E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Të gjitha palët të vazhdojnë dialogun

Apeli Reagon për krizën politikë në Shqipëri zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje publike mazhorancës, por edhe opozitës, që të vazhdojnë dialogun politik për të zgjidhur krizën politike në vend. Pas shumë reagimesh nga komuniteti ndërkombëtar, dje ka reaguar edhe selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë. I pyetur nga “Top Channel”, një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së deklaroi se “ne mirëpresim kthimin e Partisë Socialiste në Parlament si një hap pozitiv për zgjidhjen e impasit politik në Shqipëri”. “Shpresojmë se do të shërbejë si një element kyç për të sjellë kthimin e përhershëm të PS-së në Parlament. Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë dialogun, me qëllim zgjidhjen e ngërçit dhe përshëndesim rolin e Presidentit Topi në çuarjen përpara të dialogut. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë", e mbylli deklaratën zëdhënësi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Qëndrimi i djeshëm i Uashingtonit ka qenë mjaft i qartë, pavarësisht se është i mbuluar me nota diplomatike, që padyshim nuk anojnë as nga mazhoranca e as nga opozita. Sipas qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hyrja e 64 deputetëve socialistë në Parlamentin shqiptar, akt që ndodhi të enjten e shkuar nuk e ka zgjidhur krizën, ndaj e ka cilësuar shumë qartë se nuk është zgjidhur “ngërçi politik”. Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, e ka deklaruar këtë situatë edhe në dhjetor, ndaj sipas Uashingtonit është vetëm njëra palë që ka lëvizur. Që do të thotë se tani pritet hapi i radhës nga mazhoranca, e cila realisht ka dhënë një përgjigje stopuese kërkesave të opozitës. Ndaj deklarata e ambasadës së SHBA-së në Tiranë ka paralajmëruar “axhendën euroatlantike”. Një deklaratë e ngjashme që ka ardhur edhe nga diplomatët e Bashkimit Europian, të cilët kanë kërcënuar qeverinë se mund të humbë statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›