E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu dhe materia shqiptare

Nga Florian Muzaka

Panairi i fundit i librit në Tiranë solli, ndër të tjera, edhe një vepër historike të Oliver Jens Shmit për Skënderbeun. Megjithëse shumëkush mund ta mendonte historianin zviceran si një hallkë e shtuar e zinxhirit shekullor të veprave historike e kulturore për Skënderbeun, qoftë nga autorë shqiptarë, qoftë nga të huaj, në fakt libri ngriti një debat shumë të gjerë në opinion.

Skënderbeu i Shmitit në fakt nuk ishte hallkë e një zinxhiri të përpunuar mirë, të nisur nga Barleti e të vazhduar deri në ditët tona nga historianë shqiptarë si K. Frashëri apo të tjerë. Libri i ri, i bazuar mbi dokumente e fakte historike, shoqërohet edhe nga supozime shumë të kujdesshme të autorit në periudhat e errëta apo të debatueshme të jetës së heroit tonë kombëtar. Por vepra u prit në mënyrë armiqësore e luftarake nga një pjesë e madhe e opinionit publik dhe ngriti deri dyshime mbi qëllimet e shkrimit të librit nga autori i tij.

***

Të prirur të marrim tashmë një Skënderbe të gatshëm, i cili përpunohej nga njëri shekull në tjetrin, nga njëra epokë historike në tjetrën dhe nga njëri autor te tjetri, ne nuk ishim mësuar apo më mirë, përgatitur, të prisnim një personazh historik, me të metat përveç të mirave, apo me gabimet, përveç sukseseve.

E vërteta është që Skënderbeu i rilindur në ambientin historik shqiptar të shekullit të 19 u soll me një detyrë të posaçme, të paracaktuar e madje të nderuar në fatet e Shqipërisë. Pasi e përfundoi me shumë sukses këtë detyrë, figura e tij vazhdoi të përdorej nga njëri regjim te tjetri dhe fatkeqësisht asaj filluan t’i vishen karakteristika, tipare apo veprime që vinin si kërkesë e ideologjisë politike të kohës sesa si realitet historik.

Dhe kështu u arrit në një Gjergj Kastriot që veçohej gjithmonë e më shumë nga të tjerët, që i bënte ballë çdo gjëje kryesisht me forcat e veta, që gati-gati u bë “shpata që u rri te koka/gjithë armiqve që ka bota” dhe që e ndiqte nga pas një popull që tregonte se “mund të hante edhe bar, por armikut s’do t’i dorëzohej.”

Citimet dhe citatet në lidhje me figurën e tij u përçudnuan deri në atë masë, sa merreshin si të mirëqena batutat e Marksit mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me Selinë Papnore, e përfundimisht ne ia dolëm që të krijonim një figurë që u rrinte për karshi sulltanëve, hidhej një vrap e ndihmonte aleatin në Napoli të mbante pushtetin, konsideronte si aleat të barabartë vetëm Huniadin dhe ia kishin frikën gjithë të tjerët.

Heroi ynë s’kishte patur kurrë ndihmë të rëndësishme nga të tjerët, fitoi shumë më tepër beteja se sa humbi, madje dilte deri me karakter agraro-shoqëror, sepse u kundërvihej zotërve të tjerë feudalë shqiptarë të kohës, gjithmonë në të mirë të unitetit kombëtar.

Pas vitit 1992, kushtet u poqën për të dalë te një figurë më e qartë, më pranë kontekstit historik dhe më reale të Skënderbeut, por mosshkëputja e mitit të ringritur në shekullin 19 nga njeriu i shekullit të 15 tregon qartë varësinë dhe dobësinë e shkencës historiografike shqiptare nga metoda dhe shkolla të vjetra historike.

Dhe në këtë situatë na gjen një studiues që vjen i armatosur me dokumente, analiza e krahasime që sjellin një Skënderbe shumë më historik, më real dhe më pranë logjikës së shekullit të 15.

