E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e vitit, Damir Fazlliç, njeriu hije i familjes kryeministrore

Nga Tema

Gazeta TemA botoi në vitin që po lëmë pas një nga dosjet më të bujshme korruptive në historinë e shtetit shqiptar. Një sekser serbo-boshnjak, i quajtur Damir Fazlliç kishte arritur falë miqësisë me kryeministrin, të krijonte një perandori mashtrimes e abuzimesh në Shqipëri, duke u bërë shpejt objekt i hetimit të prokurorisë.

Në fillim të gushtit, gazeta publikoi të dhëna në lidhje me Fazlliç dhe implikimin e tij në trafiqe. I lidhur familjarisht me njeriun e shërbimeve sekrete të Millosheviçit, dhe i akuzuar për përfshirje në atentatin fatal ndaj kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç, fijet e tij kriminale shtriheshin në gjithë rajonin. E fundit kishte ngelur Shqipëria. Por, denoncimi i bërë nga gazeta TemA, fillimisht mbeti jetim, duke mos u përkrahur nga mediat e tjera.

U desh arrestimi i tij pak muaj më vonë, që në vend të shpërthente skandali. TemA kësaj radhe ishte e para që ofroi informacion të plotë mbi përfshirjen e Fazlliç në aferën e pastrimit të parave, ndihmuar nga e bija e kryeministrit, dhe nga kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Kupola plotësohej qartësisht. Fazlliç kishte nisur një aktivitet sapo PD erdhi në pushtet, dhe e kishte vijuar mbi bazën e abuzimeve. Pastrimit të parave iu shtuan të tjera akuza të bëra publike nga gazeta TemA. Fijet lidhnin Fazlliç me kryeministrin shqiptar nga njëra anë e nga ana tjetër ato shtriheshin në Serbi, të njerëz të qeverisjes së Millosheviçit. E fundit në listën e aferave të publikuara nga TemA, ishte ajo e shitjes së energjisë firmës serbe RUDNAP.

Reagimi i kryeministrit në mbrojtje të Fazlliç ishte i fortë. Fillimisht ai lëshoi një lumë akuzash ndaj atyre që publikonin fakte për të, e më pas e solli në Shqipëri, dhe me polici e mbrojti nga prokuroria, e cila kërkonte ta merrte në pyetje.

Dosja Fazlliç, e cila ka tronditur rëndë besimin tek pastërtia e kryeministrit tashmë është drejt plotësimit nga prokuroria, e cila pritet ta thërrasë atë si të pandehur. Kurse vetë Fazlliç, i gjendur në këtë situatë, nën ndikimin e njerëzve të kryeministrit ka lëshuar pareshtuar kërcënime, që prej nga forma duken qesharake ndaj gazetës TemA.

Prokuroria ka deklaruar tashmë në gjykatë se disponon provat e forta se Fazlliç ka kryer pastrim parash dhe se ka kapur disa transferta të dyshimta të tij.

Më poshtë vijon një kronologji e historisë së denoncimit të këtij sekseri në gazetën TemA.

10 gusht

Njeriu “hije” i Berishës, trafikant ndërkombëtar armësh

Trafiku i armëve që kulmoi me shpërthimin në bazën “fantazmë” të Gërdecit, ka lënë disa gjurmë domethënëse në Bosnjë-Hercegovinë. Gazeta “TemA” ka mundur të konsultojë burime të mirinformuara, të cilat kanë bërë me dije se Bosnjë-Hercegovina ka qenë realisht streha dhe kërthiza e gjithë operacioneve të trafikimit të armëve me bazë Shqipërinë. Disa muaj para dekonspirimit të këtij trafiku (si pasojë e shpërthimit në Gërdec), disa agjenci të inteligjencës kanë raportuar se ngarkesat me bazë Shqipërinë në pjesën dërrmuese të tyre porositeshin nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa destinacionet kanë qenë kryesisht për në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Në trekëndëshin Shqipëri-Bosnjë-Destinacion, shërbimet e huaja të inteligjencës kanë spikatur praninë dhe kontaktet e vazhdueshme të shtetasit boshnjak Damir Fazlliç me aktorët kryesorë këtij trafiku.

Në Shqipëri është folur dhe shkruar shumë pak (thuajse fare) për rolin dhe angazhimin e boshnjakut Fazlliç në krah të kryeministrit Berisha. Fazlliç u bë shumë aktiv nga mesi i vitit 2005 në Shqipëri, ndërsa u njoh me kreu e PD, Berisha, në Uashington, ndërsa ky i fundit shkoi të lidhte marrëveshjen me kompaninë e lobingut BG&R. Roli i Fazlliç në PD dhe në marrëdhënie me Berishën mori një tjetër dimension, kur Fazlliç pas fitores së PD filloi të negociojë në emër të pushtetit të ri disa kontrata, ku përfshihen infrastruktura, energjia dhe Telekomi. Vetë Fazlliç ka qenë i angazhuar me këtë firmë si pasojë e njohjes së tij të hershme me përfaqësuesin ekzekutiv për Evropën Juglindore (të kompanisë BG&R). Fazlliç më pas luajti një rol misterioz në prishjen e marrëveshjes së BG&R me qeverinë e Kosovës lidhur me lobingun për pavarësinë dhe kalimin e kësaj kontrate me palën serbe në shenjë presioni. Ai u bë shkak për një çarje të madhe brenda BG&R. Krahu ekzekutiv i Leni Grifer mbështeti Fazlliç dhe iu afrua palës serbe për lobim, kurse një pjesë e stafit të BG&R që kishin punuar me PD në Shqipëri u larguan, pasi nuk pranuan që në të njëjtin rajon të punonin me të dy palët, dhe me serbët, dhe me shqiptarët. Në këtë histori Damir u lidh fort me Lulëzim Bashën. Ai ishte njeriu që e përkrahu në emër të qeverisë shqiptare, hapi bashkë me kunatin e tij një zyrë konsulence të paregjistruar në Tiranë dhe u bë sekseri kryesor i kontratave të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Roli i Fazlliç si “ambasador” i lobingut për Partinë Demokratike u konfirmua, sidomos kur ai mundësoi ardhjen e amerikanit Tom Ridge në vitin 2006 në Shqipëri si këshilltar të kryeministrit Berisha. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se zoti Fazlliç ruan ende një miqësi të fortë me kryeministrin Berisha, ndërsa të njëjtën miqësi ndajnë dhe dy fëmijët e kryeministrit me z. Fazlliç. Fazlliç po ashtu ka luajtur një rol misterioz në zgjedhjet lokale në Tiranë, në vitin 2007. Disa njerëz afër tij çuan në gazetën “Shekulli” një raport fals mbi lidhjet e Olldashit me grupe kriminale në Shijak, që ishte kryekëput një shpifje dhe Fazlliç nuk i raportoi Berishës për këtë. I njëjti njeri i afërt i Fazlliç, i cili në atë kohë ishte dhe këshilltar i Berishës, provokoi disa shkrime te “Gazeta Shqiptare” dhe “Panorama”, në të cilat citoheshin sondazhe të pabëra rreth gjendjes së kandidatëve në Tiranë. Fazlliç e vrojtonte këtë luftë dhe mbështeste idenë që Bashës i duhej pastruar rruga drejt pushtetit, duke sabotuar fushatën e Olldashit.

