E Diel, 1 Nëntor 2026

Federata: Shpresojmë të mos ketë penalizime për klubet shqiptare

Pas konfirmimit për hapjen e hetimeve ndaj Vllaznisë dhe Tiranës, Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur përkrahjen e saj për UEFA-n. Shefi i zyrës së shtypit, Tritan Kokona, ka folur për bashkëpunimin me dy organizmat më të lartë të futbollit, duke thënë se të gjithë shpresojnë që dy klubet shqiptare të mos penalizohen. "Normalisht ne komunikojmë me institucionin europian të futbollit, UEFA dhe me institucionin botëror, FIFA dhe bashkëpunojmë me to. Jo vetëm që mbështesim çdo veprim të tyre, por edhe vetë Federata e Futbollit ka reaguar të paktën ndaj fjalëve të përhapura për mundësinë e trukimit të ndeshjeve në kupat e Europës. Sigurisht që ne e mbështesim hetimin që kryen UEFA për dy klubet shqiptare. Urojmë që mbas përfundimit të hetimeve dhe të marrjes së vendimit, këto klube të mos jenë të penalizuara, sepse kjo në radhë të parë prish imazhin e futbollit shqiptar dhe askujt nuk do t‘i vinte mirë që klubet më të njohura dhe më të vjetra të Shqipërisë, si Vllaznia dhe Tirana, të penalizohen", deklaroi Kokona. Por, nëse konfirmohet se bardheblutë dhe kuqeblutë janë fajtorë, nuk do të mungojë as qëndrimi i federatës. Zyrtari i FSHF-së theksoi: "Gjithsesi, në rast se në përfundim të hetimit do të vërtetohen se këto klube janë fajtore dhe do të ndëshkohen, edhe ne si federatë do të mbajmë qëndrimin tonë më të ashpër". Njoftimi nga Nioni ishte bërë që prej paradites së djeshme, ende pa u bërë publike shtatë ndeshjet ndaj të cilave kanë nisur hetimet. "Mënyra se si ne komunikojmë funksionon në mënyrë institucionale. Sot (dje) paradite ne jemi njoftuar nga institucioni europian i futbollit, i cili kishte vendosur që emrat e Tiranës dhe Vllaznisë t‘i bënte publike në drekë, në sajtin e saj zyrtar. Aty lajmi është publikuar diku rreth orës 15.00, ndërsa ne jemi njoftuar në mëngjes për këtë lloj hetimi që është hapur për dy klubet shqiptare, pjesëmarrëse në kupat e Europës, shtoi Kokona. Të dërguar të UEFA-s në Shqipëri? Momentalisht, gjëja e vetme zyrtare është se shtatë ndeshje do të hetohen. Më pas, sigurisht që UEFA do të vazhdojë të procedojë dhe të kërkojë të dhëna të tjera, të cilat do t‘i sigurojë nga klubet. Por, për momentin nuk kemi asnjë informacion për ardhjen e inspektorëve në Shqipëri". Në fund ai foli edhe për akuzat e Lushnjës, se Bylisi ka tentuar të korruptojë disa lojtarë, për të shitur ndeshjen: "Dy inspektorë të FSHF-së janë në Lushnjë. Ata do të kenë kontakte me drejtuesit e klubit, me futbollistët, por edhe me krerët e bashkisë dhe më pas hetimi do të shtrihet, duke dëgjuar edhe palën tjetër, pra në këtë rast Bylisin pas akuzave të hapura. Ne synojmë ta ruajmë futbollin, ta mbajmë pastër, ta zhvillojmë atë, në mënyrë që të jetë sa më i vërtetë dhe të kënaqë sa më shumë njerëz".

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›