Megjithëse kam rezervat e mia për një sërë pikash parësore dhe dytësore të veprës së Shmitit, duhet pranuar se ajo sjell një personazh të pangarkuar nga legjenda dhe lavdia e mitit kombëtar. Kjo risi më se e nevojshme për kohën që jetojmë duket se nuk u pëlqye në qarqe akademike-letrare dhe solli një sërë komentesh që fatkeqësisht më krijuan një përshtypje shumë të fortë se një pjesë e madhe e komentuesve nuk e kishin lexuar veprën e Shmitit.

***

Por çfarë sjell vepra e Shmitit në tablonë shumë komplekse të epopesë skënderbejane? Ajo na ngrihet si pasqyrë dhe na lejon të shohim nëpërmjet paraqitjes së Gjergj Kastriotit materien shqiptare ndër kohëra. Të vendosur përgjatë Adriatikut dhe Jonit, në një territor më shumë të gjatë sesa të gjerë, gjatë shekujve shqiptarët u ndikuan në masë të madhe si nga fuqitë e Mesdheut, qendrës së botës së atëhershme, edhe nga fuqitë e Adriatikut, qendrës së qendrës.

Të prekur dhe ndikuar nga mokra me qendër herë në Romë, e herë në Kostandinopojë, herë në Venedik e herë në Stamboll, ne morëm formë dhe kapërcyem shekujt duke dhënë e duke marrë. Sot e kësaj dite mokrat vazhdojnë të bluajnë nga Uashingtoni, Roma, Athina e kryeqytetet e tjera të fuqive që na ndikojnë. Dhe ne bashkëveprojmë me to si pjesë e pashkëputur e zhvillimit të përbashkët të kombeve.

Përgjatë rrjedhave të historisë këto mokra na gëlltitën, na dhanë orientim, u përpoqën të na ndryshonin dhe për shumë kohë edhe vetë qendrat e tyre besuan se na integruan përfundimisht. Në fakt, kur sheh qëndrimet dhe kahet me shumë luhatje të historisë e zhvillimit tonë, ndonjëherë mund të thuhet që na ndryshuan vetëm pamjen e jashtme dhe orientimin e përkohshëm. Fatmirësisht, shqiptarët në rrugën e tyre të zhvillimit historik nuk u detyruan të mbështeten te mite, si beteja e Fushë-Kosovës dhe Sveti Lazari. Me një përbërje krejt unike në formatin tonë etnik dhe kulturor-fetar ne s’morëm përsipër misione të shenjta me karakter kufizues etnik, por treguam një elasticitet që ka patur një rol të jashtëzakonshëm në rrjedhat e historisë shqiptare.

Në të njëjtat pozita, mbase oportuniste, na vjen edhe Skënderbeu i Shmitit. I orientuar nga qendra politike ku mund t’i vinte ndihmë ai lëvizi mes fuqive mike dhe armike, herë me paqe e herë me luftë, herë më pak ortodoks e herë më pak katolik. Ky personalitet në gjithë veprimtarinë e tij është simboli kuintesencial i të gjithë materies shqiptare dhe ekzistencës së saj përgjatë shekujve me gjithë ngjyrimet që mori prej ndryshimeve.

Me suksese e dështime, me gabime e arritje, me miq dhe armiq, hakmarrës, ndërluftues, i thjeshtë, por njëkohësisht princ i vërtetë i shekullit të 15 ballkanik, Skënderbeu u bë me gjallje një princ i prekshëm-hero për Rilindjen italiane të shekullit të 15. Këtë e tregon në mënyrë shumë të saktë, pothuajse si libri i Shmitit, piktura e famshme dhe e vetme e Gjergj Kastriotit në Uffizzi. Aty nuk shohim ndonjë vigan të krahasueshëm me liliputët dhe as një luftëtar klasik pa moshë, por një burrë në ditët e mbrame që fitoi respektin dhe lavdinë për atë që ishte jo për atë që iu shtua.

