoje të pikturoje? P. Pionierëve ishte aty. Dëshiroje të bëheshe këngëtar apo valltar, apo çdo gjë….edhe gjahtar madje?! Pallati i Pionierëve ishte aty.

Tani, ai Pallat i është dorëzuar Mbretit, Shtetit, Kinemasë dhe dy-tri restoranteve apo bareve.

Asgjësimi i institucioneve të rëndësishme shqiptare nuk erdhi nga njerëzit, por nga vetë pushtetarët e këtyre viteve. Populli ishte kundër Enver Hoxhës, por besoj se askush nuk ka qenë apo është kundër Historisë.

Teoritë e artit postmodern fare mirë mund të ishin aplikuar në këtë vend e ta kishin shndërruar Shqipërinë në një parajsë Historike dhe Artistike gjithashtu.

E kur flas për postmodernizëm, nuk i referohem klubeve, restoranteve apo pazareve që kanë mbirë në çdo institucion me vlera të mëdha për vendin tonë. (Kam parasysh këtu të gjitha kalatë apo godinat qindravjeçare, që nën “regjimin” e pronarëve të klubeve janë shndërruar në gjirize që s’të bëjnë t’u hedhësh as sytë)

Por i referohem parimit: “Mbi të vjetrën ndërtohet e reja!” Ky parim mund ta kish shndërruar hotel “Dajtin” në një ndër hotelet më prestigjiozë në botë për nga vlerat historike (në rast se do të ish mirë-trajtuar që në zanafillë e më tej). Por, jo! H. D së shpejti do të jetë diçka pa lidhje. Njëlloj si “motrat” e tij!

Piramida fare mirë mund të ishte shndërruar në Muze Liderësh. E ku jo vetëm Enver Hoxha të mbretëronte, por të gjithë ata që e kanë drejtuar Shqipërinë. Nga më i pari e deri tek i fundit. Të haheshin me vepra midis tyre. Jo me fjalë e asgjësim!

Pallati i Pionierëve nuk kishte asnjë arsye të zhdukej si institucion. Vërtetë Pionierë nuk ka më. Por ka fëmijë. Shumë fëmijë, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi e as formimin e mjaftueshëm për t’i edukuar më së miri. Ai vend të rriste dhe dëshirën për më shumë njohuri. Mund të ish zhvendosur gjetkë. Gërmadhat shteti ynë i ka të panumërta. Por jo!

Vazhdimisht flitet për historinë e Shqipërisë si e lavdishme. Qytetërim i lashtë etj.,…etj…. Por historia e kombit tonë është shndërruar në një gojëdhënë të vjetër. E padokumentueshme me më shumë se një fakt!

Të thuash se kjo histori u zhduk, se ka shkaktuar dëme të parekuperueshme, është e lehtë. Lehtësisht mund të justifikohesh me asgjësimin e saj, duke u fshehur pas numrit të jashtëzakonshëm të viktimave që kanë prodhuar sistemet e mëparshme. Por, nëse e bën këtë, ke detyrim të madh ndaj atyre që iu thërret “Viktima”, të cilët jo vetëm nuk janë në qendër të ndonjë muzeu, por enden sa në njërin shesh në tjetrin duke protestuar për bukën e gojës.

Cila histori do të na bëjë të ndjejmë pak nder për këtë komb? Ajo e shkatërrimit të së kaluarës? Apo ajo e ndërtimit të së ardhmes mbi gërmadha?

Në cilin Muzeum do të shkruhet kjo e ardhme? Në Kryeministri? Apo në Parlament? Ku do të shkruhen bëmat e Udhëheqësit të së sotmes dhe të së nesërmes? Rreth ’92? Ku? Rreth 97? Ku? Rreth ’99? Ku? Rreth viteve 2000? Ku?

Në cilin muzeum do të dëshmohet ngjarja e Gërdecit?

Në cilin Hotel do të vendosen mbi mur fotografitë e takimeve me udhëheqësit Historikë apo me Fazlliçët?

ǒlavdi do të ketë një histori, ku e zezë mbi të bardhë do të shkruhet rreth një Kryeministri që ndihet Zotërues i gjithçkaje mbi kët dhé, e jo vetëm i lirë të manipulojë fakte e ngjarje të së kaluarës, por edhe i pakufizuar në diskreditimin e institucioneve të së tashmes, të cilat, nëse kanë ndopak lavdi, ia atribuon vetes meritën. Ama, nëse preket personalisht, menjëherë i skualifikon nga lista e organeve funksionuese të shtetit. Duke harruar që populli, ashtu siç njeh Lavdinë, dallon lehtë edhe Dështimin. E natyrisht edhe fajtorin e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›