E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e UEFA-s, 7 vite dyshime për ekipet shqiptare në Europë

"Shqipëria ka një histori të hershme në manipulimin e ndeshjeve". Kjo fjali në dosjen që UEFA i ka dorëzuar Europolit ka bërë që mediat në të gjithë Europën të kërkojnë shpjegime për dyshimet rreth paraqitjeve të skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare. Gazeta italiane, "La Stampa" ka arritur të ndërtojë historikun e dyshimeve "shqiptare", duke marrë shkas që nga ndeshjet e 7 viteve më parë në Kupat e Europës. Reportazhi i nisur nga akuzat e Kryeministrit Berisha kundër Kombëtares, ka shtyrë këtë gazetë ta cilësojë Shqipërinë si një vend me histori në çështje të tilla, duke analizuar të gjitha rastet kur skuadrat shqiptare kanë lënë të dyshohet për ndeshjet e tyre. Sipas saj, edhe UEFA po e analizon këtë dosje, për të parandaluar raste të tjera në të ardhmen. "Data 7 gusht 2002 është historike. Në atë kohë luheshin eliminatoret e Champions League, Dinamo priste danezët e Brondbit. Mashtrimi ishte studiuar në detajet më të vogla dhe kishte prej atyre që arritën të vinin baste mbi rezultatin ekzakt të ndeshjes, atë që ishte paracaktuar. Por dyshimet për manipulime ishin mjaft të forta, aq sa kompanitë e basteve u bindën se ndeshja ishte e trukuar. Graham Sharp, zëdhënësi i "William Hill", shpjegoi situatën. "Të gjitha bastet ishin vënë në Londër dhe Mançester. Të gjitha ishin vënë në rezultatin përfundimtar 0-5, me koeficient mes 80 dhe 100". Problemi për atë që kishte programuar trukimin e rezultatit ishte se plani nuk u realizua. Ndeshja përfundoi 0-4 dhe danezët humbën në mënyrë të pabesueshme golin e pestë në minutat e fundit, duke bërë që personat që kishin organizuar gjithçka të mos ishin të suksesshëm në këtë tentativë. Data e mësipërme është historike pikërisht për këtë arsye, pasi kjo ishte hera e parë për tentativa manipulimi në ndeshje që mbikëqyreshin nga UEFA. Një vit më vonë lindin dyshime për dy takime të tjera: Dinamo-Lokeren dhe Vllaznia-Dandi, ndeshje të paraeliminatoreve të Kupës UEFA. Shuma të mëdha vihen në shenjën 2, ndërsa rezultatet u japin të drejtë bastexhinjve. UEFA nis një hetim, nga i cili nuk zbulohet asgjë. Historike është sfida mes Ekranas dhe Elbasanit, në verën e vitit 2006. Dy orë para fillimit të ndeshjes fillon një valë bastesh në shenjën 1, ndërsa ndeshja mbyllet me rezultatin e pastër 3-0. Më pas në shënjestër ishte Besa. Teorikisht duhej të ishte mundur me lehtësi në fushën e serbëve të Bezhanijas, por bastet miliardere vihen se të zotët e shtëpisë nuk do të fitojnë më shumë se me një gol diferencë, ndërsa takimi përfundon 2-2. Në raundin tjetër, Besa pret bullgarët e Liteks Loveç, me shuma të mëdha që vihen në shenjën 2. Rezultati përfundimtar 0-3 siglohet që në përfundimin e pjesës së parë. Ka dyshime edhe për ndeshjen Slaven Belupo-Teuta, pasi bastexhinjtë vënë shuma të mëdha për një goleadë, ndërsa ndeshja mbyllet me rezultatin 6-2", tregon "La Stampa".

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›