E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jep fund jetës 39-vjeçari

Autori i Lajmit: Red.
Vetëvaret për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike një 39-vjeçar nga Bradasheshi i Elbasanit. Fatmir Sula i ka dhënë dje fund jetës, pasi ishte pushuar nga puna në ndërmarrjen Rruga-Ura dhe nuk kishte më shpresa për gjetjen e një tjetër pune për të siguruar të ardhura për familjen. Burime nga policia bëjnë të ditur se ka qenë bashkëshortja që ka gjetur trupin e pajetë të të shoqit, pa pasur mundësi për t i ardhur në ndihmë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08.00 të mëngjesit. Babai i dy fëmijëve i ka nisur për në shkollë duke i puthur për herë të fundit dy vajzat e tij, 8 vjeç dhe 10 vjeç, dhe më pas ai i ka kërkuar bashkëshortes që të ushqejë dhinë e vetme në pyllin aty pranë. Pasi është siguruar se ishte i vetëm në shtëpi, Fatmir Sula ka marrë një litar, ka shkuar në ullirin pranë shtëpisë dhe, pasi ka përgatitur lakun, është vetëvarur. Bashkëshortja është kthyer për të kryer punët e mëngjesit në shtëpi, por gjatë rrugës ka parë të varur në degën e ullirit bashkëshortin e saj. E shokuar nga pamja tronditëse, ajo ka vënë kujën, duke kërkuar ndihmën e fqinjëve. Tre fqinj të familjes Sula kanë shkuar dhe kanë prerë litarin. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë viktimës, por ai nuk ka mundur të kthehet më në jetë. Më pas është lajmëruar policia, e cila ka shkuar në vendngjarje.

Ky lajm është publikuar: 17/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›