E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e plotë, ja si Stresi ushtronte presion ndaj regjisorit Bombaj

SHKRUAN: Leonard Bakillari 30-05-2011 10:47

Tiranë- Një sërë personazhesh të botës së artit në kryeqytet, prej rreth një viti janë përfshirë në një histori të errët kurthesh e gjobëvënieje. Regjisori i njohur Leonard Bombaj për muaj me radhë është mbajtur nën presion nga “miqtë” e studentes së tij, ndoshta më të talentuar, pas akuzave të kësaj të fundit se profesori e dhunonte seksualisht. Ngjarja e rëndë ka si protagoniste një vajzë vetëm 15 vjeçe, e cila ka kallëzuar penalisht Bombajn për marrëdhënie seksuale me dhunë. Besimi i ofruar nga regjisori dhe fama që dita-ditës po merrte vajza 15-vjeçare, duket se nuk kanë qenë të mjaftueshme për të, pasi në kulmin e karrierës ajo ka ngritur akuzën e rëndë. Sikur të mos mjaftonte akuza për përdhunim, Bombajt i është dashur të përballet disa herë edhe me miqtë e 15-vjeçares, të cilët i kanë bërë presion dhe i kanë vendosur gjobë, që kjo histori të mos publikohej. Të paktën këto janë detajet e hetimit të kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda, burime pranë së cilës thanë se për rreth një vit janë verifikuar të gjitha pretendimet e ngritura si nga ana e vajzës, ashtu edhe nga regjisori Bombaj. Sipas hetimit, rezulton se akuza e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura nuk është provuar. Ka qenë kallëzimi i vajzës, “prova” e vetme për këtë akuzë, pasi nga të gjitha veprimet e tjera hetimore, organi i akuzës nuk ka mundur të gjejë qoftë edhe një element që mund të shkonte në favor të denoncimit. Prokuroria ka kryer verifikime në hotelin e pretenduar nga 15-vjeçarja, gjithashtu ka kryer edhe akt-ekspertim, sipas të cilit rezulton se deflorimi i saj ishte i vjetër. Në përputhje me provat e tjera, organi i akuzës ka vendosur të pushojë hetimet ndaj Bombajt për kallëzimin e bërë nga vajza 15-vjeçare, e cila duket se kishte njohje të hershme me regjisorin, për shkak të angazhimit të saj në programin që ai drejtonte. Por historia nuk është mbyllur me kaq. Gjatë kohës që prokuroria hetonte akuzat për përdhunim, miqtë e vajzës kanë ushtruar presion në mënyrë të vazhdueshme ndaj Leonard Bombajt, duke i kërkuar shuma të konsiderueshme parash që kjo histori të mbyllej. “Duhet të na japësh 200 mijë euro, që mos publikohet ky informacion” - mësohet se i janë drejtuar katër të rinjtë, tashmë në kërkim, regjisorit Bombaj. Takimi i parë mes tyre, ku e pranishme ka qenë edhe vajza 15-vjeçare, është realizuar në shtator të vitit të shkuar. Sipas deklarimeve të Bombajt, Arkimed Lushaj, i njohur si “Stresi” dhe një person që e shoqëronte atë, i ka kërkuar shumën e konsiderueshme të të hollave, duke i premtuar se kjo histori do të mbetej mes tyre. Të pakënaqur nga takimi, Lushaj dhe shoku i tij Relado Kurti pak ditë më vonë, në muajin shtator, kanë shkuar në banesën e Bombajt të shoqëruar sërish nga vajza 15-vjeçare. Teksa të dyshuarit kërcënonin regjisorin, vajza nuk ka ngurruar t’u shërbejë pije dy miqve të saj, duke treguar kështu se e njihte shumë mirë shtëpinë e profesorit të saj. I detyruar nga presionet, Bombaj ka nënshkruar para noterit akt-shitjen e automjetit të tij tip “Benz”, i cili ka kaluar në pronësinë e të rinjve, ndërsa pak ditë më pas makina është shitur në vlerën e 5 mijë eurove, edhe pse vlera e saj reale ishte dy herë më shumë. Po ashtu, i gjendur nën presion, ai u ka dhënë të rinjve shumën e 500 mijë lekëve, të cilat i ka tërhequr nga llogaria e tij bankare në një automat. Të gjithë këta elementë janë dokumentuar tashmë nga grupi hetimor i çështjes në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila ka kërkuar arrestimin e katër të dyshuarve për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›