Topalli në Britani me ftesë të Elizabeta II
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u nis dje për vizitë zyrtare dyditore në Londër. Topalli do të marrë pjesë, si e ftuar e veçantë, në një prej ceremonive më madhështore të jetës parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, në seancën e jashtëzakonshme të fjalimit, të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë. Ky ritual në parlamentarizmin britanik, daton që në shekullin e XVI. Më pas, Kryetarja e Kuvendit do të ndjekë debatin mbi fjalimin e Mbretëreshës të zhvilluar në Parlamentin britanik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Dhomës së Komunëve dhe Dhomës së Lordëve. Kryetarja e Kuvendit do të pritet në një takim të veçantë nga Kryetari i Dhomës së Komunëve Michael Martin, nga nënkryetarja Silvia Hill, si dhe do të zhvillojë seancë dëgjimore në Komisionin e Politikave të Jashtme.