E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja në gjyq, çifti merr kredi me pronën e fqinjit

 

Armand Bajrami

Kishin marrë një kredi 4.5 milionë lekë, duke përdorur si garanci tokën e një personi që as nuk e njihte. Por denoncimi i këtij të fundit ka çuar para togave të zeza çiftin e akuzuar për "mashtrim me kredi" dhe "falsifikim dokumentesh". Prokuroria e Tiranës ka depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve, Eduard dhe Alketa Naçollari. Bëhet e ditur se hetimet në ngarkim të tyre, që kishin nisur në shtator të vitit të kaluar, janë kryer sipas procedurave të hetimit në mungesë, pasi ata nuk ndodhen në vendin tonë. Pritet që dosja në ngarkim të tyre të fillojë të shqyrtohet në dhomën penale të gjykatës së kryeqytetit në ditët e para të muajit shtator. Ngjarja për të cilën do të përballen me togat e zeza, Eduard dhe Alketa Naçollari, ka ndodhur në korrik të vitit 2007, ndërsa u mësua nga organet e hetimit vetëm 1 vit më vonë. Në adresën e Halit Nezirit, banor i Kamzës, mbërrin një njoftim i një prej bankave të nivelit të dytë ku i pohohej se nëse nuk shlyente kredinë e marrë në këtë bankë prej tij, banka do t'i sekuestronte sipërfaqen 3950 metër katrorë. I habitur, se nuk kishte marrë asnjë kredi, ai paraqitet në bankën në fjalë, ku përpara i servirën dokumente dhe një prokurë, e firmosur nga ai, se prona e tij ishte vënë si garanci e kredisë prej 4.5 milionë lekësh e marrë nga çifti Naçollari. Pasi ka konstatuar se nënshkrimi i tij dhe i bashkëshortes ishte i falsifikuar, Neziri ka bërë një kallëzim në organet kompetente të cilat nisën hetimin. "Nga provat e grumbulluara rezulton se të pandehurit pasi kanë arritur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të falsifikojnë prokurën e posaçme duke paraqitur para noterit me dokumentet e identifikimit të të dëmtuarve kanë mashtruar punonjësit e Bankës  me dokumentet e paraqitura duke venë si garanci për kthimin e kredisë, pronën e një tjetri, pa pëlqimin e tij", thuhej nga prokuroria në kërkesën për gjykim. Po sipas përfaqësuesve të akuzës, mësohet se "garancia është dhënë nëpërmjet prokurës së posaçme nr 5200 rep e 642 vol. më 02.07.2007 e dorëzuar prej tyre në banke dhe që ka rezultuar të jetë e falsifikuar". Gjatë hetimeve, Neziri ka pohuar se dokumentet e një pjese të pronës së tij dhe ato të identifikimit ia kishte dhënë vetëm për një ditë një personi tjetër, teksa kishte dashur të shiste një pjesë truall.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›