Driant Zeneli dhe Andrea Scopetta në "White Project"
Ditën e shtunë, më 28 nëntor, do të çelet në galerinë "White Project" të Pescara-s në Itali, ekspozita e artistit shqiptar Driant Zeneli dhe italianit Andrea Scopetta. Ekspozita, e cila vjen në kujdesin kuratorial të Francesca Referza, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 janar të vitit 2010. Artisti shqiptar Driant Zeneli paraqitet në këtë ekspozitë me dy projekte. Njëri është një projekt fotografik i titulluar "Behind the sun", punim i vitit 2009 dhe tjetri një video e titulluar "This will be my space" vepër e vitit 2008. Në projektin e parë të realizuar nëpërmjet "Google maps" shihen dhe kalohen në mënyrë virtuale disa vende të fotografuara prej artistit. Imazhet e përcjella nga "Google street view" janë të fshehura (siç edhe e tregon titullin i veprës, "Pas diellit"). Në këtë kuptim drita kthehet në një hallkë lidhëse mes së shkuarës dhe së tashmes. Zeneli me qëllim ekspozon kthina e detaje nga vende të cilat goditen prej rrezeve të diellit, që krijojnë disa "pika boshe gri" duke e kthyer në këtë mënyrë imazhin në të pakuptueshëm. Ajo që regjistrohet, nuk është gjeografia e një vendi më shumë se sa njohja nëpërmjet një programi të vetëm. Ndërkaq punimi i dytë, videoja përcjell të gjithë njerëzit që kanë qëndruar në apartamentin e marrë me qira prej vetë artistit (një muaj para se ta linte atë). Ata janë xhiruar me telekamera të fshehura brenda shtëpisë. Dimensioni privat këtu gërshetohet me atë social, në një reflektim vendesh dhe mënyrën bashkëkohore të të jetuarit. Prej këtej vjen edhe melankolia e titullit ("Kjo do të jetë hapësira ime"): hapësira që në realitet asnjëherë nuk është tërësisht e tij. "Projekti nxjerr në skenë një situatë personale, një vajtje-ardhje situatash të ndryshme që e kthejnë një hapësirë të jetuar, të cilën tentojmë ta konsiderojmë tonën, në një lloj shkalle lëvizëse në të cilën janë të shumtë ata që kalojnë, por që askush nuk është i destinuar të ndalet", thotë Driant Zeneli. "Mekja ose lineariteti në kohën e organizimit politik" titullohet ekspozita e Andrea Scopetta-s, e cila është përqendruar më së shumti mbi refleksione mbi kohën dhe në mënyrë të veçantë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të shoqërisë njerëzore, karakterizuar nga jeta në komunitet dhe nga ligjet e politikës. I nxitur edhe prej studimeve moderne dinamike socio-politike, në punët e tij Scopetta sjell një interpretim të kohës jolineare, që lejon një vizion tërthor dhe të lirë të ngjarjeve (të shkuara dhe të ardhme). Një mendim vjen nëpërmjet tri veprave fotografike dhe dy video-instalacioneve.