Përveç “gjurmëve” që ka lënë në kontaktimet e krerëve shqiptarë të trafikut të armëve në Bosnjë, Fazlliç është bërë objekt edhe i një dëshmie publike të një biznesmeni serb (bosi i firmës “RUDNAP”), ku jo rastësisht duket se përmendet dhe emri i mikut të tij amerikan, Tom Ridge. Rreth gjashtë muaj më parë, biznesmeni serb, Vojin Lazareviç, ka dëshmuar për një televizion boshnjak lidhur me atë që u etiketua si darka sekrete. Kjo dëshmi e Lazareviçit ka bërë xhiron e botës pas hedhjes së saj në internet (në adresën: youtube.com/watch?v=uSGMOaNQ_Tk). Lazareviç ka pohuar se ka qenë në shoqërinë e pronarit të restorantit, Farudin Radonica, kryeministrit federal të Bosnjë-Hercegovinës, Nexhat Brankoviç, shefit të policisë sekrete të Bosnjës Almir Dzhuvo, lobistit amerikan, Tom Ridge dhe shtetasit boshnjak, Damir Fazlliç. I pyetur nga gazetarja e televizionit lidhur me këtë takim, biznesmeni Lazareviç ka pohuar se në këtë darkë “u diskutua për mundësinë e tregtimit të armëve dhe për rishitjen e energjisë elektrike për Bosnjë-Hercegovinën”, ndërsa ka theksuar se sektori energjitik është fusha kryesore e operimit të kompanisë së tij. Dëshmia e biznesmenit Lazareviç përbën një komponent të rëndësishëm lidhur me fushëveprimin dhe aktivitetin e z. Fazlliç, ndërsa statusi i kompanisë që ai drejton duket se i jep një dimension edhe më serioz dëshmisë së tij. Pozita gjeo-financiare e grupit “RUDNAP” është një nga më të fuqishmet në rajon. Lazareviç është bosi i kësaj kompanie, e cila ka asete prej qindra miliona dollarësh thuajse në të gjitha kontinentet. “RUDNAP” ka korrur fitime shumë të mëdha që prej viteve ‘90, ndërsa përveç investimeve në energjitikë, tregtinë e metaleve dhe real-estate, kjo firmë ka luajtur rolin e saj edhe në tregtinë e armëve. Një raport i ‘Amnesty International’ ka përmendur angazhimin e kësaj firme në dërgimin e një ngarkese me lëndë të lëngshme ushtarake drejt Iranit në vitin 1993. Por kjo firmë është listuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999 si pjesë e kompanive që do të trajtoheshin me embargo si pasojë e rolit të saj në furnizimin dhe ndihmën që jepte ndaj qeverisë serbe gjatë konfliktit në Kosovë.

11 gusht

Miku boshnjak i Berishës, i lidhur me klanin e Zemunit

Damir Fazlliç rezulton me një dosje shumë voluminoze të bashkëpunimeve të tij me personazhe të njohur të botës së krimit. Mediat më serioze të Bosnjë-Hercegovinës kanë raportuar lidhur me aktivitetin në vite të zotit Fazlliç, ndërsa ai spikat në një lidhje shumë serioze me bazë Beogradin. Sipas mediave boshnjake, “Dani” dhe “Slobodna Bosnia”, Fazlliç së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes të Bosnjës, Hasan Çengiç, janë marrë në pyetje pas të dhënave se ata mund të kishin fshehur vrasësin (Milorad Ulemek, “Legija”) e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç.

Autoritetet serbe ishin të sigurta se Fazlliç mund të kishte gisht në fshehjen e komandantit “Legija”, duke qenë se ai kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me të. “Kur Fazlliç mendoi të ndërhynte në privatizimin e një fabrike duhani në Serbi, bosi serb i cigareve në Ballkan, Stanko Subotiç, i acaroi shumë marrëdhëniet me Fazlliç. I frikësuar Fazlliç i kërkoi ndihmë komandantit “Legija”, i cili ndërhyri dhe e zgjidhi problemin mes tyre”, -shkruanin asokohe gazetat boshnjake, të cilat iu referoheshin burimeve policore. Në vitin 2003 shefi i policisë sekrete të Bosnjës, Almir Dzhuvo, në një raport konfidencial (që më pas u botua në mediat boshnjake), pretendonte se Fazlliç kishte lidhje të fuqishme me klanin e Zemunit (rrethi i biznesmenëve dhe ushtarakëve që rrethonin Millosheviçin), ndërsa katër vite më vonë (2007), duket se Fazlliç i zgjidhi problemet e veta, pasi biznesmeni serb, Vojin Lazareviç, konfirmoi takimin që kishte bërë me Fazlliç, si dhe me shefin e policisë sekrete dhe personazhe të tjerë, ku ishte folur për armët dhe investimet në energjitikë.

E kaluara e “sekserit të Ballkanit”

Damir Fazlliç është lindur në vitin 1975 në Vishegrad. Sipas gazetës “Slobodna Bosnia”, në vitet ‘90 ai emigroi me familjen në Londër, ku u vu në kontakt më pas edhe me Xhorxh Barsbi-n, një agjent londinez i MI6-ës, i cili më pas u vendos në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd. Sipas kësaj gazete, Fazlliç i shfrytëzoi lidhjet e tij angleze për të fituar miqësinë e njerëzve të pushtetshëm në Beograd si Vuk Jeremiç apo Boris Tadiç. “Një prej arritjeve të tij të para si një përkthyes në moshë të re, ishte shitja e Telekomit serb dhe e kompanisë “NATËEST”, ndërsa negociatat u kryesuan nga ish-Sekretari anglez për Marrëdhëniet me Jashtë, Dagllas Hërd. Aktualisht, Fazlliç është në Bosnjë-Hercegovinë dhe është lidhur fuqishëm si ndërmjetës për tregtinë e armëve”, - shkruante “Slobodna Bosnia” në vitin 2005. Më tej kjo gazetë ka paraqitur edhe të dhëna të tjera lidhur me një numër të madh operacionesh financiare, ku Fazlliç ka lënë gjurmët e tij. Tregtia e armëve dhe privatizimet duket se kanë qenë “pjata e preferuar” e Fazlliç, ndërsa “Slobodna Bosnia” shkruan se, “sipas disa burimeve ai është një ndër njerëzit më të korruptuar me më shumë lidhje dhe nga më intrigantët në Ballkan”. Kjo gazetë thekson dhe aktin se Damir Fazlliç ka një lidhje të trashëguar miqësie familjare me Jovica Stanisiç. “Fazlliç kishte “rekomandime të mira” nga Stanisiç si pasojë e miqësisë së hershme mes Stanisiç dhe së ëmës së Fazlliç, Jovanka”, - shkruan “Slobodna Bosnia”, e cila edhe njëherë nxjerr në pah lidhjet e fuqishme të Damir Fazlliç me klanin e Millosheviçit, duke qenë se Stanisiç ishte numri 2 i pushtetit të kohës së Millosheviçit.

