E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e trafikut Go West, rrëzohet dënimi për ish-policin e Rinasit

TIRANE – Gjykata Kushtetuese rrëzon dënimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 4 vjet e 6 muaj burg dhe 400 mijë lekë të rinj gjobë ndaj shtetasit Eliano Canko, ish-polic në Rinas, për akuzat e falsifikimit të letërnjoftimeve, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit. Me anë të një vendimi të shpallur pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e ka gjetur me shkelje procesin e zhvilluar në ngarkim të Eliano Cankos, i akuzuar në dosjen penale të koduar me emrin “Go West”. Në këtë dosje u akuzuan një grup personash, të cilët me anë të falsifikimit të pasaportave dhe dokumenteve të tjera trafikonin njerëz nga Shqipëria në drejtim të 29 vendeve të ndryshme të botës. Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar të akuzuarin Canko me dhjetë vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë, por më pas, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka çmuar të ndryshojë cilësimin juridik të veprës penale, dhe me vendimin nr. 41, datë 09.07.2010, ka vendosur deklarimin fajtor të kërkuesit për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, duke e dënuar kërkuesin me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 400.000 lekë gjobë, si dhe prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes për veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal”; të “falsifikimit të dokumenteve”, të kryer më shumë se një herë e në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, më datë 21.12.2010, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga ishpolici i Rinasit, i cili më pas i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimi i Gjykatës së Apelit është kontradiktor dhe se Gjykata e Lartë ka vendosur pa marrë parasysh se Cankos dhe avokatit të tij gjykatat nuk i kishin dhënë në kohë vendimin e zbardhur, duke penguar ankimin e plotë për dënimin në fjalë. Shkelje tjetër konsiderohet edhe dënimi i dhënë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda për shpërdorim detyre, në një kohë kur kjo vepër penale nuk është kompetencë e kësaj gjykate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›