E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e adoleshentit, një tjetër në pranga

Durrës Arrestohet një 16-vjeçar që fshehu armën

Një tjetër i mitur është arrestuar në flagrancë nga policia e Durrësit për vrasjen e së dielës ku humbi jetën një 17-vjeçar, ndërsa familjarët dhe shoqëria kanë përcjellë për në banesën e fundit të riun që mbeti i vrarë. Afër mesnatës, pas arrestimit të dy të dyshuarve si autorë të vrasjes së Kledi Myzyrit dhe plagosjes së rëndë të Ergys ç., një tjetër 16-vjeçar është prangosur nga blutë durrsakë. D.Sh., 16 vjeç, lindur në Kavajë e banues në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar është arrestuar, pasi dyshohet se ka mbajtur armën e zjarrit pistoletë model 54 me të cilën shtetasit I.Curri dhe Radi Buçpapaj kanë vrarë shtetasin Kledi Myzyri dhe plagosur shokun e tij. Ndaj tij është ngritur akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ndërkohë, rreth orës 20:30 të së dielës u bë arrestimi në flagrancë i 16- vjeçarit I.Curri, banor i lagjes 9 dhe nxënës i një shkolle të mesme jopublike në qytet, si dhe i Radi Buçpapajt, 18 vjeç, lindur në Bajram Curri dhe banues në lagjen 18, nxënës i shkollës së mesme profesionale të mjeshtërisë sportive “Benardina Qeraxhia”. Dy adoleshentët akuzohen se rreth orës 15:15 në lagjen 1 të qytetit dhe pikërisht në bar “Sydney”, pas një konflikti të çastit kanë vrarë me pistoletë 17-vjeçarin Kledi Myzyri, banues në lagjen nr. 12 Durrës dhe plagosur rëndë shtetasin Ergys ç., 15 vjeç, banues në lagjen nr. 18 Durrës, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›