Gëzim Alpioni, një dramë-terapi mbi mërgimin
Alma Mile
Ai është një azilant politik nga Kosova, ndërsa ajo, një studiuese nga Tirana. Ai, tip i komplikuar, inteligjent, por brenda vetes ka një demon vetëshkatërrimi, ndërsa ajo ambicioze, por edhe inferiore njëkohësisht. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës "Arbnori" organizon prezantimin e dramës "Sikur të vdekurit të dëgjonin" ("If only the dead could listen") të shkrimtarit dhe akademikut shqiptaro-britanik, Dr Gëzim Alpion. Një dramë, mbi problemet e mprehta të emigrimit, e cila ka marrë të gjitha vlerësimet pozitive, kudo që është shfaqur. Prezantimi i kësaj vepre do të organizohet në Tiranë, në datën 14 gusht, ku do të shfaqet e filmuar premiera angleze e dramës "Sikur të vdekurit të dëgjonin". Pas shfaqjes së premierës, Dr. Alpion do të zhvillojë bisedën me temë "Identiteti Kombëtar Shqiptar: Kohezion në Individualizëm dhe Fragmentim", në të cilën do të shtjellojë se përse në "Tollonat" dhe "Sikur të vdekurit të dëgjonin", ai përqendrohet në trajtimin e temave që lidhen me refugjatët dhe azilantët shqiptarë në perëndim, si dhe në raportet që bashkatdhetarët vendosin me njëri-tjetrin në mërgim. Alpion do të përqendrohet kryesisht në kompleksin e inferioritetit, që vihet re te disa shqiptarë në perëndim, dhe do të argumentojë se drama është një art i fuqishëm dhe mjet efikas për të trajtuar aspekte të rëndësishme dhe tabu që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar. Sipas Alpion, arti dhe artistët mund dhe duhet të kontribuojnë më shumë për të sjellë më pranë njëri-tjetrit popujt e Ballkanit, dhe kjo bëhet më mirë kur gjejmë dhe vlerësojmë vlera të përbashkëta. "Në qendër të dramës, ngjarjet e të cilës zhvillohen në Londër në vitin 2001, janë Leka, një azilant politik nga Kosova, dhe Alma, një studiuese nga Tirana. Drama shtjellon disa tema delikate. Unë do t'ia lë kritikës shqiptare të zbërthej simbolikën e fundit tragjik të personazheve. Unë nuk shkruaj për ta argëtuar publikun, por për ta shqetësuar atë. Për mua arti është terapi. Drama trajton kryesisht tragjedinë e kombit tonë, por tragjedia jonë është pjesë e pandarë e tragjedisë njerëzore, që kalon kufijtë tokësorë, etnikë, fetarë dhe kohorë. Në këtë kuptim, qëllimi im nuk ka qenë thjesht të shkruaj një dramë shqiptare, por të përdor karakteristika shqiptare, për të trajtuar një dramë me temë mbarë njerëzore", - është shprehur dramaturgu Gëzim Alpioni, teksa shpjegon konceptin mbi të cilin është ngritur drama e tij. "Në shtypin shqiptar është komentuar se Leka është 'harbut'. Leka është një personazh i komplikuar. Ai është një 'kloun', një personazh tragjiko-komik, një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar dhe anglez, një zotërues i mirë i gjuhës angleze, por fatkeqësisht ka edhe një forcë vetë shkatërruese, një viktimë po edhe një shkelës ligji. Leka është 'çdo-njeri'. Atij mund t'i vihen shumë epitete, por ai nuk është kurrë 'harbut'. Alma gjithashtu është një personazh kompleks. Ajo është ambicioze por edhe inferiore ndaj anglezëve. Leka dhe Alma plotësojnë njëri-tjetrin", - thotë Alpioni.
