E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Remzi Hoxha”, shtyhet seanca gjyqësore

Autori i Lajmit: Ornale MANJANI
Dështon seanca e parë gjyqësore në ngarkim të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve dhe tre të dyshuarve të tjerë për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Shkak për shtyrjen e saj është bërë mungesa e dy prej të pandehurve, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa kreu i Tatimeve, Arben Sefgjini, është paraqitur para togave të zeza në orën e caktuar nga gjykata për zhvillimin e seancës. Në sallën e gjyqit ishin dhe të afërm të biznesmenit Remzi Hoxha.
Seanca
Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të katër ish-punonjësve të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95, nuk është zhvilluar. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se kryesuesi i trupit gjykues ka vendosur të shtyjë seancën për në 30 maj pas verifikimit të palëve. Në këtë proces janë të pandehur Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar.
Akuzat
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi më 4 maj, në mungesë, masën e sigurisë arrest shtëpie për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Kështu, katër ditë pas kësaj Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Burime nga organi i akuzës pohojnë se Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Tatimeve, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, pretendimet e prokurorit janë të pavërteta. Të padrejtë masën ndaj Sefgjinit e cilësoi dhe avokati i tij, Zef Nika, i cili në fjalën e tij nënvizoi se ka pasur shkelje procedurale. Ndërsa i pandehuri Avni Koldashi tha se gjithçka që kam ditur lidhur me zhdukjen e Remzi Hoxhës në 21 tetor të vitit 1995, e kam thënë edhe më parë në organet e drejtësisë.
Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›