E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: “Rama po mbron lidhjet me të kaluarën e tij të zezë”



Fill pas deklaratës së kryetarit të PS-së ka reaguar dje Partia Demokratike. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, e akuzoi Ramën se po pengon Partinë Socialiste që të ndahet nga e kaluara dhe të votojë ligjin për hapjen e dosjeve dhe për dënimin e krimeve të komunizmit. “Kryeministri ka respekt për të ekzekutuarit e regjimit dhe familjarët e tyre, kryeministri ka respektin më të madh edhe për të vërtetën, e cila tmerron Edi Ramën. Në diskutimin e tij kryeministri theksoi se Rama po pengon Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, si tri parti që nuk e pranojnë lustracionin. Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të mbrojtur lidhjet e tij me të kaluarën e zezë të tij”, - është shprehur Bogdani ndërsa i ka bërë thirrje Ramës që t’u kërkojë falje shqiptarëve për gabimet e të atit. “Në rast se Rama do të faktojë të kundërtën, duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve për firmën që ati i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka vendosur për ekzekutimin e intelektualëve të shquar Avzi Nela, Vilson Blloshmi, Gazmend Leka dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Rama duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve për dhjetëra e dhjetëra bij dhe baballarë, të cilët u ekzekutuan nga ekspertiza e pseudointelektualit Spiro Koleka”, - është shprehur Bogdani. Ai theksoi se kryeministri Berisha nuk bën përgjegjës djalin për të atin, por ky i fundit nuk pranon lustracionin dhe fakton se më shumë se gjithçka, mbron të shkuarën e familjes së tij.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›