5 tetor

Ortakja e Argitës, Flutura Kola, pagoi 1,75 milionë euro nga Qipro për Damir Fazlliç

Damir Fazlliç, shtetasi boshnjak i ndaluar në Bosnjë në prani të komandantit boshnjak të Srebrenicës, Otiç, këshilltari më konfidencial i kryeministrit, Sali Berisha, ka biznese të përbashkëta ose në bashkëdrejtim me njeriun e familjes së Lulëzim Bashës dhe ka bërë transferta të dyshimta parash nga Qipro në Tiranë me ndihmën e bashkortakes së Argita Berishës.

I lidhur fort me Lulëzim Bashën Fazlliç krijoi javën e parë të pushtetit të PD brenda dy ditëve tri kompani, me statut të njëjtë, seli të njëjtë dhe administrator të njëjtë. Selia ishte shtëpia e vjehrrit të Lulëzim Bashës, statutet janë të gjitha tipike, me aktivitet të përgjithshëm tregtar dhe administrator i të gjithave është Erion Isufi, kunati i vetëm i Lulëzim Bashës. (Vëllai i gruas së tij).

Nga të tri këto kompani, “Crown Acquisitions” ka pasur më shumë fat. Ajo mori niptin për konsulencë tregtare dhe u regjistrua në tatime. Siç shihet dhe nga faksimilet, ajo nuk ka bërë asnjë aktivitet tregtar në Shqipëri deri në vitin 2007. Ka marrë rregullisht gjoba nga sistemi i tatimeve, dhe nuk ka vrarë mendje të shkojë të bëjë ndonjë deklarim atje. Siguria e pushtetit i ka dhënë krah.

Rasti fatlum është paraqitur në një periudhë shumë të dyshimtë. Në maj të vitit 2007, Damir Fazlliç vendos ta shesë këtë kompani te një kompani qipriote. Shuma është marramendëse, 1 milion e 750 mijë euro. Dhe kjo në një kohë kur kompania nuk ka asnjë kapital financiar dhe asnjë aset në formën e pasurive të paluajtshme. I vetmi ndryshim ishte se kishte ndërruar zyrat me qira nga lagjja e vjehrrit të Lulëzim Bashës te dy kullat në bulevard së bashku me kunatin e Lulëzim Bashës.

Në maj të vitit 2007, pronari Fazlliç dhe administratori Erion Isufi vendosin ta shesin kompaninë te një kompani qipriote. Shitja u krye zyrtarisht më datën 9 korrik 2007, me vendim gjykate, nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Doga për llogari të një firme të regjistruar në Nikozia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”.

Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, bashkëpronare e studios “Kola& Malltezi”. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007 (kohë në të cilën administrator ishte z. Isufi), ndërsa avokatja Kola më datën 20 qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “Crown Acquisitions” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës.

Por në tatime zbuluam se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliç. Madje të dhënat nga tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Firma nuk kishte asnjë aset dhe nuk ka paguar kurrë ndonjë detyrim tatimor, madje nuk ka paguar as 10 përqindëshin e TVSH për kontratën e shitjes

Flutura Kola ka filluar të operojë në fushën e avokatisë dhe konsulencës që prej 8 tetorit të vitit 2005, datë në të cilën, zonja Kola së bashku me juristen tjetër, zonjën Argita Malltezi, regjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi&Kola”. Megjithatë, praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën datë (15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere (zonja Flutura Pustina, shoqe e tyre, gruaja e Andi Tomës, drejtor i Rrugëve), për të regjistruar dy firma konsulence më vete. Për pasojë, u formuan dy firmat “Malltezi& Associates” si dhe “Kola&Associates”. Ndonëse dy ortaket filluan të operonin më vete, ato ndajnë të njëjtën zyrë që kanë deklaruar se kanë blerë bashkë, ekzaktësisht në të njëjtin apartament në adresën: “Rruga e Barrikadave”, Pall. Ndërtim Vila, Ap. 7.

Akti i shitjes është depozituar në QKR, por jo në tatime. Paratë janë marrë, por tatimi nuk është paguar. Nuk dihet në ç’mënyrë është bërë pagesa, cash ose me çek, por e sigurt është se ajo është përdorur për të sjellë 1 milion e 750 mijë euro nga Qipro në Tiranë.

7 tetor

Fazlliç: Jam krenar që jam mik i Sali Berishës

Damir Fazlliç, biznesmeni i shumëpërfolur boshnjak, thyen heshtjen.

Që në fillim, kur e pyesim, nëse ai është arrestuar të premten e shkuar në Bosnjë dhe më pas është lënë i lirë, Fazlliç jep një përgjigje të prerë: “Jo, jo, kurrë nuk jam arrestuar gjatë jetës sime në asnjë vend. Ne jemi në Londër dhe unë nuk jam në qeli në Bosnjë. Di që shumë gazeta shqiptare e kanë raportuar një lajm të tillë. Pse e kanë bërë? Këtë nuk e di përse”.

Një prej pikave më të debatueshme të aktivitetit në Shqipëri të Damir Fazlliç është ndërtimi i disa kompanive fantazmë, të cilat nuk kanë patur asete, por, siç vërtetohet nga një akt shitjeje, rezulton të jetë shitur 1 milion e 700 mijë euro.

Por sa është numri kompanive të regjistruara në Shqipëri që kanë pronësinë e Fazlliç?

Një përgjigje nga vetë ai do të ndihmonte shumë për të patur një panoramë reale të investimeve që ka në Tiranë.

