E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Vermahtit: Gjermanët ikën më 4 dhjetor nga Shqipëria

Historiani Bernd Fischer

Vjen në shqip libri dokumentar Shqipëria 1943-1945

Luftimet e fundit në Tiranë sipas oficerit gjerman dhe arratisja e prefektit Mulleti.

Raporti i të dërguarit amerikan, Xhekobs për Shqipërinë e vitit 1945.

Torturat në burgjet komuniste janë në modë

Edhe pse kanë kaluar 67 vjet nga çlirimi i Shqipërisë, historianët ende nuk e kanë zbardhur nëse vendi është çliruar më 28 apo 29 nëntor. Ka nga ata që mendojnë se kjo datë nuk ka fare rëndësi. Në lidhje me këtë çështje ka dëshmi nga më të ndryshmet, që gjithsesi nuk e zgjidhin përfundimisht. Së fundmi, historiani dhe studiuesi i njohur Bernd Fischer ofron një tjetër variant, sipas një raporti final të Vermahtit për pushtimin në Shqipëri, gjermanët janë larguar në datën 4 dhjetor, pra as në 28 e as në 29. Këtë dokument Fischer na e ofron përmes librit Shqipëria 1943-1945, një botim i Institutit shqiptar për studime ndërkombëtare, të cilin e promovoi pak ditë më parë në Universitetin Europian të Tiranës. Në këtë libër Fischer ka preferuar të lërë dokumentet të flasin. Libri mbështetet në dy dokumente kryesore, të pabotuara më parë: në raportin final të Vermahtit gjerman në Shqipëri, shkruar nga një zyrtar gjerman në pranverën e vitit 1945 dhe një Raport dokumentar me një përmbledhje plotësuese mbi përfundimet dhe rekomandimet në lidhje me njohjen e QEVERISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, përgatitur nga misioni special i Departamentit të Shtetit në Shqipëri, me J. E. Xhekobs (Jacobs), që ishte kreu i misionit. Raporti final gjerman është unik në shumë drejtime dhe jo pak edhe nga fakti që është shkruar nga një oficer i panjohur, pjesëtar i grupit të drejtimit në selinë e Vermahtit në Berlin, me sa duket në shkurt apo mars të vitit 1945. Kryeqyteti i dënuar ishte sigurisht nën sulmet e vazhdueshme ajrore, pasi ushtritë aleate po i afroheshin nga lindja dhe nga perëndimi. Me sa duket, i papenguar nga rënia e afërt dhe tanimë e pashmangshme e Rajhut, oficeri gjerman përgatiti një histori të shkurtër, të mrekullueshme, me pesëdhjetë faqe, të pushtimit gjerman të Shqipërisë, duke ndërthurur statistikat e gjalla me analizën, thotë Bernd Fischer në hyrje të librit të tij. Është një raport jo shumë i gjatë, por me shumë detaje. Ndërsa ai amerikan është më i plotë, më i gjatë. Në të Xhekobsi rekomandonte që Shtetet e Bashkuara të njihnin regjimin e Hoxhës. Megjithatë, Departamenti i Shtetit nuk i pranoi rekomandimet e tij dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të merrnin fund këtu, për tu ringritur pas 46 vjetësh. Nga sa shihet në këtë raport, autori është treguar shumë i kujdesshëm, madje duket se shpreh vlerësime për udhëheqjen e re. Por Xhekobsi ishe i gatshëm edhe për të qenë kritik ndaj regjimit që krijoi Hoxha. Ai vë në dukje frikën që ngjallnin komunistët, përfshi edhe paralajmërimet ndaj individëve të caktuar, që në atë kohë vizitonin shumë shpesh shtëpitë e zyrtarëve amerikanë dhe britanikë. Ai komentonte kushtet e tmerrshme nëpër burgje dhe përdorimin e torturës. Gjyqet po përdoreshin si për të dhënë drejtësinë e vërtetë kundër kolaboracionistëve, por edhe si një armë kundër kundërshtarëve politikë, duke kryer edhe ekzekutime të fshehta, thotë Fischer. Më poshtë kemi veçuar disa pjesë nga të dyja raportet e publikuara në librin Shqipëria 1943-1945.

