E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e Kishës së Shën Prokopit

Nuk kanë kaluar shumë ditë, qëkurse hulumtuesi Valter Gjoni ka nxjerrë nga botimi librin e tij Gjurmime historike në Parkun e madh të Tiranës. Në këtë libër, Gjoni ofronte informacione dhe fotografi mbi të gjitha objektet, qofshin këto ndërtesa, përmendore, varre, të cilat ruhen ose janë zhdukur me vitet, në zonën e Parkut të madh të Tiranës. Ndër këto objekte, ai trajtonte edhe Kishën e Shën Prokopit, të cilën e datonte qysh në vitin 1780. Sipas Gjonit, pas shembjes së saj në vitin 1937, ajo u ringrit në vendin aktual në vitin 1939 nga italianët dhe më konkretisht me të është marrë Gherardo Bosio. Ndërkohë, arkitekti Pavllo Luarasi pretendon se e vërteta e kësaj kishe qëndron ndryshe. Sipas tij, është i ati, arkitekti i njohur Skënder Luarasi, që ka realizuar projektin e saj. Kisha e Shën Prokopit është ndërtuar gjatë vitit 1941 me iniciativën e imzot Kristofor Kisit, i cili ishte në atë kohë kryepeshkop i Shqipërisë, me ndihmën financiare të qytetarëve të Tiranës. Projekti është hartuar nga ing. Arkitekt Skënder Luarasi dhe zbatuar nga kompania italiane Impreza Luca Milano me punëtorë dhe specialistë të gjithë shqiptarë, thotë Luarasi. Sipas tij, ky informacion dëshmohet edhe përmes një pllake të gdhendur, të cilën e disponon familja Luarasi dhe që tashmë i është dhuruar Kishës Ortodokse në Tiranë. Disponoj dhe shumë fotografi të babait tim duke punuar pikërisht mbi këtë projekt dhe të objektit gjatë ndërtimit, thotë Luarasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›