“Nuk e mbaj mend sesa kompani kam. Ajo që mund të pohoj është se unë jam një investues në Shqipëri. Besoj se Shqipëria ka shumë, shumë potenciale të frytshme për të investuar. Ju keni një qeveri largpamëse. Po, unë jam një investitor aktiv në Tiranë”

Siç është raportuar në mediat shqiptare masivisht ditët e fundit, Erion Isufi është një tjetër personazh i lidhur ngushtë me bizneset e Damir Fazlliç në Tiranë. Nga dokumentet zyrtare figuron se Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, të jetë administrator i të paktën tri bizneseve. Besohet se Fazlliç e ka larguar atë nga puna. Por ky i fundit jep një tjetër variant të kësaj ngjarjeje.

“Unë nuk e kam hequr zotin Isufi nga puna. Ai ka shkuar të merret me bizneset e tij private. E shikoj atë si një djalë të ri me potenciale”.

Shpeshherë, përpara dhe pas ardhjes së demokratëve në pushtet, Fazlliç është ulur në një tavolinë me kryeministrin Berisha, sikurse mund ta kenë bërë edhe biznesmenë të tjerë ndërkombëtarë. Njohës të mirë të marrëdhënieve Berisha-Fazlliç pohojnë se mes tyre kjo miqësi mbetet në nivele të larta, ashtu si edhe vetë Fazlliç e pohon me gojën e tij.

“Jam krenar të konsideroj zotin Berisha si një nga miqtë e mi”, - deklaron ai, kur i drejtoj pyetjen: Si shkon miqësia me kryeministrin e vendit?

Nuk do të kishte kuptim, nëse kjo intervistë me Fazlliç do të përfundonte pa e pyetur rreth shitjes së njërës prej pesë kompanive që ka në Shqipëri, e quajtur “Crown Acquisitions”, një kompanie në Qipro. Pavarësisht se ekziston një akt shitjeje me vlerë 1 milion e 700 mijë euro, Fazlliç e mohon një shitje të tillë. Përgjigjet me tri fjalë.

“Nuk është e vërtetë”, - dhe vetëm kaq.

Fazlliç, sekseri për shitjen e energjisë nga serbët

Tentakulat e Damir Fazlliç në Shqipëri shtrihen deri te tenderat e energjisë elektrike. Plot 34.3 milionë euro nga Shqipëria kanë mbërritur me ndërmjetësinë e këtij mediatori, ortaku i kunatit të ministrit Basha dhe miku i ngushtë i qeverisë ‘Berisha’, në kompaninë serbe “Rudnap”, ndërkohë që sipas të gjitha verifikimeve, Damir Fazlliç është i punësuar dhe merr rrogën nga kompania serbe.

Sipas mediave serbo-boshnjake, vetë kompania “Rudnap” që sjell energji elektrike me eksport edhe në Shqipëri, është e përfshirë në afera korruptive dhe pronari i saj ka një lidhje të veçantë me Fazlliç.

Pas kësaj marrëdhënieje të re, zbardhen edhe shumë detaje interesante të operacioneve të “Rudnap” në Shqipëri. Sipas dokumenteve të KESH, që dikur publikoheshin normalisht, deri në momentin kur korporatës iu “mbyll goja” nga lart, serbët e “Rudnap” duket se kanë qenë e janë favoritët e mëdhenj të shitjes së energjisë elektrike drejt Shqipërisë. Ata nuk kanë ofruar çmimin më të mirë, por gjithnjë gjatë tenderave të fundit, të shpallur nga KESH, kanë zënë vendin kryesor në importimet shqiptare. Kapaciteti i transmetimit të energjisë, prej 200 megavatësh, ka lënë jashtë loje partnerët e dikurshëm të EFT apo të EGL, por, jo vetëm kaq: në të tre lotet për vitin 2008, “Rudnap” ofron shifrat më të larta të furnizimeve si sasi: 9,2 milionë euro (nga 30 milionë të paraqitura) për lotin e parë, 9,7 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e dytë dhe 10 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e tretë. Çmimet e ofruara nga kompania nuk kanë qenë bujare, duke kaluar nga 63, në mbi 70 euro për megavat/orë. Ndërkohë, vetëm për muajin gusht, KESH njoftoi se kishte lidhur kontrata furnizimi, si me “Rudnap”, ashtu edhe me GEN, që të dyja nga Serbia, me një vlerë të përgjithshme prej 5,4 milionë eurosh.

9 tetor

Prokuroria dështon në ndalimin e Fazlliçit, policia nuk përfilli fletëthirrjen

Prokuroria nuk arriti dot dje të ndalojë shtetasin boshnjak, Damir Fazlliç, i cili u soll nën masa sigurie me avion charter për të dhënë një intervistë televizive në TV “Klan”. Prokurorët kanë protokolluar me urgjencë fletëthirrjen, sapo kanë marrë vesh që Fazlliç ka mbërritur në Tiranë, dhe urdhri i është dërguar numrit një të policisë në Rinas. Ky i fundit ka refuzuar ta marrë urdhrin, pasi ka qenë i angazhuar të shoqëronte biznesmenin që prokuroria po përpiqet të hetojë. Lufta e ftohtë ka nisur që në momentin kur prokuroria ka mësuar se Fazlliç kishte mbërritur nën masa sigurie në Tiranë dhe ka vendosur vetëm të marrë në pyetje Fazlliçin. Këshilltari i kryeministrit Berisha, Neritan Sejamini, i cili shoqëronte Fazlliçin, ka mundur të përdorë dhe emrin e kryeministrit për të shmangur ndalimin e tij.

Dje në mbrëmje, prokuroria ka nisur të sekuestrojë kasetat e Rinasit dhe të mbledhë faktet për njerëzit që e shmangën atë nga ballafaqimi me prokurorinë. Skandali, i cili dëshmon mbrojtjen politike që shteti i bën personave që kërkohen nga drejtësia, dëshmon po ashtu dhe luftën e ftohtë mes ekzekutivit dhe drejtësisë.

I shumë-akuzuari nga Bosnja erdhi pak para mesdite në Tiranë me një avion charter dhe shkoi në TV “Klan”. Ai u fut gati në ilegalitet në ndërtesë dhe doli prej saj me një makinë modeste të TV “Klan”-it që të mos kuptohej nga gazetarët.

Gjatë gjithë kësaj kohe policia dëshmoi një arrogancë të jashtëzakonshme, duke e mbajtur larg gazetarëve Fazlliçin, e duke u vendosur në këtë mënyrë në shërbim të TV “Klan”.

Damir Fazlliç dha një intervistë prej 75 minutash, në televizionin pranë qeverisë, për gazetarin Blendi Fevziu. Kjo intervistë mësohet se do të transmetohet vetëm sot në mbrëmje.

