Përgjigjet për gazetën “TemA”, Berisha: Me shtetin nuk mund të bësh kontrata
Kryeministri në konferencën e fundvitit braktiset nga gazetarët dhe refuzon pyetjet për çështje shumë të nxehta, por përgjigjet për Skënderbeun. Zëri i Amerikës interesohet në konferencë për çështjen e “TemA”-s
Kryeministri, Sali Berisha, i ka konsideruar dje sulmet ndaj gazetës “TemA” si një problem administrativ dhe, sipas tij, ka qenë faji i gazetës që ka marrë me kontratë të rregullt ambiente që administrohen nga shteti. I pyetur dje në konferencën e fundit për shtyp për vitin që po lëmë pas, kryeministri preferoi ta përqendronte problemin te fakti që liria e medias ekziston dhe se gazeta “TemA” është e lirë të shkruajë, por jo në ambientet që administrohen nga shteti. “Zoti na ruajt nga mediat e pavarura që preferojnë sqetullën e qeverisë! Por si mund të jesh i pavarur në sqetullën e qeverisë? Pavarësia e mediave nuk përcaktohet, nëse qëndron apo jo në sqetullën e qeverisë, ajo përcaktohet, nëse flet apo jo lirshëm kundër qeverisë. Unë ju siguroj se ajo dhe çdo gazetë tjetër është e lirë dhe do të jetë e lirë që 24 orë të shkruajë kundër kësaj qeverie. Të pretendosh se po të cenohet liria, ç’do të më thoshin gazetat e tjera që nuk janë në lehtësirat e qeverisë? A nuk do kishin edhe ato të drejtë të thoshin se po u shkelet barazia? Në Shqipëri ka 30 gazeta dhe nuk di ndonjë gazetë tjetër që të jetë në sqetullën a folenë e qeverisë. Dua t’u them se një dashuri që nuk duhet ta pëlqeni shumë është ajo me shtetin. Ai është një objekt i qeverisë që duhet për destinacion tjetër dhe kaq. Është thjesht çështje administrative”, - tha Berisha.
Sulmi i radhës i Berishës pason shumë të tjerë të bërë gjatë këtij viti, për shkak se gazeta “TemA” ka qenë denoncuesja më e madhe e korrupsionit të familjes qeveritare. Jo vetëm kaq, por gazeta ka faktuar vazhdimisht se si kryeministri po favorizon media të caktuara në mënyrë skandaloze.
Fundi i këtij viti shënon një rast flagrant të cenimit të lirisë së medias. Berisha kërkoi që gazeta “TemA” të largohet nga ambientet ku ndodhet, duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratën me të, e duke shkatërruar një investim mijëra eurosh. Ky sulm ka shqetësuar dhe ambasadën amerikane në Tiranë, e cila në shenjë solidarizimi dërgoi në ambientet e redaksisë zëdhënësin e saj, Biks Aliu, i cili këtë shqetësim e shprehu dhe gjatë një interviste. Më tej, pretendimi i kryeministrit se gazeta “TemA” po qëndron nën sqetullën e shtetit nuk qëndron dhe për faktin tjetër se, jo pak media afër tij operojnë në ambientet shtetërore. Në ambientet e ish-Kinostudios Shqipëria e Re janë një seri televizionesh, kryesisht pranë qeverisë, që operojnë me kontrata të ngjashme, në ambientet e Uzinës së Autotraktorëve tek ish-ekspozita apo te piramida. Shumë kontrata janë lidhur në kohën e qeverisë Berisha, për të mos folur më tej për favorizime me ambientet shtetërore që kjo qeveri u ka bërë jo pak mediave, të cilat në këmbim i kanë ofruar ose heshtje, ose lavde dhe atëherë kur kanë qenë të bindura se po veprojnë në kundërshtim me parimet e gazetarisë. Më tej po japim të plotë pyetjet-përgjigjet që u bënë dje në konferencë për shtyp, ku ndër të tjera Berisha pranon se rruga Durrës-Kukës do të inaugurohet për fushatë elektorale