E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohet qendra shëndetësore me tritol, dyshime për pronësinë

I vihet lëndë eksplozive ambulancës së fshatit Kodër në Lezhë. Godina pritej të përurohej pas dy javësh, nisin hetimet për autorët

LEZHË – Një tjetër shpërthim me tritol ka ndodhur në Lezhë. Kësaj radhe në shënjestër të shkatërrimit nuk është prona private, por një qendër shëndetësore. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se një sasi eksplozivi i është vënë një qendre shëndetësore në fshatit Kodër të komunës Dajç në qytetin e Lezhës duke gdhirë dita e martë. Sipas vlerësimeve paraprake, dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa autorët nuk janë identifikuar nga policia. Ky akt vjen dy javë pas shpërthimit që ndodhi në një restorant të njohur në fshatin Rrilë, në rrethin e Lezhës.
Shpërthimi
Vetëm pak ditë kishin mbetur për të prerë shiritin e qendrës shëndetësore të fshatit Kodër, në komunën e Dajçit, por dje në mëngjes ajo është gjetur tërësisht e shkatërruar. Burime zyrtare nga policia e Lezhës thanë se qendra shëndetësore, aq e kërkuar nga banorët e zonës, ishte pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme dhe përurimi i saj do të bëhej pas dy javësh. Policia thotë se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë eksplozivin qendrës në orët e vona të natës. Dyer, dritare, mure dhe pajisje të kushtueshme, që ishin vendosur në këtë ambulancë, janë shkatërruar dhe vlera e dëmit është e konsiderueshme. Policia është vënë në kërkim të autorëve të shpërthimit si dhe po bën vlerësimin monetar të dëmit. Dyshimet e para janë hedhur për një akt që mund të ketë ardhur nga problemet e pronësisë së truallit ku është ngritur qendra shëndetësore e fshatit. Policia ka marrë në pyetje disa banorë të zonës përreth, por ende nuk ka asnjë person të identifikuar apo të ndaluar për këtë vepër penale.
Rastet
Një lokal ndër më të mirët e Lezhës u bë objekt i shkatërrimit me tritol më 3 dhjetor të këtij viti. Incidenti ndodhi në fshatin Rrilë, te lokali “Petrol Paluca”. Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës Elona Nika, lënda eksplozive ishte vendosur në lulishten e këtij lokali. Si pasojë e shpërthimit janë regjistruar vetëm dëme të vogla materiale në lokalin, pronë e 39-vjeçarit Gj. P., lindur në Pukë dhe banues në Lezhë. Policia nuk ka arrestuar apo identifikuar ende autorët e kësaj ngjarjeje. Në qarkun e Lezhës kanë ndodhur një sërë shpërthimesh me lëndë eksplozive, por në shumicën e rasteve këto vepra penale kanë mbetur pa autorë.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›