Pas regjistrimit të intervistës, Fazlliç i shoqëruar nga disa automjete, ku ka dyshime se ishin të përfshirë dhe efektivë të Gardës së Republikës dhe policia, shkoi menjëherë në Rinas. Atje e ka pritur avioni charter, me të cilin kishte mbërritur. Televizionet treguan pamje se si drejtuesi i policisë së Rinasit kishte marrë nën mbrojtje Fazlliç. Një polic shtyu përtokë kameramanin e televizionit “Vizion Plus” dhe dhunoi gazetarët që tentuan ta pyesnin.

Ndërkohë, është regjistruar procedimi penal për biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç.

Lajmi u konfirmua për gazetën “TemA” nga Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria konfirmon po ashtu prerjen e fletëthirrjes për zotin Fazlliç.

10 tetor

Tri skandalet e reja të Fazlliç

Por, çfarë të rejash ka dosja ‘Fazlliç’ që kur ajo është bërë publike fundjavën që shkoi?

Së pari, është verifikuar mashtrimi publik i Fazlliç se nuk e ka shitur kompaninë e tij “Crown Acquisitions”. Por konfuzioni këtu bëhet më i madh, nëse shikon dokumentet e kësaj kompanie në tatime dhe në QKR. Sipas aktmarrëveshjes së shitjes së kompanisë, “Crown Acquisitions” i është shitur kompanisë anonime qipriote “Altaria Research Limited”, më 20 qershor 2007.

Me pas, në një intervistë në gazetën “Panorama”, Fazlliç ndryshoi tërësisht qëndrim dhe tha se e ka shitur kompaninë dhe se ajo ka pasur asete në Porto Romano.

Në fakt, në zyrat e tatimeve rezulton se ajo nuk ka asnjë aset dhe asnjë veprimtari tregtare, përkundrazi ka borxhe.

Por Fazlliç i ka dhënë gazetës “Panorama” një dokument tjetër, ku tregon se në emër të kësaj kompanie ka blerë toka në Porto Romano.

Sipas këtij dokumenti i bie që Fazlliç ka blerë tokë në Porto Romano në emër të kësaj kompanie më 1 gusht të vitit 2007, ndërsa e ka shitur kompaninë më 20 qershor 2007.

Këtu ngatërrohet gjithë historia dhe del hapur mashtrimi publik lidhur me shitjen fiktive të kompanisë në Qipro.

Nëse ai e ka shitur kompaninë më 20 qershor, nuk ka si regjistron prona në emër të saj më 20 gusht.

Skandali i dytë që ka të bëjë me këtë fakt, është blerja e tokës dhe kapja e shtetit për interesa të tij. Fazlliç ka shkuar, ka blerë tokë në Porto Romano, përpara se aty të hidhej ideja e Parkut Energjitik. Ai ka blerë tokën në Porto Romano, pasi ka marrë siguri nga ish- ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, që aty do të ndërtohet Parku Energjitik. Pasi e ka bërë blerjen, ideja e Parkut Energjitik ka evoluar dhe Berisha para një muaji në mbledhje të qeverisë e shpalli atë zonë, vend ku do të ndërtohet Parku Energjitik. Kjo është kapje reale e shtetit. Sekseri Damir Fazlliç, kompania e të cilit atë kohë administrohej nga kunati i ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, blen tokë me paramendim në një zonë të shkretë, ku më pas del që do të ndërtohet një Park Energjitik.

Burime tona të sigurta dëshmojnë se studioja e Argita Berishës ka asistuar deri në fund pranë Ministrisë së Ekonomisë kuadrin ligjor për ndërtimin e parqeve energjitike, duke dërguar si përfaqësuese në këto borde këshillimore avokaten Flutura Kola.

Pra, ky është superskandal, pasi Berisha po ndërton një park energjitik në pronat e Damir Fazlliçit me paramendim, duke përdorur ish- ministrin e Transportit, Lulëzim Basha, dhe studion e vajzës së tij për të favorizuar një sekser të familjes së tij.

***

Së dyti, po verifikohen dyshimet pse Damir Fazlliç në vitin 2007 është përfshirë në Këshillin drejtues të dy kompanive me pronar “Rompetrol”. Ky është një skandal i ri që duhet të bëhet objekt hetimi nga tatimet, doganat dhe prokuroria.

Sipas të dhënave nga tatimet, kjo kompani ka pasur probleme me gjoba me shtetin shqiptar. Konkretisht, dy kompanitë me pronare “Rompetrol”, të quajtura, “Rompetrol Albania Doënstream” dhe “Rompetrol Albania Ëholesale”, kishin marrë dy gjoba nga shteti që shkonin afërsisht 1 milion euro. Në përpjekje për të shpëtuar nga këto gjoba, këto dy kompani i afrohen sekserit Fazlliç. Ai iu gjen zgjidhjen. Duke i siguruar në mbështetjen politike që kishte me kryeministrin dhe ministrin e Transporteve, Lulëzim Basha, ai iu këshilloi atyre falimentimin dhe krijimin e dy kompanive të reja me të njëjtit pronarë, por që kishin në Këshillin Mbikëqyrës Damir Fazlliç.

Dy kompanitë e reja quhen “Rompetrol Distribution Albania” dhe “Rompetrol Albania”. Pronarët janë të njëjtë me dy të parët. I vetmi që shtohet është Damir Fazlliç si anëtar i vetëm i Këshillit Mbikëqyrës.

Skema funksionoi. Dy kompanitë e vjetra, të krijuara në vitin 2004, kaluan për likuidim. Eksperte kontabël në dy kompanitë që kalojnë për likuidim është Shpresa Breçani, mbesa e Sali Berishës dhe konfidenciale me organet tatimore për shkak të afërsisë me familjen e kryeministrit.

Dy kompanitë e reja ku Fazlliç është vetë në Këshillin Mbikëqyrës morën jetë dhe kështu shpëtoi gjoba prej 1 milion eurosh. Ky është një tjetër skandal që i shtohet dosjes ‘Fazlliç’. Skema është qesharake, pasi dy kompanitë e reja kanë të njëjtët pronarë, që është “Rompetrol”, të njëjtin përfaqësues ligjor, që është Bogdan Ghita Badea, të njëjtën adresë që është rruga “Pjetër Bogdani”, pallati 23/1, kati 1, Ap 1, Tiranë, të njëjtin objekt për tregti karburantesh.

***

Së treti, ka dyshime të forta për lidhjet reale të Fazlliç me ata që qëndrojnë pas kompanisë qipriote “Altaria Research Limited” që ka bërë blerjen fiktive të kompanisë së Fazlliç në Tiranë. Një përfaqësues i kësaj kompanie në Vjenë, Aleksandër Lupsiç, është po ashtu pronar i një kompanie që i ka shitur qeverisë shqiptare energji elektrike.

