Autoriteti i Konkurrencës: “Tregu i karburanteve me pozita oligopoli”
Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar abuzime në tregun e karburanteve në vend pas një kontrolli disamujor që i ka bërë këtij tregu. Ky institucion ka njoftuar se ka përfunduar një raport "Mbi hetimin e thelluar në tregun e karburanteve" dhe më datë 26 dhjetor do të zhvillojë seancën e hapur dëgjimore me operatorët privatë dhe aktorët e tjerë të këtij tregu. Autoriteti i Konkurrencës nuk bën publike detajet e këtij raporti lidhur me shkeljet e konstatuara, por paraprakisht njofton se, “në tregun e karburanteve vihen re kufizime të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë”. Kjo do të thotë se importuesit e tregut të karburanteve bashkëpunojnë me tregtarët e pakicës për të fiksuar çmime të larta, të cilat rëndojnë mbi qytetarët. Në mbështetje të ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës" dhe Kodit të Procedurave Administrative, Autoriteti i Konkurrencës ka ftuar ndërmarrjet në hetim të tërheqin një kopje të raportit dhe të paraqesin pretendimet e tyre në seancën dëgjimore të datës 26 dhjetor 2008. Autoriteti i Konkurrencës njofton se pas përfundimit të seancës dëgjimore me subjektet nën hetim, të cilët do të japin argumentet e tyre, komisioni i konkurrencës do të marrë edhe vendimet përkatëse.
17 Dhjetor 2008