Plagoset 19-vjeçari, policia arreston autorin
ELBASAN – Rikthehen skenat e sherreve me thika nga të rinjtë në qytetin e Elbasanit. Burimet policore raportojnë se mbrëmjen e së hënës një 19-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë, pasi u qëllua me thikë nga një bashkëqytetar i tij, i cili është ndaluar nga policia pak minuta pas ngjarjes. "A.S, 19 vjeç, lindur e banues në lagjen "Luigj Gurakuqi" në Elbasan, u qëllua me thikë nga Altin Caka, 25 vjeç, banues në të njëjtën lagje", - thanë burime zyrtare nga policia lokale. 19-vjeçari A.S. ndodhet në Spitalin Rajonal të Elbasanit jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se policia po punon për zbardhjen e krimit.
Një tjetër denoncim për zhdukje, ikën nga banesa 32-vjeçarja
ELBASAN - Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim një 32-vjeçare, e larguar nga banesa e saj prej dy ditësh. "Mimoza B, 32 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Fushë-Buall, Elbasan, është larguar nga shtëpia prej dy ditësh, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka denoncuar të martën zhdukjen e saj në polici", - thanë burime zyrtare nga policia lokale. Ata thanë se kanë shpërndarë informacione në të gjithë vendin me qëllim gjetjen e saj. Ky është rasti i katërt brenda pak ditësh që në rrethin e Elbasanit zhduken njerëz. Pak ditë më parë u gjetën dy femra të denoncuara si të zhdukura, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për largimin e një biznesmeni veshjesh.
Bie në zjarr, gjen vdekjen nga flakët 81-vjeçarja
LEZHË - Digjet brenda një banese një e moshuar. Sipas burimeve policore, ngjarja e rëndë ndodhi ditën e hënë, rreth orës 12:45, në fshatin Pllanë, Zejmen, të Rrethit të Lezhës, ku mbeti e vdekur shtetasja Prena Vorfi. Në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar forcat e policisë së Lezhës dhe menjëherë është ngritur dhe grupi hetimor, që arriti në përfundimin se ngjarja është aksidentale. 81-vjeçarja Vorfi për shkak të pleqërisë dhe problemeve që ka pasur me sytë, (pasi nuk shikonte mirë), ka rënë pa dashje në vatrën e zjarrit dhe ka marrë flakë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Në momentin e ngjarjes nuk ka pasur asnjë njeri në shtëpinë e saj. Kur kanë arritur të afërmit, ata nuk kanë mundur t’i japin ndihmë pasi ajo ishte djegur plotësisht.
17 Dhjetor 2008