Por, skema e kompanisë që ka blerë firmën e Fazlliçit në Tiranë është dhe më e komplikuar. Ajo përbëhet nga dy drejtorë që përfaqësojnë dy kompani, “Avomar Limited” dhe “Amerito Limited”. Të dyja këto kompani, të bashkuara nën emrin “Altaria Research Limited”, kanë blerë së fundi kompaninë “Putnika” në Serbi që merret me ndërtime rrugësh dhe konstruksione.

Sipas shtypit zyrtar serb, ka akuza të qarta se pas këtyre kompanive qëndrojnë njerëzit e Marko Millosheviçit, djalit të Millosheviçit. Ky duhet të bëhet objekt hetimi për drejtësinë shqiptare, për të verifikuar, nëse kjo kompani, e cila tashmë është prezente në Tiranë, na çon drejt njerëzve të vjetër të Beogradit.

10 tetor

Fazlliç në Klan: Kompaninë ia kam shitur vetes në Qipro. Berisha më telefonoi pas arrestimit. Jam klient i Argitës

Në Shqipëri ju keni vetëm 4 kompani, zoti Fazlliç, me një total prej 4 mijë dollarësh.

Po?

Ky është investimi juaj?

Jo. Një nga kompanitë e mia dhe kam mësuar se ka pasur shumë keqkuptime rreth kësaj kompanie në media, është “Crown Acquisitions”, e cila është ende në pronësinë time. Kjo kompani iu shit ligjërisht për 1.7 milionë euro një kompanie qipriote të quajtur “Altaria Research LTD”, e cila gjithashtu është në pronësinë time. Më lini t’jua shpjegoj këtë gjë. Unë kam investuar në Shqipëri në fushën e pasurive të patundshme ende të pashfrytëzuara, në fakt kam investuar shumë në pasuritë e patundshme të pashfrytëzuara, përreth Tiranës dhe në vende të tjera me vizionin për t’i zhvilluar këto pasuri të patundshme. Kur bleva këto pasuri të patundshme në Shqipëri, i kam blerë nën kompaninë “Crown Acquisitions”, në pronësi të Damir Fazlliçit. Tani që po synoj zhvillimin e kësaj pasurie të patundur, kam nevojë për burimet që kam në kompaninë time qipriote për të menaxhuar investimet e ardhshme në Shqipëri.

Pse?

Sepse kam njerëz që janë punësuar atje, kam njerëz që menaxhojnë investimet e mia të ardhshme në botë që drejtohen nga kompania në Qipro. Kështu që sa të fillojmë investimin fizik, rigjallërimin e pasurisë së patundshme që kemi blerë, për ta vënë atë në shfrytëzim, ne do të kemi njerëzit që do të punojnë në Tiranë, që do t’i menaxhojnë këto investime. Tani për tani, këta janë nën kompaninë time qipriote, për shkak se do na duhet ta zhvillojmë këtë tokë. Për ta zhvilluar këtë tokë, na duhet të paguajmë arkitektë, studimet gjeometrike, studimet e nevojshme dhe, meqë ra fjala, këto studimet e nevojshme 90 për qind po realizohen nga një staf lokal këtu dhe paguhen nga kompania mëmë në Qipro.

Zoti Fazlliç, ju ia keni shitur kompaninë tuaj vetvetes? Ky është pastrim i pastër parash apo jo?

Absolutisht jo. Le të kthehem edhe njëherë e të ta shpjegoj se si ndodhi.

1,7 milionë euro për një kompani që ka 4 mijë dollarë kapital?

Jo, të ftoj ty dhe çdo gazetar tjetër të shkojë në zyrën e tatimeve dhe të shohë se çfarë zotëron kjo kompani në pasuri të patundshme. E bëra vetë. I kërkova dikujt që të shkojë fizikisht në zyrën e taksave dhe të kërkojë bilancin. Do ta shihni se bilanci i kësaj kompanie reflekton saktësisht 1,7 milionë euro, shumë për të cilën u shit te kompania mëmë, me qëllim zhvillimin e tokës. Kur ta shes këtë kompani, “Crown Acquisitions”, dikur në të ardhmen, nëse planet që kam ndërtuar shkojnë mirë dhe nuk kam arsye për të dyshuar, do ta shes, le të shpresojmë, për shumë më tepër pará. Dhe atëherë do të jem në gjendje t’i paguaj shtetit taksën për diferencën. Pra…

Cila është pasuria juaj në Shqipëri?

Shpresoj që bizneset e mia në Shqipëri të vlerësohen në më shumë së 50 milionë euro. Veçanërisht në pasuri të patundshme. Pasi të zhvillohet, shpresoj se do të ketë një vlerë më të lartë.

Zoti Fazlliç, çfarë ndodhi në Sarajevë të shtunën pasdite?

Le t’i saktësojmë datat dhe e kuptoj se çfarë do të thuash tani. Ndodhi të enjten, jo të shtunën. Të premten isha në Londër, të dielën isha në Londër. Të enjten gjatë ditës po haja drekë me disa miq në një restorant në Sarajevë. Gjysmë ore pasi kishim filluar drekën. Është një restorant i vjetër tradicional. Kur shkoj në Sarajevë, më pëlqen të shkoj në një restorant të vogël tradicional, ku shërbejnë ushqim boshnjak. Pra, unë shkova atje për drekë me miq të mi dhe gjysmë ore pasi kemi filluar drekën, një person që ishte ulur në tavolinën ngjitur me ne u arrestua. Ishte një skenë si ato të filmave, kur ata erdhën, forcat speciale, nuk e kam idenë kush ishin.

Me fytyra të mbuluara?

Po. Arrestuan personin, e nxorën atë jashtë restorantit dhe na kërkuan ne të qëndronim aty, sepse duhet të jepnim dëshmi. Më vonë morëm vesh që personi ishte arrestuar për shantazh financiar dhe policia donte të na pyeste, nëse kishim parë njeri të hynte brenda, të dilte jashtë, që kishte dhënë pará apo çfarë ndodhi. Kështu që na mbajtën atje për 1 orë. Dolëm jashtë. Shkuam në rajonin më të afërt të policisë dhe dhamë dëshminë tonë. Një orë më pas ne ishim në rrugë.

U arrestuat apo u ndaluat?

Thjesht dhamë një dëshmi!

Zoti Berisha tha në Parlament, 3 ditë më parë, që ai mund t’ju sjellë ose… ai tha që unë mund ta sjell zotin Fazlliç këtu për të folur me ju.

Oh, do të më pëlqente shumë kjo.