Raporti përfundimtar i Vermahtit gjerman në Shqipëri (1945)

Evakuimi i Shqipërisë së Jugut
Nga shtatori e në vijim, situata u përkeqësua edhe më shumë. Meqenëse Shqipëria e Jugut nuk nevojitej më tej për evakuimin e trupave gjermane nga Greqia, ajo u braktis gradualisht. Rreth 17 tetorit, trupat gjermanë ishin tërhequr në një vijë ndërmjet Kavajës dhe Beratit.
Situata në kryeqytet
Megjithëse pavarësisht luftimeve ishte akoma e mundur për ti zhvendosur trupat në Tiranë sipas planit, tensioni shpërtheu edhe këtu. Nga fundi i gushtit e më tej, të gjitha grupet e armatosura dukej se tërhiqeshin si me magnet drejt kryeqytetit. Dukej se i priste një fitore e lehtë, mbi të gjitha sepse çorganizimi i autoriteteve qeveritare ishte veçanërisht i dukshëm këtu. Të gjitha postet drejtuese në administratën shqiptare duhej të plotësoheshin urgjentisht. Prefekti Mulleti, një figurë krejtësisht e paparashikueshme dhe e dyshimtë, e kishte braktisur detyrën e tij dhe ishte larguar për në Gjermani. Zëvendësi i tij, Pekmezi, refuzohej nga ata që njiheshin si komunistë. Gjatë rrethimit të Tiranës, ai ndërroi palë dhe u bashkua me grupet e armatosura. Pas ikjes së Fortuzit në Italinë e pushtuar nga forcat armike, posti i bashkiakut të Tiranës iu dha dikujt që ishte krejtësisht i paaftë. Me qëllim që të ruhej një përshtypje rendi publik, grupi i administrimit propozoi shkrirjen e postit të prefektit dhe bashkiakut, dhe kalimi i postit të ri prefektit të Vlorës, i cili, për parantezë, kishte forcat e tij luftuese prej rreth 500 burrash që kishin qenë mjaft të suksesshëm në luftimet e terrorit komunist në Vlorë. Nëse për çdo arsye Resilia nuk do të ishte i disponueshëm, prefekti i Durrësit propozohej si mundësi e dytë. Për arsye që ne nuk i kuptuam, Gstotenbauer u trajtoi këto sugjerime në mënyrë neglizhuese dhe ua doli pak a shumë ti sabotonte ata. Gstotenbauer dhe Gruperfyhreri Fitthum vendosën për një komitet mbrojtës me tre persona për Tiranën, gjenerali Fon Myrdaks, Pekmezi dhe drejtori i forcave shqiptare të sigurisë. Fatkeqësisht, ky komitet nuk ishte në gjendje të bënte gjë kur Tirana u rrethua dhe u bllokua, sepse gjenerali 70- vjeçar Fon Myrdaks shumë shpejt u kap nga grupet e armatosura, shefi i forcave të sigurisë kishte ikur në Shkodër në këtë kohë, dhe Pekmezi dezertoi për tek grupet e armatosura pasi kishte nuhatur dhe mësuar mjaft rreth pozicioneve, forcës dhe taktikave të trupave gjermanë.
Më 27 tetor, para kryengritjes në Tiranë, shtabi i korpusit u largua nga qyteti si pjesë e evakuimit të përgjithshëm dhe u zhvendos në Shkodër.
Dorëheqja e detyruar e qeverisë dhe Këshillit të Regjencës
Një ditë para se të largoheshin, shefi i shtabit të Korpusit 21 malor të ushtrisë, me kërkesë të komisionerit të posaçëm të Ministrisë së Punëve të jashtme, e detyroi qeverinë e Biçakut (Biçakçiu) dhe Këshillin e Regjencës që të paraqisnin dorëheqjen e tyre. Kjo u bë pa dijeninë e kreut të zyrës së administrimit, grupi i administrimit nuk mban përgjegjësi për këtë akt politik, që ishte në mospajtim të hapur me politikën e mëparshme të respektimit me rigorozitet të neutralitetit të Shqipërisë. Në zbatimin e saj nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, kjo politikë ishte e diskutueshme më së paku, dhe si rrjedhojë praktike; Kjo vetëm sa e përshpejtoi kaosin në Tiranë dhe Shqipërinë Qendrore. Për sa u përket formaliteteve, ky akt politik solemn, i cili përbënte një ndryshim të plotë përfundimtar në politikën gjermane ndaj Shqipërisë, u krye në mënyrë aq të pakujdesshme, saqë dokumenti ligjor zyrtar në gjuhën shqipe i dorëheqjes së Këshillit të Regjencës as që nuk u përkthye në gjermanisht nga ndonjë përkthyes. Gjithçka që morëm, ishte një përkthim i sipërfaqshëm në gjermanisht i bërë nga Frashëri i ri. Më pas, gjatë evakuimit, Vehbi Frashëri na tregoi se versioni origjinal në shqip i dorëheqjes, në paragrafin në fjalë, ishte i paqartë dhe krejtësis

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›