Plagoset me katër plumba 30-vjeçarja
Plagoset me 4 plumba pistolete një 30- vjeçare në qytetin e Laçit. Blerta Islamaj, me origjinë nga Gjirokastra dhe banuese në Tiranë, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, si pasojë e ngjarjes së shënuar rreth orës 15:30, në hyrje të qytetit. Sipas Policisë së Lezhës, Islamaj gjendej në këtë qytet bashkë me dy shoqe të saj, ndërsa deklaron se plagosja ka ardhur pas një konflikti mes vajzave dhe dy djemve. Shkaqet që sollën këtë konflikt të përgjakshëm, sipas Policisë, nuk dihen ende, pasi dhe dëshmitë e marra nga dy shoqet e 30-vjeçares kanë qenë në disa fragmente kontradiktore mes tyre. Ajo që deklarohet zyrtarisht është se Islamaj ka udhëtuar dje drejt Laçit në një makinë “Benz”, të drejtuar nga njëra prej shoqeve të saj. Në hyrje të qytetit të Laçit, në rrugën kryesore të tij, pas një debati mes dy personave që nuk janë identifikuar akoma, njëri prej djemve ka nxjerrë një armë pistoletë, duke qëlluar nga makina e vajzave nga Tirana. Të paktën katër herë është qëlluar në drejtim të makinës, duke zënë në trup dhe këmbë pasagjeren 30-vjeçare, Blerta Islamaj. Dy vajzat e tjera kanë shpëtuar paq, ndërsa drejtuesja e mjetit ka manovruar me shpejtësi, duke u shpëtuar pasojave më të rëndë. Ato kanë dërguar të plagosurën në spitalin e Laçit, ku mjekët konstatuan dhe gjendjen kritike të saj, duke bërë transportimin me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia e Kurbinit dhe ajo e Lezhës mbërritën me shpejtësi në vendin e ngjarjes e pas verifikimeve aty, morën në pyetje dy dëshmitaret. Sipas burimeve të Policisë, vajzat kanë qenë kontradiktore fillimisht në dëshmi e më pas kanë deklaruar të dyja se ngjarja ka ndodhur për shkak të një tentative grabitjeje, duke u kthyer nga kisha e Shën Ndout. Ato kanë treguar se dy persona, me moshë të vogël, të mbuluar me kapuç dhe të armatosur, u kanë dalë para, në momentin kur po zbrisnin nga kisha dhe kanë tentuar t’u rrëmbejnë makinën. Ndërsa tentonin të largoheshin me shpejtësi, një prej tyre u ka qëlluar disa herë, duke lënë të plagosur Blerta Islamajn. Gjatë pyetjeve mbi vendndodhjen e të plagosurës, burime të Policisë konfirmojnë se shoqet e saj kanë thënë herë se ajo ndodhej në timon, e herë se ishte pasagjere në makinë. Mjeti është bllokuar në cilësinë e provës, ndërsa në Komisariat janë shoqëruar 3 persona si të dyshuar. Në vendin ku u regjistrua plagosja, grupi hetimor gjeti një paketë si dhe cigare, të cilat janë bllokuar bashkë me gëzhojat e armës në cilësinë e provës materiale. Pritet që dëshmia kyçe për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të merret nga vetë e plagosura Blerta Islamaj, sapo ajo të kalojë gjendjen kritike.
Vëllai i Blertës: Motra ime po kthehej nga kisha kur u qëllua
Martin Islamaj flet nga Spitali UshtarakSpitali Ushtarak
Orë kritike për jetën e Blerta Islamajt. E shtruar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ajo u është nënshtruar dje dy ndërhyrjeve kirurgjikale për të hequr plumbat, ndërkohë që edhe dy operacione të tjera e presin… Por, para se të hynte në sallë, ajo i ka dëshmuar gjithë ngjarjen të vëllait, Martinit, i cili e rrëfen për gazetën “Panorama”.
Si është gjendja shëndetësore e motrës suaj?
E rëndësishme është që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, ajo vijon të ketë edhe dy plumba në trup.
Sa plumba ka marrë gjithsej?
Fillimisht u identifikuan tre, ndërsa pas ekzaminimeve rezultuan katër. Dy që ishte në krah dhe në këmbë i janë hequr pas dy operacioneve të njëpasnjëshme. Më vonë, ose nesër, do të operohet sërish për të hequr plumbat e tjerë që i ka në shputën e këmbës dhe në shpatull.
A e di se si u qëllua?
Me aq sa mundi të tregojë, më tha që kanë qenë duke zbritur nga Kisha e Laçit, bashkë me tri shoqe të tjera. Rrugës u kanë dalë dy djem, që ua kanë bërë me shenjë që të ndalojnë, por vajzat nuk kanë ndaluar. Ato i kanë dhënë gaz makinës për t’u ikur, por në çast dy djemtë kanë shkrehur me breshëri një armë.
Këta djem, a njiheshin me motrën tuaj, ose me ndonjërën prej shoqeve të saj?
Jo, me asnjërën. Sipas përshkrimit, dy djemtë ishin adoleshentë. Njëri diku te 18-19 vjeç, i gjatë. Ndërsa tjetri u është dukur më i vogël në moshë dhe rreth 1.50 centimetra.
A kanë biseduar me këta djem ndonjëra prej tyre?
Nuk ka pasur asnjë lloj bisede, përveç shenjës me duar për të ndaluar. Pas refuzimit, ata kanë qëlluar direkt dhe më pas janë larguar me vrap.
Motra juaj ishte shofere?
Jo, Blerta ka qenë në sedijen e pasme. Atë që vjen pas vendit të parë të pasagjerit.
Po makina, çfarë marke është dhe a i përket motrës suaj?
Nuk është e motrës sime makina. Me sa di unë, është e shoqes së saj. Një “Mercedes” ngjyrë gri. Vitin e prodhimit nuk e di.
