Majko: Kujdes me azilet, mund të vijnë klandestinët nga bota e tretë
Projektligji i qeverisë "Për Azilin në Republikën e Shqipërisë" ka risjellë në skenë rrezikun e hyrjes së emigrantëve në territorin shqiptar. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko ka deklaruar se duhet vlerësuar me kujdes neni 28 i projektit, pasi mund të shërbejë si pretekst, që një pjesë e klandestinëve të vijnë e të vendosen në territorin shqiptar. Sipas tij, klandestinë nga vendet e botës së tretë mund të zbarkojnë në Shqipëri, duke i vënë në zbatim marrëveshjet, që shteti shqiptar ka me shtetet e BE-së për ripranimin e personave. Sipas Majkos, nëse klandestinët e kapur mund të bëjnë kallëzim të rremë, se janë nisur nga brigjet shqiptare atëherë do të kthehen menjëherë në Shqipëri. Për Majkon Shqipëria është e detyruar që t'i strehojë ato. Në bazë të propozimit të qeverisë, në ndryshimin e nenit 28 kërkohet të shtohet një dispozitë e veçantë për njerëzit që vijnë nga vendet e botës së tretë. "Azili mund t'i mohohet çdo të huaji, që vjen nga një vend i tretë, i sigurt, palë nënshkruese e Konventës së Gjenevës apo protokollit të saj, të vitit 1967, vend ku azilkërkuesi nuk mund të paraqesë frikë të bazuar persekutimi, për të paktën për njërën prej arsyeve të përmbajtura në nenin 1 (A) të Konventës së Gjenevës, as dhe ndonjë shkelje të së drejtave të njeriut apo rrezik dëbimi, në kuptimin e dispozitave të këtij ligji, dhe nëse ai mund të kthehet ligjërisht në këtë vend, ku aplikimi i tij për status refugjati do të shqyrtohet bë përputhje me standardet ndërkombëtare. Një listë e vendeve të treta, të sigurta, miratohet dhe përditësohet për këtë qëllim me vendim të Këshillit të Ministrave", thuhet në nenin 28/1. Qëndrimi i Majkos është mbështetur nga ana e komisionit të Ligjeve. Ilir Rusmali, kërkoi që specialistët e ministrisë ta rishikojnë me kujdes mënyrën e sanksionimit të nenit 28 të draftit. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho hodhi idenë, që qeveria të shfuqizojë ligjin e mëparshëm, pasi amendohen të gjitha nenet me nismën e re të paraqitur për diskutim. Por një gjë e tillë nuk u pranua nga ana e deputetëve të maxhorancës. Projektligji pritet të shqyrtohet dhe nga ana e komisionit parlamentar të Sigurisë, për t'u paraqitur më pas për votim në seancë parlamentare. b.h