E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncerti folk musical, do të shfaqet të dielën nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore

Autori i Lajmit: Red.
Një koncert folk musical, i pagëzuar si “Udhëtim në Arbëri”, do të shfaqet të dielën nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Koncerti me koreografë Genc Kastrati, Besim Jazexhiu, Andrea Kokeri, Zeki Kastrati, Roberta Mone dhe Besim Zekthi, do të ngjisë në skenë edhe këngëtarët e njohur si Manjola Nallbani, Kastriot Tusha, Arif Vladi dhe Dionis Delia. Përmes interpretimit të solistëve, trupës së valleve, grupit vokal, orkestrinës së Ansamblit Popullor, koncerti do të prezantojë tiparet më të spikatura të artit dhe folkut shqiptar, ndërkohë që e veçanta e tij qëndron edhe në dhënien e përshtypjeve që ka lënë kultura shqiptare tek të huajt që kanë vizituar vendin tonë si Lord Bajroni, Nopça, Johan G. Von Hann, Edith Durham etj. Për të realizuar këtë ide, është menduar që përshtypjet e tyre të përcillen në këtë shou nga një shkrimtar i huaj, një trill ky artistik. Kësisoj shfaqja do të ndërthuret midis aktorit, valleve, këngëve e instrumentaleve, duke i dhënë spektatorit dinamikën e një ekspedite në vise të ndryshme shqiptare. Katër numra koreografikë do të ndërtohen nga Genc Kastrati, me motive të pashfrytëzuara ndonjëherë. Një prej tyre, do të jetë vallja me motive të Karadakut, një bashkëpunim mes tij dhe Zeki Kastratit. Kjo valle me motive nga Preshevë-Bujanovci, do të pasohet edhe nga valle me motive kosovare, me motive të Dibrës dhe të Korçës apo edhe nga valle tiranase dhe çame.

Rreth koncertit

Genc Kastrati, valltar dhe koreograf i Ansamblit Popullor
“Duke u mbështetur në folklorin tonë aq të pasur, në pasionin tim për të, në plotësimin tim profesional disavjeçar si dhe duke u nxitur nga dëshira për t i dhënë temp dhe paraqitje sa më dinjitoze kësaj trupe profesionale, më ka lindur ideja për organizimin e një koncerti me një strukturë disi më ndryshe nga koncertet e deritanishme. Sipas kësaj ideje, ky koncert do të jetë fryt i një bashkëpunimi të gjerë me shumë emra të njohur e të suksesshëm të fushës së koreografisë, çka siguron vetëm vlera dhe art të pastër. Konkretisht, koncerti është konceptuar të ndërtohet rreth një boshti dhe të përçojë impaktin dhe mbresat që lë arti dhe kultura jonë e larmishme tek të gjithë të huajt që kanë vizituar Shqipërinë, Lord Bajroni, Nopça, Johann G. Von Hann, Edit Durhami, etj. Bazuar në përshkrimet e këtyre dhe shumë vizitorëve të tjerë, të natyrës, virtyteve, vlerave, artit, veshjeve, zakoneve e kulturës shqiptare, do të flasë një shkrimtar i huaj, i trilluar artistikisht, që i përmbledh të gjithë. Këto fjalë me peshë për vlerat e artit tonë do të vendosen në gojën e një aktori që shquhet për një interpretim mjaft emocionues. Shfaqja do të ndërthuret teknikisht midis aktorit, valleve, këngëve e instrumentaleve, duke synuar të bëjë spektatorin të ndiejë dinamikën e një ekspedite nëpër vise të ndryshme shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›