Dosja e Ruzhdies, të djathtët hetohen për manipulime
Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Altin Binaj, thotë se hetimet për zgjedhjet në fshatin Ruzhdie kanë hyrë në një fazë intensive. Prokurori i Fierit tha se tashmë kjo dosje është nën hetim dhe ka kaluar fazën e hetimit paraprak. Dy nga shkeljet që po trajton hetimi, sipas prokurorit Altin Binaj, janë braktisja e detyrës dhe parregullsitë në procesin e votimit. Po ashtu, drejtuesi i Prokurorisë së Fierit sqaron për “Shqip” se hetimet nisën pas padive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga disa qytetarë. Edhe pse nuk jep hollësi të mëtejshme, gazeta ka mundur të marrë disa nga objektet hetimore ku është përqendruar hetimi. Kështu, përfaqësuesit e PS-së po hetohen për braktisje të procesit zgjedhor, ndërkohë që përfaqësuesit e së djathtës janë duke u hetuar për prishje të procesit zgjedhor dhe parregullsi të regjistruara gjatë votimeve. Denoncimet për të djathtët kanë ardhur nga banorë të Ruzhdies, të cilët kanë treguar për prokurorinë se përfaqësuesit e PD-së dhe të PR-së kërcënonin dhe fyenin me qëllim hedhjen e votës për partitë e djathta. Me gjithë hetimet që kanë afro shtatë muaj që kanë nisur, fati i kësaj dosjeje ende nuk dihet.
#