Pas incidentit në Sarajevë, po e quaj incident, a keni folur me zotin Berisha?

Kam folur me atë një herë.

A e njihni zonjën Argita Berisha?

Po e njoh. Argita Malltezi.

Vajzën e zotit Berisha. Çfarë lidhjesh keni?

Kemi miqësi dhe ajo gjithashtu si avokate trajton një pjesë të punëve të mia në ligjore në Shqipëri.

Ju keni përdorur firmën e zonjës Malltezi për të përgatitur dokumente dhe çdo gjë?

Po, një pjesë të tyre. Nuk kam vetëm një avokat.

11 tetor

Fazlliç, i skeduar nga NATO për fshehjen e vrasësit të Xhinxhiçit

Është rast i rrallë. Nëse do të kërkosh me Damir Fazlliç në google.com, për të parë se ç’ka të skeduar mediumi më i madh në botë, në 32 mijë rezultate të gjeneruara, nuk do gjesh askund një përshkrim me nota paqësore për të. Gjithmonë një mbiemër nga pas do e shoqërojë dhe, nëse do kesh durim të shfletosh faqet e internetit, do shohësh se në mbi 70 për qind të rasteve ai quhet shqeto mafioz, e në pak raste quhet biznesmeni kontrovers.

Përveç një ose dy adashëve të tij, që lundrojnë nëpër forume sociale, emri i tij nuk do të shfaqet kurrë në një shkrim pa emra të tillë në krah si Legija, Oriç, Lazareviç, Petraç e një lumë emrash të krimit në rajon. Po të kërkosh në google.com/neës, rezultatet në njëqind për qind të rasteve tregojnë se media të ndryshme, nga Italia, Hungaria, Franca e quajnë atë... thjesht mafioz.

Por, organizata që merret me sigurinë në botën perëndimore, NATO, ka skeduar që para pesë vitesh të dhënat që shpërndaheshin në lidhje me Damir Fazlliç dhe implikimin e tij në vrasjen e Zoran Xhinxhiç. Nën linkun zyrtar të NATO-s http://www.nato.int/sfor/media/2003/ms030321t.htm mund të gjesh të dhëna në lidhje me implikimin e tij. Skedimi i referohet gazetës “Slobodna Bosnia”.

11 tetor

Berisha: Fazlliçin më mirë ta kisha çuar në Kuvend, “Klan”-i ma censuroi

Është censuruar ose jo intervista e Damir Fazlliçit në emisionin “Opinion” të TV “Klan”, është pyetja e cila duket se do rindezë një debat të ri, por jo mes opozitës dhe mazhorancës. Ishte kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili do të shprehej dje se “censurimi i intervistës së Fazlliçit ka ardhur nga televizioni “Klan” dhe se ai s’ka gisht në këtë çështje. Duke e cilësuar Fazlliçin dhe një herë në mbledhjen e qeverisë si një mik të tij, Berisha u shpreh se bëri gabim që nuk e thirri Fazlliçin për të folur në Kuvend, duke lënë të kuptohet se bëri gabim që e la në dorë të një televizioni pranë tij.

Por vetë intervistuesi i Fazlliçit, Blendi Fevziu, gjatë një emisioni në televizionin “Ora News” u shpreh se intervista e Fazlliçit nuk është censuruar në asnjë pjesë të saj. Në lidhje me ndërprerjen e dyshimtë të intervistës, e cila është dhe pjesa më e komentuar e kësaj çështjeje, Fevziu tha se nuk është censuruar askush, vetëm se ka qenë një gabim montazhi, i cili ka sjellë dhe dyshimet se intervista është censuruar.

Berisha, në seancën e Kuvendit të zhvilluar përpara disa ditësh, u shpreh se, nëse Fazlliç flet, atëherë më keq në këtë rast do e kenë socialistët. Por në ndryshim me deklaratat e Berishës, Fazlliç u shpreh në mënyrë të turbullt për një keq-qeverisje të socialistëve në periudhën që ai ka qenë për herë të parë në Shqipëri. Fazlliç në këtë pjesë nuk foli se kë ka takuar nga eksponentët e majtë në atë kohë dhe se cili ishte vërtet qëllimi i ardhjes së tij në Shqipëri. Që të besohet se “investitori” Fazlliç u largua, sepse në vend sundonte korrupsioni dhe ai s’kishte siguri, kjo është paksa e dyshimtë, po të kemi parasysh se aktiviteti i tij qendror, siç e pranoi dhe vetë, ndodhet në Qipro, vend i akuzuar për natyrën korruptive që ka shteti atje, dhe se shpesh përdoret si strehë trafikantësh, për mbulim të veprimtarive të dyshimta, por edhe për pastrim parash.

12 tetor

Prokuroria: Policia mundësoi largimin e Fazlliçit një orë para afatit

Ardhja e Damir Fazlliç në Shqipëri dhe kërkesa për arrestimin e tij ka nxitur një sulm të paprecedent të ekzekutivit mbi prokurorinë. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme akuzon ekzekutivin se ka lejuar qëllimisht largimin e trafikantit Fazlliç nga vendi, një orë përpara afatit të parashikuar për nisjen e tij. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme ka pretenduar të kundërtën, duke kërkuar madje në mënyrë paksa të çuditshme dhe ndjekje penale për dy prokurorët e dosjes ‘Fazlliç’, pasi, sipas saj, kanë shkelur procedurat në kërkesën që i kanë drejtuar Ministrisë së Brendshme. Në këtë lojë është futur dhe Ministria e Drejtësisë, e cila pa asnjë paralajmërim ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme inspektorët e saj për të parë orën në të cilën ka dalë kërkesa, por edhe dosjen në ngarkim të Fazlliç, duke shkelur ligjin, pasi inspektorët e drejtësisë kanë të drejtë të shohin vetëm dosjet e përfunduara, por jo ato që janë në hetim. Duket se targeti i sulmeve të tanishme të ekzekutivit është prokuroria, kryetaren e së cilës vetë kryeministri e cilësoi si “Silvia Konti e drejtësisë”, por që tashmë nuk po pajtohet me veprimet e saj për vendosjen e drejtësisë.

12 tetor

Shtypi thellon hetimin mbi skandalin “Rompetrol”

Skandali “Rompetrol” nisi fillimisht, kur në emisionin “Faktori Plus” u konstatua që Fazlliç ishte anëtar i vetëm i Bordit Mbikëqyrës të “Rompetrol Albania”. Më pas, të enjten, u verifikua skema e skandalit. Dy filialet e “Rompetrol”-it në Shqipëri kishin rreth 1 milion euro detyrime në shtet. Damir Fazlliç i udhëzon të falimentojnë dy filialet dhe të hapin dy të rejat.

