Hiqeshin si roje parkingu, dy në pranga se vidhnin makinat
TIRANE – Dy adoleshentë janë arrestuar mëngjesin e djeshëm në Tiranë, gjatë një operacioni të Komisariatit Nr.1. Burime nga Policia thanë se të arrestuarit janë 17- vjeçari Olsian Çiku dhe 16- vjeçari Klodian Çollaku. Ata akuzohen për të paktën 4 vjedhje kasetofonash automjetesh, të kryera në territorin e Komisariatit Nr.1 dhe Nr.2. Dy të dyshuarit qëndronin vazhdimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në një vend pranë hotel “Dajti” dhe u prezantoheshin drejtuesve të automjeteve si roje parkingu. Por në momentin që shoferët u jepnin çelësat e makinës për t’ua parkuar, ata vidhnin kasetofonin, si dhe sende të tjera që gjenin brenda në automjet. Vjedhjen e fundit e kanë kryer dy ditë më parë, pasi kanë parkuar një automjet me targë TR 1100 K, në të cilën kanë vjedhur kasetofonin. Ngjarja ka ndodhur pranë hotel “Dajtit” dhe është denoncuar në polici nga pronari i automjetit. Ndërkohë në polici ishin denoncuar edhe 3 raste të tilla vjedhjesh, ku autorët përdornin të njëjtin mashtrim për drejtuesit e makinave. Edhe ditën e enjte, më 28 mars, një kallëzim i ngjashëm është regjistruar në Komisariatin Nr.2. Madje policia arriti të ndalojë njërin prej autorëve të dyshuar, Olsian Çikun, por u vendos që të hetohej në gjendje të lirë. Ai u denoncua nga shtetasi Xhorxh Borshi, i cili tregonte se në rrugën “Ismail Qemali”, në automjetin e tij “Benz”, me targë AA 717 Ç i kanë marrë një valixhe rrobash, ku brenda ka pasur një kostum, një palë xhinse dhe një palë këpucë. Gjithashtu në kallëzim ai ka treguar se dyshon se vjedhjen e ka kryer roja i parkingut, shtetasi Olsian Çiku, banues Babrru, që në fakt nuk ishte roje, por prezantohej si i tillë, duke mashtruar. Pasi u shoqërua dhe u mor në pyetje, pas konsultimit me prokurorinë u vendos që ai të hetohej në gjendje të lirë, për shkak të moshës. Por mëngjesin e djeshëm, policia e Komisariatit Nr.1 arriti të kryejë arrestimin e Çikut dhe të bashkëpunëtorit të tij, Klodjan Çollaku.