Ekspozohen armët e luftës
Në kuadrin e 65-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar çelet sot, në orën 11.00, ekspozita "Armët e luftës". Janë armë trofe të Luftës së Dytë Botërore të përdorura nga pushtuesi italian e gjerman, si dhe armë të përdorura nga lëvizja antifashiste shqiptare. Në vitrinat prej xhami janë të vendosura një sërë armësh, të lehta e të rënda të marra nga pavijoni ekzistues në muze, por edhe nga fondi i këtij institucioni. "Ekspozita është e konceptuar në disa pjesë. Janë ekspozuar armë të rënda (mitraloz, granatahedhës, automatikë, mjete të ndërlidhjes, pushkë automatike, por edhe revolverë të tipave të ndryshëm. Ndërkohë do të shfaqen edhe dy filma kronikalë, i pari është marrë në Arkivin Qendror të Filmit, janë xhirime të njohura të institutit "Luçe", që tregon nga pushtimi italian i 1 prillit deri në vitin 1944. Ndërsa tjetri është film dokumentar për Luftën e Dytë Botërore dhe situatën e krijuar në Europë", shprehet Enver Kushi, specialist i muzeut. Armët e ekspozuara janë trofe dhe nuk u përkasin drejtuesve të çetave apo brigadave partizane. Pjesë e kësaj ekspozite është edhe helmeta e mbushur me dhe të marrë nga kampi famëkeq i Mathauzenit, ku kanë qenë të burgosur e internuar dhjetëra e qindra shqiptarë. Kjo helmetë është sjellë nga Dhimitër Simoni, ish rob lufte në këtë kamp. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fillim të dhjetorit.