“Dosja e zezë” e manipulimit të PD në Ruzhdie mbërrin në gjykatë
Prokuroria e Fierit ka hetuar dhe faktuar manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdie të Fierit. Hapja e kutive është realizuar nga kjo prokurori në hetimin e 5 komisionerëve të djathtë, shumica të Partise Demokratike në qendrën e votimit 3052 të KZAZ numër 19. Në bazë të një padie të ngritur nga Partia Socialiste, se komisionerët po bënin proces të jashteligjshëm votimi, falsifikim dhe votim më shumë se një herë. Të akuzuarit janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zevendeskryetar dhe anëtaret e komisionit Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Prokuroria sekuestroi kutinë e materialeve të qendrës së votimit 3052 dhe nisi hetimin. Prokuroria vuri re se nga 592 zgjedhës në listë, rezultonin të kishin votuar 525 prej tyre. Por komisonerët socialistë pretendonin se aty ka patur falsifikim votash. Për këtë arsye prokuroria mori nga drejtoria e kufirit të dhënat e sistemit TIMS, që regjistron të gjithë personat që hyjnë dhe dalin në Shqipëri dhe rezultoi se 111 persona nga ky fshat, në moshë për të votuar kanë qenë jashtë vendit dhe se nga këta 80 persona rezultonin që të kishin votuar. Në raportin e prokurorisë thuhet se 80 personave që rezultojnë të kenë votuar u janë falsifikuar firmat, numrat e pasaportave dhe numrat e kartave të identitetit. Në raportin e paraqitur në gjykatë thuhet: “Nga tërësia e veprimeve hetimore të mësipërme rezulton se prej anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit 3052, të pranishëm deri në fund të votimit, janë kryer shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Me pasojë kundërligjshmërinë e këtyre anëtareve, ka filluar fillimisht me lënien e zgjedhësve për të votuar në menyrë të hapur, pa u futur në dhomën e fshehtë. Kanë falsifikuar listën e zgjedhësve duke shënuar në këtë listë përbri emrave të zgjedhësve numra serie të dokumentave të identifikimit, si pasaporta dhe karta te identitetit të falsifikuara. Kanë hedhur në kutinë e votimit vota për personat që u kanë falsifikuar nënshkrimet dhe numrat e serive të dokumenteve të identifikimit”. Në raport jepen edhe emrat e personave qe kanë falsifikuar dhe manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. “Në bazë të aktit të ekspertimit grafik, rezulton se anëtari i këtij komisioni, Shezai Kararaj ka falsifikuar listën e zgjedhësve duke nënshkruar për ta dhe shënuar numrat e serive të dokumenteve të identifikimit të rreme. Anëtari i komisionit Veledin Myftaraj ka votuar për bashkeshorten e tij Dallandyshe Myftaraj. Zgjedhësi Buran Donaj ka votuar për bashkëshorten e tij, Fatmira Donaj. Zgjedhësi Elmas Donaj ka votuar për djalin dhe vajzën e tij Elton Donaj dhe Aurora Donaj. Shtetasi Elton Donaj rezulton të ketë qenë jashtë vendit ditën e votimit”. Faktet e gjetura nga prokuroria i kanë mjaftuar gjykatës së shkallës së parë në Fier që të japë masen e sigurise ndaj 5 komisionereve të djathtë. Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se shtetasit Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim, votim me më shumë se një here në bashkëpunim dhe shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkepunim. Masa e dhënë nga gjyqtarja Irena Maneku në datën 12 shkurt ndaj 5 komisionerëve të Ruzhdies është detyrim paraqitjeje, deri në nisjen e procesit penal ndaj tyre. Këto detaje dhe pranimi nga gjykata i kërkesës së prokurorisë për gjykim pritet te nxehin edhe më shumë debatin politik ne vend, ku opozita e ka sjellë Ruzhdien si shembullin tipik të manipulimit në zgjedhje.
2 Mars 2010