E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Fullani: Të rritet përdorimi i kredisë bankare

 

Për herë të parë kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka marrë pjesë në seminarin e pestë Euro-Mesdhetar të rangut të lartë, i cili i zhvilloi punimet pak ditë më parë në Aleksandri. Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Fullani theksoi se sistemi bankar në Shqipëri nuk rezulton i prekur nga turbullira ndërkombëtare, ndërkohë që rreziqet për të ardhmen më së shumti qëndrojnë mbi aktivitetin e ekonomisë reale. Për këtë arsye, Fullani theksoi se është e domosdoshme të rritet më tej përdorimi i kredisë bankare nga ana e sektorit privat, pasi vetëm kështu do të mundësohet rritja e prodhimit dhe integrimi i mëtejshëm i vendeve të Mesdheut me ekonominë globale. Në këtë seminar merrnin pjesë guvernatorët dhe përfaqësuesit e nivelit të lartë të bankave qendrore të Eurosistemit, përkatësisht të Austrisë, Belgjikës, Qipros, Finlandës, Francës, Greqisë, Gjermanisë, Holandës, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Maltës, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës etj. Ndërkohë ditën e djeshme, kreu i Bankës së Shqipërisë, Fullani, u takua me Presidentin e Bankës Kombëtare të Polonisë, Stawomir Stanislav Skrzypek, nga Drejtorja Përfaqësuese e grupit Shqipëri-Bullgari-Poloni në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Krystyna Gawlikowska - Hueckel, si dhe Drejtori i Departamentit Ndërkombëtar në Bankën Kombëtare të Polonisë, Romuald Szymczak. Kriza financiare ndërkombëtare mësohet të ketë qenë një ndër temat kryesore të këtij takimi. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, pjesëmarrësit ndanë të njëjtin mendim se, pavarësisht uljes së ritmit të rritjes ekonomike për shkak të krizës financiare botërore, rajoni përbën një potencial zhvillimi të vazhdueshëm ekonomik. Aktualisht, Shqipëria është anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që prej vitit 1992.  Deri në janar 2008, BERZH ka ofruar asistencë financiare për Shqipërinë për rreth 40 projekte, të cilat kapin një shifër prej 1.2 miliardë eurosh. Gjatë takimit të djeshëm, Krystyna Gawlikowska - Hueckel mësohet të ketë vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit, sidomos në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike strukturore dhe sektoriale, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një ambienti atraktiv për investitorët e huaj. Hueckel ka shprehur angazhimin e BERZH për të vazhduar mbështetjen financiare dhe investimet në Shqipëri, në përputhje dhe me fushat prioritare të përcaktuara në strategjinë e këtij institucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›