***

Në shekullin e 19 brenda materies shqiptare filloi një rizgjim etnik i karakterizuar në veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Personalitetet e kësaj veprimtarie, të karakterizuar nga shkolla e mendimit historik të kohës, letërsia romantike dhe kushtet e veçanta të shqiptarëve, kërkuan dhe gjetën mes të tjerash një figurë të fuqishme historike në kuadrin e luftës kundër turqve. Kjo figurë, e përdorur në rolin tipik të heroit, ishte shfrytëzuar vazhdimisht nga qarqet letrare-historike evropiane, sidomos kur lufta kundër osmanëve dilte në plan të parë. I ruajtur si kujtim mes arbëreshëve të Italisë, ai u mor menjëherë, u shfrytëzua dhe u emulua si ideal dhe shembull bashkimi e veprimi mes shqiptarëve. Ky personazh, i cili kishte edhe mirësinë të ishte historik dhe real në një pjesë të asaj veprimtarie që iu vesh, ishte Skënderbeu.

Duhet thënë se ai e luajti në mënyrë të shkëlqyer rolin parësor që iu ngarkua si figurë unifikuese e shqiptarëve në përpjekjen për pavarësi.

Por Skënderbeu s’ishte rast i veçantë në metodat historiografike të veprimtarisë evropiane të shekullit të 19. Madje, në njëfarë mënyre ai ishte prerje e radhës. Popujt evropianë dhe ata ballkanikë kishin kohë që luanin dhe ndërtonin veprimtarinë e tyre politike rreth personazheve historikë të Mesjetës. Të ndihur edhe nga letërsia romantike e shekullit të 19 dhe zhanri i romanit historik, filluan të ri-qarkullojnë një sërë figurash historike që u rivlerësuan mbi nocionet që kërkonte koha dhe jo mbi veprimtarinë e tyre të vërtetë historike.

Rasti më i qartë për këtë është Riçard Zemërluani, statuja e të cilit qëndron para dhomave të parlamentit britanik dhe për të cilin një kompendium historiko-ushtarak i Oksfordit shkruan se është shembulli tipik i “ fitores së propagandës mbi të vërtetën historike”.

Të gjithë këta elementë bëjnë një masë shumë të fortë “elektrike” dhe madje “djegëse”, kur vihen përballë provave të pakundërshtueshme historike si rasti i librit të dr. Shmitit.

Por një kundërshtim i madh ndaj veprës së Skënderbeut nuk i vjen vetëm nga elementët ideologjikë, etnikë, kulturorë dhe artistikë që i janë veshur heroit shqiptar. Një pjesë e madhe e kundërshtive vjen si rezultat i marrëdhënieve të dy shekujve të fundit të shqiptarëve me fuqitë ortodokse të Ballkanit. Me një ndikim tejet të madh në historinë shqiptare të dy shekujve të fundit, Skënderbeu mit dhe hero nuk mund të bënte një herezi aq të madhe sa të kishte nënë sllave, të supozohet se mund të ishte ortodoks dhe madje të kishte sllavë bashkëluftëtarë në luftën kundër turqve.

Mirëpo të vërtetat historike, përveçse kur janë përçudnuar, janë rrallë bashkudhëtare të imagjinatës dhe preferencave, qofshin këto edhe me rëndësi të madhe politike. Ndaj është shumë e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm në ndarjen e Skënderbeut të Rilindjes Kombëtare me origjinë nga Barleti dhe me përpunime të vazhdueshme sipas kërkesave të kohës, dhe personazhit historik që jetoi në shekullin e 15.

Oliver Jens Shmit me Skënderbeun që ka sjellë na ka prekur në një tabu shumë të rëndë, madje ka zhveshur problemet tona psikologjike në lidhje me fqinjët ortodoksë. Ai ka treguar qartë qoftë gabimin tonë të madh në rënien e grackës së të menduarit si pjesa më jotolerante e këtyre fqinjëve, por edhe pafuqinë tonë për të “vënë nderin në vend”. Të mësuar të llomotisim dhe të deklamojmë, por të pamësuar të veprojmë, edhe kur e kemi në dorë, ne s’mund t’i hedhim faj Oliver Jens Shmitit për plane gjashtë pikëshe, për varreza imagjinare, apo sepse mesha e Krishtlindjeve në Kishën Auto(pseudo)qefale Shqiptare këndohet në gjuhën greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›