"Sikur të vdekurit të dëgjonin", është një ripunim i dramës "Tollonat" ("Vouchers"), botuar në Angli në vitin 2001. Për herë të parë "Tollonat" u vu në skenë me regji të dramaturges serbe, Dr Duška Radosavljevic, në Festivalin e Teatrit Bashkëkohor Evropian në Huddersfield të Anglisë, në mars 2002. Në rolet kryesore ishin një aktor anglez dhe një jordanez. Sponsorizuar nga Këshilli i Arteve të Anglisë (Arts Council England), dhe me regji të Marcus Fernando, "Sikur të vdekurit të dëgjonin" pati premierën në Angli në shkurt 2006 nga trupa teatrale "Dreamscape" në Teatrin MAC në Birmingham. Suksesi i shfaqjeve u pasqyrua gjerë në mediat britanike dhe ballkanike. Kritikët dhe spektatorët vlerësuan veçanërisht interpretimin e aktorit të njohur anglez, Richard Attlee, në rolin e azilantit politik nga Kosova, Leka Trimi. Pas suksesit të shfaqjeve në Angli, Alpion dhe regjisori Fernando morën ftesa nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Regjisorë dhe dashamirës të artit dramatik në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci, po ashtu u interesuan që Dreamscape të bëj një turne në këto tre vende. Në mars 2008, po me sponsorizimin e Këshillit të Arteve të Anglisë, Kompania e Teatrit Dreamscape shfaqi me sukses dramën në dy qytete angleze: në Birmingham (në Teatrin MAC) dhe në Wolverhampton (në Teatrin Arena). Në rolin e Lekës këtë radhë ishte aktori i talentuar anglez Andreë Cullum, i cili ka marrë pjesë në dramën seriale televizive angleze "EastEnders". "Sikur të vdekurit të dëgjonin" u botua nga "Globic Press" në SHBA në vitin 2008.
Dramaturgu
Gëzim Alpion lindi në Peshkopi më 10 tetor 1962. Ai ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Kajros dhe Durhamit (Angli). Që nga akordimi i titullit Doktor në Filozofi në Universitetin e Durhamit në vitin 1997, Alpion ka punuar në Mbretërinë e Bashkuar si lektor i letërsisë anglo-amerikane, modernizmin, dhe filmit në Universitetin e Huddersfield, Sheffield Hallam University dhe Newman University College. Në vitin 2002, Dr Alpion u emërua lektor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, ku është edhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare, dhe Anëtar Nderi i Institutit të Studimeve të Avancuara në Arte dhe Shkencat Shoqërore që nga viti 2000. Aktualisht Profesor i Sociologjisë dhe Studimeve të Medias në Universitetin e Birmingamit në Angli, Gëzim Alpion është autor i librit të mirënjohur "Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?", që u botua në anglisht në Britaninë e Madhe, Amerikë dhe Kanada në vitin 2007. Në vitin 2008, kjo vepër u botua po në anglisht në Delhi, dhe në italisht në Romë. Botimet e tjera të Dr Alpion në gjuhën angleze përfshijnë dy vepra dramatike - tragjedinë "Tollonat", dhe dramën "Sikur të vdekurit të dëgjonin", si dhe dy vëllime me ese dhe tregime, "Kompleksi ndaj të huajve: Ese dhe prozë për Egjiptin" dhe "Takime të civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza".
Vlerësimet
Pasi është shfaqur në Angli, por dhe në skena të tjera, drama e Gëzim Alpionit ka marrë vlerësimet më pozitive. "Kjo është një dramë e fuqishme e shkruar me plotë besim, gjë që dëshmon se shkrimtari ka një ndjesi të fuqishme teatri, dhe aftësinë për të gërshetuar dialogun eksploziv me një vlerësim sensitiv të dilemave që hasin të 'përjashtuarit' social-politik", është shprehur Prof. J. T Boulton, Anëtar i Akademisë Britanike. "Në këtë dramë, Dr Alpion më tepër u drejtohet 'të vdekurve të gjallë', të cilët akoma nuk i kuptojnë dhe nuk përmbushin detyrimet, që kanë ndaj njerëzve të pambrojtur", - ka vlerësuar profesori indian Gaston Roberge. Për regjisorin e veprës ka qenë një fat të punonte mbi një vepër të tillë. "Fatmirësisht "Sikur të vdekurit të dëgjonin" është e çliruar nga vargonjtë e komercializmit. Asaj i japin jetë idetë, personazhet dhe tensioni dramatik. Kjo dramë përbën një sfidë, si për aktorët, ashtu edhe për regjisorët", thotë Marcos Fernando.