Por, siç ka zbuluar gazetari i “Albania”-s, Habion Hasani, në numrin e djeshëm të gazetës “Albania”, te filiali i ri i hapur, “Rompetrol Albania” sh. a., rezulton që Fazlliç ka hyrë 40 për qind aksioner me firmën qipriote “Kelena L. T. D”. Fazlliç e përfaqëson atë firmë në Shqipëri, dhe ai tashmë i bie të ketë 40 për qind të tokës në Porto Romano, ku mendohet se ka dhe persona të tjerë të rëndësishëm, shumë të lidhur me kryeministrin Berisha.

Për të gjitha aktet noteriale sërish është përdorur Flutura Kola, bashkëpronarja në studio me Argita Berishën. Ajo ka bërë regjistrin e firmës “Rompetrol Albania” sh. a.

14 tetor

Berisha: Hetim ndërkombëtar, dhe komision parlamentar për Ina Ramën

Kryeministri kërcënon hapur prokurorinë pas hetimit që kjo e fundit ka ndërmarrë ndaj Damir Fazlliç, në aferat e të cilit është shfaqur emri i vajzës dhe mbesës së kryeministrit. Berisha, tha dje se do kërkojë hetim ndërkombëtar për çështjen ‘Fazlliç’. Ai shtoi se krahas këtij hetimi do ketë dhe një komision parlamentar për këtë çështje duke risjellë në skenë precedentin ‘Sollaku’.

“Jam sot para jush për të informuar qytetarët shqiptarë se qeveria vendosi të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit. Ky vendim nuk merret, në mënyrë absolute, për morinë e shpifjeve dhe trillimeve të pafundme ndaj cilitdo person. Ky vendim merret për dy arsye:

E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazlliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se, “qeveria do të procedojë me dekret për këtë vendim, pasi ky është një problem i ngutshëm. Ajo do të bëjë dekretin për të kërkuar hetim ndërkombëtar.”

SHBA: Jemi të shqetësuar, prokuroria po kërcënohet

Sulmi i kryeministrit, Sali Berisha, ndaj Prokurorisë së Përgjithshme ka sjellë dhe reagimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Zëdhënësi i kësaj ambasade, Biks Aliu, komentoi dhe ndërhyrjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme në pavarësinë e prokurorisë. Në një deklaratë të tyre theksohet se situata është shqetësuese dhe se të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të pavarur, pa asnjë kërcënim nga ekzekutivi. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore dhe të pavarur, pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme”, - thekson zëdhënësi Aliu.

Shtetet e Bashkuara, por dhe të tjera përfaqësi të huaja në Shqipëri kanë kërkuar që hetimet e rëndësishme që po bëhen nga prokuroria, ku të përfolur dhe të hetuar janë qeveritarë të rëndësishëm, por dhe të afërm të kryeministrit, të jenë të pavarura.

Shqetësimi u ngrit së pari nga një diplomat amerikan që rreshtoi disa arsye se pse qeveria po bënte hapa prapa që pas shpërthimi të Gërdecit. Qeveria, sipas tyre, po tenton të kapë institucione të rëndësishme që kanë në dorë hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje, por dhe të tjera afera që lidhen me të në një mënyrë ose në një tjetër.

Pas daljes në skenë të çështjes ‘Fazlliç’, tonet kërcënuese të qeverisë ndaj prokurorisë u rritën ndjeshëm. Ministria e Drejtësisë ndërmori një inspektim në prokurori, që u kundërshtua nga këta të fundit, dhe pak më vonë Ministria e Brendshme ngriti dy padi penale për prokurorët që kërkuan ndalimin e Fazlliç.

Kulmi i përplasjes arriti dje, kur kryeministri, Sali Berisha, kërcënoi hapur prokurorinë.

15 gusht

Argita: Damir Fazlliçin e kam klient

E bija e kryeministrit shqiptar, Argita Malltezi, përmes një deklarate për mediat bëri të ditur dje se Damir Fazlliç është një klient i saj. Ajo tha se nuk ka kryer asnjë shërbim për zotin Fazlliç që lidhet me sektorin publik. Por, askush nuk ka thënë asgjë në këtë drejtim. Firma ligjore e zonjës Malltezi, d.m.th., ortakja Kola, të cilën e pranon si të tillë dhe ajo, është akuzuar se është përfshirë në një transfertë të dyshimtë parash, e bërë sigurisht nga subjekte private. “Dëshiroj të sqaroj publikun për ato që unë i konsideroj momentet më të rëndësishme në lidhje me aktivitetin tim: Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet (pra fonde) publike apo mbi asete shtetërore. Në këtë kontekst, shërbimet e kryera nga studioja ime për z. Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik”, - tha Malltezi.

16 tetor

Firma e Fazlliçit me borxhe në tatime

Ka vetëm një person të siguruar, por që nuk ka derdhur kontributet, dhe një tatim-fitimi prej 100 mijë lekësh në muaj që po ashtu nuk e ka derdhur për vitin e fundit

Kompania “Crown Acquisitions” sh.p.k., me pronar të vetëm Damir Fazlliç dhe administrator të vetëm Erion Isufin, deri në mes të vitit 2007 rezulton me detyrime tatimore, pasi nuk ka paguar tatimin mbi fitimin dhe sigurimet shoqërore deri në shtator të vitit 2008. Kompania ka ndërruar pronar më 20 qershor 2007, duke u bërë pronë e “Altaria Research Limited”, e përfaqësuar nga avokatja Flutura Kola, bashkëpronare në studio me Argita Berishën. Fazlliç për herë të fundit ka thënë se ai është pronar dhe i kompanisë qipriote. Në të vërtetë, hetimet na çojnë se përfaqësia reale e kësaj kompanie në Shqipëri është dhe pronësia reale e saj. Por, duke mbetur te deklaratat e Fazlliçit, ne verifikuam zyrtarisht në taksat dhe tatimet e Shqipërisë se si është bilanci i kësaj kompanie. Zyrtarisht, askush nuk të hap derën, por zyrtarë korrektë të tatimeve na printuan pasqyrën e saj nga muaji mars 2007 deri në shtator 2008, kohë gjatë së cilës kompania “Crown Acquisitions” sh.p.k., ndërroi pronarë dhe administrohet formalisht prej avokates Flutura Kola që ka prokurë nga kompania qipriote.

Kompjuteri i tatimeve dëshmon se kjo kompani nuk ka paguar as tatim-fitimin dhe as sigurimet shoqërore. Gazeta po publikon dy fletët e printuara nga sistemi online i tatimeve, që verifikojnë klientelizmin e qeverisë me kompaninë e Fazlliçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›