Kontrolli policor dërgon në qeli dy të rinj, shpërndanin lëndë narkotike
Tiranë - Specialistët e Seksionit kundër Drogës kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve Eugert Shkëmbi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Lisjan Milushi, 18 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i Shkëmbit u krye sepse në afërsi të rrugës “Bajram Curri” në Tiranë u kap në flagrancë, me një sasi lëndë narkotike prej 2 gr, lëndë e dyshuar e llojit Cannabis sattiva, të cilën e kishte të fshehur në pjesën e brendshme të portofolit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, atij iu gjet sasia prej 100.6 gr me gjithë ambalazh lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasinë prej 102.6 gr bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva, dy aparate telefoni celularë, si dhe shumën prej 2500 lekësh. Ndërsa Lisjan Milushi u arrestua sepse pasditen e së hënës, në rrugën “Komuna e Parisit”, u kap në flagrancë duke konsumuar lëndë narkotike. Pas një kontrolli të ushtruar personal, iu gjetën tri shiringa me një lloj lënde të dyshuar narkotike. Pas kontrollit të ushtruar në banesë, atij iu gjetën 8.8 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva dhe 1.2 gr lëndë narkotike e dyshuar Heroinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 8.8 gr bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva, 1.2 gr bimë e dyshuar narkotike e llojit heroinë si dhe tri copë shiringa. Materialet për ta i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Ndalohen tre të mitur, dyshohen për vjedhjen e 2700 eurove
Tiranë – Tre të mitur janë ndaluar nga policia pasi dyshohen se janë autorët e një vjedhjeje në kryeqytet. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë kapën në flagrancë tre të mitur të dyshuar për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”, të parashikuar nga Nenet 134 dhe 22 të Kodit Penal. Ndaj tyre u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë. Sipas policisë janë ndaluar 16-vjeçarët: E. B., lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë, A. S., lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë dhe E. K., lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë. Ndalimi i tyre u krye sepse dyshohen të kenë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 3 dhjetor 2008, banesën në pronësi të një shtetasi (ku kanë marrë shumën prej 2700 euro). Nga kontrolli i kryer u gjetën dhe u bllokuan një sasi prej 300 eurosh. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
17 Dhjetor 2008