E Diel, 1 Nëntor 2026

Londër, tre shqiptarë dënohen me 14 vite burg për trafik droge

 

ANGLI - U kapën me 22 kilogramë heroinë, dënohen me 14 vjet burg tre trafikantët shqiptarë. Gjykata e Krimeve "Wood Green Crown Court", në Londër gjatë momentit të shpalljes së vendimit ka pohuar se vlera e shitjes në rrugë e kësaj sasie narkotiku llogaritej në 1,5 milion paund. Kreu i grupit, sipas togave të zeza është 35-vjeçari shqiptar Elton Negro, i cili do të dënohej me tetë vite burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij Dhimitër Lundraxhiu dhe Visar Ahmeti do të vuajnë nga tre vite burg secili. Nga burime të autoriteteve britanike, mësohet se Lundraxhiu 26 vjeç shërbente si korrier i drogës, të cilit ju kapën 4 kg heroinë, vetëm pak minuta pasi e mori nga Negro, kurse Visar Ahmeti 25 vjeç do të arrestohej menjëherë sapo i dorëzoi 210 mijë euro Elton Negros, në parkingun e një qendre tregtare në zonën "Brent Cross" mesditën e datës 7 Korrik 2009. Po atë ditë, Elton Negro do të arrestohej nga skuadra speciale kundra krimit në Scotland Yard, e cila e survejonte prej disa kohësh. Në shtëpinë e Negros në zonën "Axbridge", policia gjeti 18 kg heroinë, e cila rezultoi se ishte 60% e pastër, përfshi 22 mijë stërlina të futura në sirtarin e rrobave. Nga hetimi u zbulua se në llogarinë bankare të tij, pavarësisht se ishte i papunë që prej dy vitesh, kishte 40 mijë stërlina. Katër muaj përpara arrestimit, policia franceze do t'i sekuestronte Elton Negros 500 mijë euro, për të cilat ai nuk e tregoi burimin. Që në seancën e parë gjyqësore, të tre shqiptarët i kanë pranuar akuzat për posedim, shitje të lëndëve narkotike kategoria A, si dhe për pastrim parash. "Elton Negro ishte organizatori dhe forca shtytëse e këtij grupi kriminal, të cilët për asnjë moment nuk menduan dëmin që shkakton heroina te përdoruesit", tha gjykatësi Simon Carre gjatë leximit të masës së dënimit. Ndërsa oficeri Scotland Yard Steve Crwys, i cili hetoi tre shqiptarët, tha se sekuestrimi i kësaj sasie droge është në top listën e 20 operacioneve tona për këtë vit në Londër.         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›