E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH-ja nuk furnizon në mënyrë sistematike abonentët

03/03/2010 Tensioni mbërrin i dobët në banesa

FIER- OSSH Fier ka harruar detyrimet ndaj abonentëve të tij. Nëse ajo ngre zërin për shumat e papaguara dhe sipas kontratës së përbashkët me abonentin përbën shkelje të detyrimeve, ka harruar nga ana tjetër detyrimet që ajo ka si palë kontraktuese. Njëra prej detyrimeve kryesore të saj është furnizimi ritmik me energji elektrike. Tashmë këtë pikë OSSH Fier ka kohë që e ka shkëputur duke ndërprerë energjinë elektrike sa herë që ajo ka dashur si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale, madje duke bërë edhe ndëshkim kolektiv. Sikur të mos mjaftonte kjo, furnizimi ritmik me energji është jashtë kondicioneve teknike. Tensioni i ulët i emetuar deri tek konsumatori ka bërë që ky i fundit të mos kryejë nevojat e tij personale dhe familjare, por përkundrazi të paguajë këtë energji sikur ajo ti vinte e plotë. Tensioni në pikat e shumta të qytetit të Fierit nuk shkon më shumë se 140 volt. Kjo do të thotë se të gjitha pajisjet elektro-shtëpiake të mos funksionojnë dhe të dëmtohen. Në këtë rast OSSH asnjëherë nuk ka zhdëmtuar konsumatorin për dëmin e shkaktuar. Për këtë arsye dhjetëra qytetarë fierakë kanë shkuar ditën e djeshme në institucionin e prefektit dhe në një takim me të jo vetëm janë ankuar për mungesën e energjisë elektrike, por edhe kur ajo vjen, nuk i kalon 140 volt. Në pikë të hallit janë sidomos bizneset në Fier. Pajisjet e tyre të blera prej miliona lekësh nuk funksionojnë, madje shkatërrohen. Me gjithë ndërhyrjen e prefektit disa herë në OSSH, duket se gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. OSSH Fier tashmë është bërë hermetike për median duke mos dhënë asnjë informacion në lidhje me anomalitë që shkakton filiali elektrik në Fier si në drejtim të furnizimit me energji elektrike, defekteve të rënda disa ditore, ashtu edhe tensionit shumë të ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›