E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i motit. Infektivi 60 te semure ne dite

Ndryshimi i motit ka rritur numrin e të prekurve me infeksione të aparatit të frymëmarrjes të shoqëruara dhe me temperaturë. Mjekët thonë se në këtë sezon këto probleme shëndetësore kanë bërë, që afro 60 persona ti drejtohen spitalit të infektivit cdo ditë. Pjesa më madhe e tyre shtojnë mjekët viziohen pasi kanë infeksione respiratore.

"Kalojmë nga periudha e nxehtë e verës ku dominon infeksionet kryesisht të traktit tretës, në infeksionet e aparatit të frymëmarrjes apo traktit respirator. Kjo lidhjet me uljet e temperaturave, ne kemi parë shenjat e para të këtyre problemeve, kemi pasur pneumonitë e para. Mund të paraqiten rreth 60-70 raste në ditë në urgjencë", tha Entela Kolovani, Infeksioniste, QSUT.
 
Mjekët këshillojnë qytetarët e të gjitha grupmoshave të kujdesen për të injektuar vaksinën e gripit. Vaksina duhet të aplikohet në muajin tetor dhe të ribëhet sërisht në janar.

"Periudha e tetorit për vaksinimin e parë dhe janari vaksinimi i dytë për të bërë një mbulim gjatë gjithë sezonit të dimrit me vaksinën antigrip dhe besoj që populli tashmë e ka këtë përvëojë për të vaksinuar fëmijët e vegjël po dhe personat e tjerë që kanë tendencë të bëjnë jetë kolektive", tha Kolovani.

Nga eksperienca e viteve të shkuara theksojnë mjekët personat, të cilët kanë qenë të vaksinuar i kanë kaluar viruset e stinës së dimrit më lehtë se të tjerët. Pothuajse asnjë nga ky target grup personash nuk ka patur komplikacione.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›